Katarina Josipi, kjo primadonë e teatrit shqiptar

katarina joosipi
Katarina Josipi

Nga Frrok Kristaj

Katë Dulaj, apo siç njihet me emrin artistik Katarina Josipi – Kati jonë e madhe, u lind në fshatin Zym të Hasit të Thatë, komuna e Prizrenit, pikërisht më 9 nëntor të vitit 1923, e jo siç figuron aty-këtu nëpër disa dokumente me të cilat janë shërbyer disa institucione teatrore se Kati u lind më 19 nëntor 1923. Ajo më 19 nëntor (1923) është pagëzuar në Kishën e Zymit.

Katë Dulaj ishte e bija e Gjin dhe e Gjyste Dulajt. Ishin katër fëmijë – Marku, Lazri, Kata e Pali. Prindërit emrin Katës ia dhanë në bazë të festës së Shën Katarinës së Aleksandrisë, pajtore e Kishës në Pejë (kremtohet më 25 nëntor), por edhe festë familjare e dajëve të Katës – Prekpalajt. Përndryshe, Kata me vëllezër është brezi i 10 i familjes Berisha të ardhur nga Tropoja (Shqipëri) dhe të vendosur në Zym. Në fakt, i pari i lagjës Berishë (në Zym), që erdhi nga Tropoja quhej Peci, e më pastaj vijnë brezet: Pjetri i Pecit, Ndrekë Pjetri, Mark Ndreka, Gegë Marku, Ndue Gega, Pjetër Ndou, Jozë Pjetri, Gjin Joza dhe Kata Dulaj alias Katarina Josipi.

Katarina Josipi shkollimin fillor e filloi në Zym në gjuhën serbe pas vrasjes së Atë Shtjefën Gjeçovit. Pastaj, e vazhdoi në Nish (tash në Serbi), ku ishte me babain e vet, që e ushtronte profesionin e bukëpjekësit. Pas bombardimit të Nishit, në prill të vitit 1941, babai i Katit, sikurse shumë bukëpjekës të tjerë nga Zymi, kishin ikur nga Nishi, kurse Gjin Joza, babai i Katit, ishte vendosur së pari në Lipjan e më pastaj në Ferizaj. Kati pas shkollimit fillor ndoqi tri klasë të shkollës së natës për rrobaqepëse.

Katarina Josipi si aktore hapëroi në dërrasat e Teatrit Amator në Ferizaj, kurse në pranverën e vitit 1948 hyri si femra e parë shqiptare në Teatrin Popullor të Prishtinës. Në Prishtinë kishte shkuar së bashku me Shaban Gashin e Matej Serreqin, që të dy nga Ferizaji. Kati në Prishtinë plot 21 vjet aktroi dhe kulmoi në skenën profesionale.

Dhe, po aty, në Prishtinë, më 29 prill 1969 vdiq në moshën 46-vjeçare, si për çudi prapë në ditën e festës së Shën Katarinës së Sienës (kremtohet më 29 prill), kurse u varros atje edhe nga erdhi – në Shëngjergj (Karashëngjergj), afër Zymit të Hasit të Thatë, pranë meshtarit e patriotit Atë Luigj Palaj, që e masakruan serbo-malazezët për shkak se nuk lejoi që shqiptarët të konvertohen në ortodoksizmin sllav, pranë figurës së madhe poliedrike të kulturës shqiptare – Atë Shtjefën Gjeçovit, që e vranë serbët më 14 tetor 1929.

U varros në oborrin e Kishës së Shën Prenës, në Shëngjergj, ku pas 26 vjetësh, pra iu bashkua edhe bashkëvendësi i Katit, e shkrimtari më i njohur i prozës moderne në letërsinë shqipe – Anton Pashku, si dhe në vitin 2007 aty afër u varros edhe mezosopranja e njohur shqiptare me prejardhje nga Zymi – Ermina (Delhysa) Lekaj.

