Ju ftojmë ta ndiqni poezinë e Martha Rivera Garrido: Mos u dashuro pas një gruaje që…, interpretuar nga Kastriot Çaushi.
Klikoni KETU për ta shikuar interpretimin e Kastriot Çaushit
Mos u dashuro pas një gruaje që lexon,
pas një gruaje fort të ndjeshme,
pas një gruaje që shkruan.
Mos u dashuro pas një gruaje të mençur,
magjistricë, të krisur, të marrë.
Mos u dashuro pas një gruaje që mendon,
që e njeh botën,
e zonja për të marrë krahë.
Pas një gruaje besimplotë në vetvete.
Mos u dashuro pas një gruaje që qesh
a qan tek bën dashuri, që di
të shndërrojë shpirtin e saj në mish,
sidomos pas një gruaje që dashuron poezinë
(ato janë më të rrezikshmet),
a pas një gruaje që mund
të rrijë gjysmë ore para një tabloje e s’jeton dot pa muzikë.
Mos u dashuro pas një gruaje energjike, të hareshme,
të kthjellët, rebele, moskokëçarëse.
Mos të qëlloftë të dashurohesh pas një kësi gruaje,
se kur dashurohesh pas një gruaje të tillë,
në qëndroftë apo jo pranë teje,
në të dashtë apo jo,
një grua të tillë, s’e harron dot më.
Kurrë!
Përktheu: Aida Baro
ObserverKult
———————–
Lexo edhe:
MARTHA RIVERA-GARRIDO: NËSE DIKUSH TË THOTË SE TË DO, SHIKOJE ME VËMENDJE NË SY…
Nëse dikush të thotë se të do, shikoje me vëmendje në sy. Dhe në sytë e tij të qashtër ke për të parë dy pemë të përflakta, si dy vatra të ndezura. Atëherë, do ta ndiesh mishin tënd si të jetë prej bime, këmbët do të të duken si prej rëre dhe emri yt si i bërë prej balte që të ka ngecur në fyt.
Nëse dikush të thotë se të do, do të tronditesh nga pakohësia e tmerrshme e fjalëve; nuk ke për ta kuptuar nëse qe natë apo ditë kur të erdhi ajo rrufe, nëse mbaje në duar një zog apo një peshk, nëse ishte një engjëll apo ishte era ajo që po të shtrëngonte fytin. Gjithsesi, po ajo forcë ka për të të shpëtuar.
Shiko përpara, hapja gjoksin dritës apo dhimbjes. Nxirre zemrën jashtë dhe hesht.
Në shqip: Bajram Karabolli
ObserverKult