Një shkrimtar i kultit apo një narcizist i mërzitshëm? Vepra monumentale e Karl Knausgard, 6 vëllime dhe mijëra faqet që përshkruajnë jetën e tij të përditshme deri në detajin më të imët, ka ndarë kritikët dhe publikun, por e ka shndërruar atë në një lloj rokstari të letërsisë botërore.
Një karakter i ndrojtur dhe i rezervuar, ai pranon një takim në kafene në Blackheath, distriktin e largët të periferisë së Londrës ku jeton tani.
“Beteja ime” vjen tani në Itali me serinë e fundit. Por e gjithë vepra, me përpjekjen e tij për të përshkruar jetën në të gjitha detajet e saj, të kujton e Hartën e Perandorisë, në tregimin e famshëm të Borgesit:që e riprodhon realitetin me të gjitha veçantitë e tij, aq sa në fund rezulton i padobishëm.
Edhe ju vetë e pranoni se në fund dështuat. Po çfarë ndodh më pas? Pas dështimit, në cilin drejtim do të vazhdoni të ecni?
I gjithë arti është një dështim. Ai është një përpjekje për të shkuar diku, por në fund nuk ia del dot. Dhe pastaj provon qasje dhe mënyra të reja. Dhe ajo që mbetet është arti, dhe jo jeta. Kur mbarova librin “Beteja ime”, doja të mos shkruaja më, por pastaj vazhdova sërish.
Pra, gjetët një mënyrë për ta kapërcyer atë dështim ?
Tani shkruaj fiction, dhe jam duke punuar mbi një roman. Jam ende duke e shkruar, por në një mënyrë tjetër:edhe pse po kërkoj të njëjtën gjë. Kur shkrova “Beteja ime”, isha në kërkim të jetës time. Dhe tani po përpiqem ende të gjej një kuptim të saj.
Ideja e gjetjes së një mënyre për të përshkruar tërësisht jetën reale, bazohet në idenë e artit si një imitim, sikurse përkufizohej dikur nga Platoni. “Beteja ime”, ishte pika më e lartë e artit mimetic. Por deri në çfarë pikë arti është imitim ?
Në librin e fundit, ka një pjesë shumë e rëndësishme, gati 60 faqe, mbi një poemë të Pol Selan, që fokusohet mbi atë që mund të thuhet dhe atë që s’mund të thuhet:çfarë mund të thuhet me vërtetësi mbi Holokaustin, tanimë që duket sikur gjuha ishte shembur.
Gjuha është komunikimi i bazuar në një marrëveshje:por kjo marrëveshje nuk ekziston më, pas asaj që ka ndodhur në Aushvic. Është pika ku ndahen gjuha dhe bota. Gjuha është lidhje – lidhje me veten tone – dhe të kuptosh botën do të thotë të kuptosh këtë lidhje. Por bota është gjithnjë atje jashtë, e pagjuhë.
Aty mund të shkojnë vetëm poetët, por jo romancierët:dhe unë nuk mundem. Jam shumë i interesuar mbi këtë ndarje midis gjuhës dhe të botës, mbi përbashkësinë që përfaqëson gjuha, dhe mbi mënyrën se si ajo i ndryshon gjërat. Le të shohim çfarë ka ndodhur në Evropë gjatë 10 viteve të fundit, dhe në Britaninë e Madhe 5 vitet e fundit.
Rritja e populizmit, është një problem i gjuhës?
Po, në kuptimin që ka ndryshuar ajo që është e mundur të thuhet.
Ju keni folur për një “ndotje” të gjuhës…
Po, është një helmim. Kur ndryshon gjuha, ndryshojnë edhe veprimet.
A është e mundur kjo përballë asaj, që është një “ekologji”e gjuhës ?
Këtu hyn në lojë letërsia. Ajo çfarë kërkon në letërsi, është kompleksiteti dhe diversiteti. Dhe kompleksiteti është e kundërta e atyre parullave të thjeshtëzuara. Problemi është se jo shumë njerëz lexojnë romane. Letërsia nuk zë më atë vend, që kishte disa breza më parë në shoqëri.
“Beteja ime”, ka qenë sfida kryesore për ju. E keni quajtur një çështje për jetë a vdekje:në çfarë kuptimi ?
Është një vepër që ka nisur me ndjesinë time se gjithçka ishte pa kuptim, se jeta ime nuk kishte asnjë kuptim. Përmes shkrimit, doja që të ringjallja vetë jetën time.