Katarina Josipin – Katin e kemi parë në skenën e teatrit profesional, e kemi dëgjuar në radio me radiodrama, por e kemi parë edhe në televizion e në film. Megjithatë, ajo jetoi në skenën teatrore, aty ku e fillonte jetën magjepëse që e sheh, e ndien, ku i zbulonte karakteret e njerëzve, rolet e të cilëve i interpretonte. Ishte prijetare e dramës shqipe. Jeta e Katit ka filluar kur janë ndezur dritat e skenës. Aty la djersën e vet. Në skenë ajo jeton edhe sot pas 50-vjetëve të kalimit të saj në amshim. Jeton në kujtimet e artistëve, por edhe të shikuesve e të dashamirëve të teatrit.

Njëzet e një vjet me radhë, aq sa jetoi, në skenën e Teatrit profesionist të Prishtinës, Kati ishte kampione, bartëse e roleve më komplekse të repertoarit më të shumëllojshëm të teatrit tonë. Bukuria shpirtërore e Katit shpërthente vetëm kur fikeshin dritat në sallë e ndizeshin të tjerat në skenë. Atëherë temperamenti i saj artistik i magjepste dhe i çonte shikuesit në një tjetër jetë.

Për Katin ishte njësoj me rëndësi roli kryesor, i mesëm apo episodik. Të gjitha i interpretonte me pasionin më të madh, me përkushtim, duke e shkrirë vetën në role, duke përjetuar dhe duke krijuar fytyra të reja, karaktere të reja. Për Katin, po ashtu, ishte njësoj kur interpretonte role nga dramat origjinale apo të përkthyera, dramat klasike apo bashkëkohëse.

Kati me invencion të rrallë interpretonte bareshën dhe ministreshën. Kishte aftësi transformimi. Mishërohej thellësisht me personazhet që i interpretonte. Identifikohej me fatet e tyre dhe ua zbulonte karakteret. Pra, Katarina Josipi me talentin e saj të një artisteje të parë dhe të madhe, ngriti një galeri të tërë tipesh që e ndien jetën pa kufi, kohë e hapësirë. Dhe, vërtet është vështirë tash të bëjmë ndonjë shëtitje nëpër ato 80 e sa role që i interpretoi gjatë jetës së saj edhe ashtu të shkurtër.

Në skenën e Teatrit profesional të Prishtinës ajo i interpretoi me sukses të jashtëzakonshëm këto role: Marica (”Personi i dyshimtë”). Ndrikulla (”Pushteti”). Fjollka (”Martesa”). Rutarica (”Zhelanët”). Tanja (”Zjarri dhe hiri”). Marija Jegonovma (”Hani në rrugën kryesore”). Zibaja  (një herë) dhe të dytën herë Maxhupja (”Zullumqari”). Kata (”Për kafshatën e bukës”), shoqja e Hasan Agës – Remzija (”Sikur të isha djalë”). Magda Ovesek – Duda (”Hijet e rënda”). Doka (”Zona e Zamfirit”). Ajshja (”Tri botëra”), Ana Marimovna Zemjakina. Mamia (”Dasma”). Përcjellsja (”Ruj Blaz”). Anzhelika (Zhorzh Dandeni). Stana (”Bota”). Saveta (”Proteksioni”). Vahidja (”Besa”). Sofija (”Dy rreshterë”).Hana (”M. E Betanjës”). Ortenzias (”Mirandolina”).

