“Ishte një ditë e bukur vere kur dëgjova në shtëpinë e zotnisë ku shërbeja, se atje në anën tonë kishte plasur një kryengritje kundër mbretit. Pastaj u fol se kryengritja u shtyp, kryengritësit u kapën, u burgosën dhe u vranë dhe njërin e varën. Se ata, kryengritësit, kishin vrarë edhe një gjeneral! Mua më dukej çudi. Mbreti nuk ishte më i fortë se prifti i fshatit! Njërin e qëllonin me armë, kurse tjetrit nuk ia kthenin kurrë fjalën…Dhe iku vera me këto ngjarje… Dhe me të tjera si këto. Po pastaj?… Ku kishte shkruar vera e vitit të mëparshëm?!…Nuk e kuptoja ku kishin shkuar ato ditë dhe ç’kishte qenë për mua ajo periudhë e jetës sime. Kaloi vjeshta, dimri… Vera tjetër… Dhe vitet njëri pas tjetrit… Erdhën ushtri të huaja… Dhe mua m’u duk se u rrita dhe u bëra më i mençur. Vura edhe një pozitë në shoqëri, por nuk guxova më të kthehesha në fshatin tim, në fshatin e vegjëlisë sime. Pse?!…Gjatë luftës kisha kujtuar se bota po rikrijohej, se unë i rilindur po shkoja drejt diçkaje të ndritur dhe shumë më të mirë. Por fundi i të gjitha tregoi se çupat më të bukura u martuan me komisarët më të fortë… Sigurisht më të fortë në llafe!… Një ditë disa shokë të ministrisë ku punoja, fill pas luftës më morën gati me zor për të shkuar në festën e përvjetorit të luftimit të parë kundër gjermanëve. Vajtëm dhe na lanë të fyer sikur të kishim shkuar për të lypur. Tashti kishin dalë disa njerëz të aftë që dinin ta meremetonin bukur historinë!… Kështu në historinë dhe gjeografinë e ribërë nga ata që kishin qenë më të aftë për këto punë nuk të bënte zemra të ndërmerrje një shëtitje… Dhe unë nuk u ktheva kurrë në fshatin e vegjëlisë sime. Në largësi dhe i pushtuar nga një mall dhe një brengë e fshehtë, u mundova të kthehesha përsëri atje ku kisha qenë një stinë të vetme… Atje ku i kisha tradhëtuar dhe ku më kishin tradhëtuar… U mundova në ëndërrimet e mia të kthehesha tek vendi i humbur i stinës së vetme të jetës sime, tek ai vend që nuk ishte më dhe nuk mblodha veç një grumbull kujtimesh për t’i hedhur në letër. Duket njeriu jeton me të vërtetë vetëm njëzet vjetët e parë, dhe në ata njëzet vjet ka një stinë vere plotësisht të tijën… Dhe unë e pata verën time atëherë me manastirin, me varrezat dhe vajzat që u sollën rrotull meje dhe fluturuan”…
*Shkëputur nga “Stina e Stinëve“ e Kasem Trebeshinës