Ishte ndërkohë edhe një përpjekje për të njohur veten, nëpërmjet metodës sokratike?
Ekziston edhe ky element. Ajo çfarë ti mendon se di për veten, të mësuarit e asaj që të ka ndodhur, ne kemi pra një version. Dhe s’ka asnjë tjetër mënyrë për të dhënë një tjetër version, përveçse duke shkruar. Sepse gjuha letrare nuk është ti, por një tjetër:dhe nëse zhytesh në të sheh diçka tjetër.
Në veprën tuaj ka një rol qendror kujtesa, ajo e ndërgjegjshme dhe e pandërgjegjshme. Përveç jehonës frojdiane, në të ka një referencë të dukshme ndaj Marsel Prustit…
Ka shumë ngjashmëri me Prustin dhe mënyrës së tij të të menduarit mbi kujtesën. Kam qenë shumë i ndikuar prej tij qëkur isha 20-vjeç. Ka shumë gjëra që kanë dalë në procesin e shkrimit, dhe që nuk ishin kujtime të kohëve të fundit:shkrimi është gjithashtu një proces i përkujtimit të ngjarjeve të vjetra.
Përfshirja e njerëzve realë në një vepër letrare ka ngjallur polemika , të cilat ju detyruan të hiqnit dorë nga mbiemri i babait tuaj. Në fakt çfarë është një emër, po të shprehemi sipas Shekspirit?
Emrat kanë qenë gjithnjë një temë delikate në familjen time. Babai im e kishte në realitet mbiemrin Pedersen, që është mbiemri norvegjez më i zakonshëm. Kur shkoi në universitet e ndryshoi në Knausgard:është një mbiemër i shpikur vetëm për t’u dukur më elegant, është një mbiemër ambicioz. Një mbiemër bart shumë fuqi.
Pra, mbiemri juaj nuk duhej të ishte Knausgard?
Jo, duhet të jetë Pedersen!
Në qendër të këtij libri voluminoz ka një ese 400 faqe mbi Hitlerin. Hija e themeluesit të nazizmit ndihet që në fillim, që nga titulli i veprës që në gjuhën norvegjeze ka të njëjtin kuptim me ”Mein Kampf” . Ju tregoni se si hulumtimi i autenticitetit solli Holokaustin:por është i njëjti hulumtim që ju nxiti edhe ju…
Po, kështu e mendoj. Sepse kam të njëjtën dëshirë që e kishte edhe Hitleri:çdo gjë në botën tonë është sipërfaqësore dhe komerciale, dhe kjo çon në ëndrrën e një shoqërie bazike. Për shkak se i ndjej këto gjëra vetë, kjo më bën të aftë që të shkruaj mbi nazizmin:pasi i njoh ato ndjenja, për shkak se i kam dëgjuar vetë. Dhe kjo është mënyra e duhur për t’i përshkruar, përndryshe
do thuash vetëm që ata ishin njerëz të ligj. Në fakt duhet shkuar shumë më pranë, dhe kjo është shumë e frikshme.
Pjesa e fundit e veprës, merret me ndikimin që ka sjellë libri tek njerëzit që ju rrethojnë përreth, duke nisur nga bashkëshortja juaj. A ka letërsia pasoja në jetën reale?
Po shkruaja vëllimin e tretë kur u publikua i pari, dhe vëmendja e mediave ishte shumë e madhe. Isha shumë i frikësuar, pasi po shkruaja mbi njerëz realë, dhe nuk e dija se çfarë mund të ndodhte. Ishte një eksperiment:mbi ndryshimin midis jetës dhe letërsisë. Ishte një lojë e rrezikshme. Por në fakt nuk ishte një lojë, ishte jeta ime.
Leksioni fundor, është se e vërteta e ka një kosto. Cili është çmimi që duhet paguar?
Pyetje e mirë. Nuk e di, është një zonë gri. Njerëz të tjerë, kanë paguar një çmim shumë më të lartë se unë. Unë kam zbuluar gjëra të jetës sime, por ky ishte një vendim i mi, ndërsa për të tjerët nuk ka qenë kështu. Letërsia është e rrezikshme. Ajo na nxit të sfidojmë konceptet tona, mbi atë është e mirë apo e keqe. Ky është edhe roli i letërsisë dhe artit në përgjithësi. / Sette – Bota.al