Marija (”Fjala është për banesë”). Plaka, e ëma e Cenit herën e parë dhe herën e dytë Zejnepen (”Nuk martohem me pare”). Beatriqa (”Shërbëtori i dy zotërinjëve”). Itha, e shoqja e Gjonit (”Nita”). Merima (”Z. Fedori”). Sofija, e ëma e Hanëmit (”Halit Gashi”). Dilja (”Kryet e hudrës”). Atmanja (”Parajsa e humbur”). Simona (”Njerëzit”). Zonja Lekua (”Ciklonët”). Nada (”Kushëriri prej Amerike”). Bahrija (”Oda e errët”). Zhivka (”Zoja ministreshë”). Staka (”Dy metelikë”). Vilima (”I sëmuri për mend”) shoqja e Hasan Agës (”E shoqja e Hasan Agës”). Edita Frank (”Ditari i Ana Frank”). Gruaja (”Udhëtimi rreth botës”). Shaqja, e shoqja (”Lugati”). Mbretëresha, njerkë (”Borëbardha dhe shtatë shkurtabiqët”). Amilja fon Ederlein (”Cubat”). Sarka vejushë (”Familja e pikëlluar”). Z. Podivec (”Ushtari i mirë Shvejk”). Kllara Denjson (”Pjata e drunjtë”). Lina (”Dje në jetë”), Pavka (”Deputeti i popullit”). Dr. Kiner (”Matura”). Ranka Volloviqi (”Konkursi”). Rigoleta (”Kur gruaja është memece”).

Falltorja (”Autobiografia”). Raisa Pavllovna Gurmishska (”Pylli”). Filja (”Peripetitë e kohës”). Prydansa (”Zonja me kamelie”), Mr. Mabel Becker (”Jehona 60”), Ollga Karen (”Dje pas dite”), Elen Mamlloku (”Profesori Mamllok”), Zoja Mara (”Studentët e përjetshëm”), Elmira (”Tartufi”), Nerina (”Dredhitë e Shaptukut”), Kejti (”Magjistarja”), Padrona (”Ambrozio shfaros kohën”), Haska (”Hanka”), Shifra (”Kunora”), Zëri i gruas së Dylit (”Fosilët”), Shërbëtorja Razija (”Tri ditët e kiametit”), Shoqja e Skercos (“Miu në xhep”), Ajo (”Bashkudhëtarët”), Tima (”Hakmarrja”), Zëri i gruas (”Sinkopa”) dhe Nëna (”Legjenda mbi vdekjen e heroit”), si dhe në radiodramat e Radio – Prishtinës luajti dhe interpretoi një mori rolesh, si Vakën (në romanin e dramatizuar për radiodramë të Ramiz Kelmendit “Kur kositen livadhet”), Sofijen (në radiodramën “Zonjushat në re”) e shumë të tjera (Qemajl Sokoli ”Historia e Teatrit Popullor Krahinor në Prishtinë” tezë e doktoraturës).     

Gjatë 21 vjetëve sa punoi në Teatrin profesional të Prishtinës, luajti me Nexhmije Pagarushën, Bekim Fehmiun, Muharrem Qenën, Hyrie Hanën, Istref Begollin, Xhevat Qenën, Shani Pallaskën, Malo Gamin, Ragip Loxhën, Kristë Berishën, Matej Serreqin, Shaban Gashin, Abdylrrahman Shalën, Melihate Ajetin, Leze Qenën, Meribane Shalën, Adelajde Sopin, Belxhyzare Fejzën, Qazim Dushkun, Luba Tadiqin, Naxhie Devën, Masar Kadiun, Xhevdet Lilën, Ahmet Spahiun, Ahmet Qirezin, Mysherefe Prekën, Basri Çitakun, Bajram Pakashticën, Zymber Statovcin, Shaban Domin, Gani Jetishin, Vera Balajn, Mikel Balajn, Riza Tarakun, Adem Mikullovcin, Dibran Tahirin, Selman Lokajn, Arif Valën, Safete Rogovën, Igballe Gjurkaj – Qenën e shumë e shumë të tjerë.

Kati ishte në gjendje të krijonte fytyra komplekse, madje edhe atëherë kur nuk ishin të kompletuara nga autori apo regjia. Në mënyrë shumë të natyrshme e bindëse rolet që i interpretonte Kati, e mbanin vulën e kohës, të ambientit dhe të kushteve në të cilat edhe vetë ishte formuar.

