Tenori Kastriot Tusha u vlerësua nga Këshilli i Qarkut të Elbasanit me titullin “Nderi i qarkut Elbasan”.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast në sallën e Teatrit “Skampa” kryetari i Këshillit të Qarkut, Bukurosh Stafa i dorëzoi tenorit Tusha titullin, me motivacionin:
“Për merita të veçanta dhe kontribut të shquar dhënë në fushën e artit lirik, në ruajtjen e trashëgimisë kulturore, si studiues e promovues i këngës qytetare elbasanase, të Shqipërisë së Mesme dhe trevave të tjera shqiptare, duke interpretuar me kualitet të lartë profesional, si intelektual, përfaqësues i denjë i qarkut të Elbasanit”.
Ndërsa kryebashkiaku i Elbasanit Gledian Llatja në fjalën e tij u shpreh se, “sa herë flas me kolegët e mi jashtë trevave shqiptare për Kastriotin, flasim për ‘Mjeshtrin e Madh’, për personalitetin e tij, që e ka mbajtur fort muzikën shqiptare, por që i këndon shumë qytetit të tij”.
“Për mua është vlerësim i madh kur përfaqësohemi me Kastriotin në të gjitha trevat shqipfolëse, por edhe më gjerë. Kastrioti është gjithnjë i pranishëm në aktivitetet artistike dhe kulturore që në bëjmë në Elbasan”, tha Llatja, transmeton ATSH.
Tenori Tusha promovoi edhe librin e tij të dytë titulluar “Kënga popullore qytetare elbasanase”, kushtuar traditës së folkut elbasanas.
Tusha u shpreh se “ideja për të shkruar një libër i ka lindur shumë vite më parë”.
Kastriot Tusha ka një karrierë të lavdishme sa i takon muzikës klasike dhe për promovimin e vlerave tradicionale e artistike në mbarë vendin.
LEXO EDHE:
KASTRIOT TUSHA: TI, LOTËT O KU PO I FSHEH… (TEKSTI DHE KËNGA)
ObserverKult