Dokumenti i 24 shkurtit 1945, që dëshmon masakrat e komunistëve në veri pas depërtimit të tyre fshat më fshat duke vrarë, arrestuar, torturuar, djegur shtëpi e sekuestruar çdo pasuri, që gjenin nën kërcënimin e armëve…
Operacionet spastruese të komunistëve, në veri të Shqipërisë, në muajt e parë të vitit 1945 janë forma më e hapur e luftës ndaj kundërshtarëve të tyre politikë. Brigadat partizane, nën udhëheqjen e komandantit të operacionit Mehmet Shehut, u shpërndanë në gjithë veriun dhe depërtuan fshat më fshat duke vrarë, arrestuar torturuar, djegur shtëpi e sekuestruar çdo pasuri, që gjenin nën kërcënimin e armëve, me arsyen e vetme se ata nuk kishin pranuar t’i nënshtroheshin pushtetit të komunistëve, apo edhe vetëm pse kishin strehuar në shtëpitë e tyre nacionalistët e arratisur.
Në zonën perëndimore të Pukës, në shkurt 1945, duket se vepronin dy brigada partizane brigade e IV-të dhe ajo e XVII-të. Në një telegram që i dërgohej komisarit politik të Divizionit IV-të Muzaferr Trebeshinës, nga komisari politik i Brigadës së IV-të, përshkruhen detajet e aksionit të komunistëve në veri-perëndim të Pukës, në përpjekje për të kapur Kol Bibë Mirakën, Dodë Nikollën etj. Ai njofton se kishin arrestuar vëllain e Dodë Nikollës dhe se do ta “shtrëngonin” (përmes torturave) për të treguar se ku fshiheshin të arratisurit. Më poshtë “kujto.al” sjell telegramin e plotë të përcjellë nga Muzafer Trebeshina:
U.N.ÇL.SHQ.
Vdekje Fashizmit – Liri Popullit
Shkodër, me 24-II-1945
SHTABI I DIVIZIONIT TË IV-të SULM. .
Nr. 7/21 Rezervat
Shtabit të Korp-Armatës së III-të
Këtu poshtë ju përshkruajmë tekstualisht radiogramin shifër të dërguarë prej Komisarit Politik të Brigadës së IV-të.
“Forcat tona mbassi përshkuan zonën në perëndim të Pukës ku arrestuan disa të dyshimtë dhe dogjën dy shtëpira t’arratisurish qysh nesër e lëmë këtë sektor mbassi ky ka qenë operuarë dhe prej Batalionit të II-të të Brigadës XVII; dhe fillojmë operacjonin ndër katundet që ndodhen në veri-Perëndim të Pukës, Qerret i Poshtërmë, Dedaj, Ukth, Komanë e rrotull stop Ndër këta katunde informohemi që strehohen dhe kriminela stop Kemi kapur Zef Nikollën i vëllaj i të aratisurit Dod Nikollës që ndodhet së bashku me patukun Kol Bibën e kriminelat e tjerë stop Këtë do ta shtrëngojmë për të na treguarë se ku strehohen tani të sipër-përmendurit stop
KOMISARI POLITIK I DIVIZIONIT IV-të
Nën-Kolonel
(Muzafer Trebeshina)
(vula, firma)
Burimi: AQSH, V.1945, F.14, D.2015
Kujto.al
LEXO EDHE: Ndodhi gjatë komunizmit: Historia tragjike e themeluesit të sportit shqiptar