Katarina Josipi – Kati për kontributin e saj, por edhe për rezultatet e arritura mori shumë herë shpërblime e mirënjohje që i jepnin atëbotë institucionet profesioniste. Në veçanti po përmendim se ajo ishte laurate e Shpërblimit të Dhjetorit të të vitit 1958 të Kuvendit të Kosovës, që ishte sinonim i Vendimeve të Bujanës, ku ishte vendosur që pas Luftës së Dytë Botërore, Kosova t’i bashkohej Shqipërisë.

Kati që herët, në shkurt të vitit 1947, u ndoq nga pushteti i atëhershëm, u mor në hetime dhe u nxor para gjyqit bashkë me vëllanë – Lazrin, si anëtarë të Organizatës Nacional – Demokratike Shqiptare me akuzën armike e popullit. Ndër 38 anëtarët e “Grupit të Hamdi Berishës”, që të gjithë nga Ferizaji e rrethina, në procesin makabër të Gjilanit, mbajtur prej 1 deri më 7 shkurt të vitit 1947, Katarina Josipi ishte e vetmja femër ndër 37 meshkuj. Në atë gjykim Hamdi Berisha u dënua me vdekje, kurse 31 të tjerë u dënuan me gjithsej 327 vjet burg. Ndër ata ishte edhe vëllai i Katës – Lazëri, që u dënua me 12 vjet burg, si dhe gjashtë të tjerë, e ndër ta edhe Kati, pas disa muajsh hetuesie e represioni e liruan nga aktakuza.

Në anën tjetër, ka mbretëruar një mendim se Kati nuk ka pasur jetë private. Vërtet ajo ishte shumë e angazhuar, por pati edhe jetë private. Qe martuar me Pjetër Hilën, emigrant që konsiderohej në atë kohë, Shkodra. Ajo ishte bërë edhe nënë: Lindi dy fëmijë që i vdiqen nga një sëmundje e rëndë, katër dhe dy vjeç. Më vonë mbeti edhe pa burrin, të cilin pushteti jugosllav ia dëboi nga Kosova si person i padëshiruar dhe e ktheu në Shqipëri. Kati nuk u martua më kurrë. Mirëpo, një vit para se të vdiste (1968), ajo e vizitoi ish-bashkëshortin në Shkodër. Kati ia vizitoi familjen e tij të re. Ajo ia njohu gruan dhe dy fëmijtë e burrit, të cilët kishin po të njëjtit emra që paten edhe fëmijtë e Katit.

Në fund, të themi edhe atë se me emrin e Katit është pagëzuar në vitin 1971 Konkursi për Dramë Origjinale i Teatrit Kombëtar të Prishtinës, i publikuar nga po ky Teatër, pastaj me emrin e saj (Katarina Josipi) është pagëzuar edhe Shoqëria kulturo – artistike tash Ansambli etno-kulturor në Zym, që është themeluar (më 4 maj 1970) në njëvjetorin e vdekjes së Katit. Me emrin e Katit është pagëzuar edhe çmimi për rolin më të suksesshëm të femrës aktore në komedi (në Preshevë të Kosovës Lindore), si dhe në vendlindjen e saj tash e disa vjet jepet çmimi ”Unaza e Katit”.

Por e kemi borxh jo vetëm ta përkujtojmë emrin e Katit do të ishte mirë të pagëzohet Teatri Kombëtar i Kosovës në Prishtinë, apo edhe ta përtrijmë emrin e saj nëpër institucione, së paku t’ia ngrisim një përmendore në vendlindje, në Ferizaj, në Prishtinë, apo në vende të tjera të Kosovës e më gjerë në trojet etnike shqiptare. Do përmendur se në vendlindje, në Zym, është restaurua Shtëpia e lindjes së Katarina Josipit dhe se së shpejti do të përurohet dhe do të shndërrohet në Muze.

ObserverKult

Kliko edhe;

Mbretërit, perandorët, diktatorët dhe mollët e Tetovës

Titaniku: Misteri i mesazhit në shishe