“Katedralja pa kryq” dhe shtatë ditët biblike

katedralja pa kryq

Letërsia është univers që kërkon mund për t’ia zënë fillin, në krahasim me leximin e ligjeve apo ndonjë ekuacioni matematikor, që kanë një rrjedhë më të qartë se ku dëshiron të arrish me to e përmes tyre. Proza romanore është më e vështirë të krijohet dhe të jetë e kapshme, e qartë, e këndshme për lexuesin, sepse po munguan këto, ajo krijon bezdi për të, pa dashje ai kërkon ditë më të mira që të vazhdojë me shfletimin e leximin e një romani të caktuar. Dhe mund të ndodhë që edhe pas tentativës së dytë, libri nuk lexohet, mbetet me pluhurin e dhomës, renditur në raft librash.

Nga Mërgim Bekteshi

“Katedralja pa kryq” është roman nga autori Gëzim Aliu, prozator dhe studiues i letërsisë .Në vijimësinë e romaneve të tij “Në klubin e të shëmtuarve” dhe “Gosti në natën e parë të vjeshtës”, qëndron në mes dhe mendoj se të tre romanet paraqesin trilogji. Nëse në “Klub” e gjejmë të shëmtuarën, “Katedralja pa kryq” shëmbëllen me të bukurën, teksa në “Gosti” shfaqet smira, një përndjellje e mallkuar midis botës artistike, për të urryer të bukurën dhe të shëmtuarën njëherazi.

Në vitin 2014, “Katedralja pa kryq” pa dritën e botimit, një histori e veçantë, jo e dëgjuar më parë, dy protagonistë që flasin, shkëmbejnë korrespondenca, mendime mbi të bukurën. Një sinkroni në mes të artistëve për të përjetësuar vlerat e artit, të mbetura pezull nga ana e piktorit. I pari është prozator i letrave, ndërsa i dyti piktor që përmes ngjyrave në pëlhurën e tij mundohet ta rrezatojë brishtësinë e së bukurës, por kur mendon se vlera e artit po i venitet, përmes prozës mundohet të plotësojë finesat, dashurinë, ankthin, që nuk arrin t’i modifikojë me ngjyrat e tij apo siç e ndeshim një shprehje: “Pikturoje ti mungesën.” (f. 44). Piktura nuk arrin ta paraqesë mungesën a gjëra të kësaj natyre, vërehet një dorëzim i piktorit, që dromit ndërgjegjen në përpjekje për të gjetur ngushëllimin te proza.

Katedralja e autorit nuk është një ndërtesë skolastike, e as vend ku kryhen sakramentet, është pa simbolikën e shenjtë, kryqin, ku romakët, me apo pa vetëdije, e gozhduan Jezusin. Por, çfarë personifikon kjo Katedrale pa kryq? Nuk mund të jetë pyetje laike dhe as përgjigjja nuk do të gjendet në provat rrethanore, sepse është mundi i autorit që çështjen ta shtrojë në themelësi,  në të bukurën që gjendet brenda mureve të ndërtesës së madhërishme të artit. Në veçanti piktori tjetërson këtë katedrale në imagjinatën e tij, ajo duket fine, ndërtesë pa dritare dhe dyer, ka mungesë të ikonave kishtare e kryqit, aty është vetëm një pikturë, ajo e Mona Lizës së tij. I rreshtuar për lutjet shpirtërore, vdekja dhe marrëzitë mbahen larg në këtë roman, pra Thanatosi ngrihet plotësisht, injorohet deri në pafundësi.

Ashtu siç janë prozatorët që mallëngjehen apo u vjen muza nga veprat e paraardhësve, ta zëmë që nga grekët e lashtë e më vonë dhe që pastaj krijojnë origjinalitetin në krijimet e tyre, edhe piktorët zënë në thua dhe rrëzohen po me të njëjtin imagjinatë te Da Vinçi. Në këtë kontekst, protagonisti Leonard Kurti, i pasionuar pas të bukurës që i ngjizet në damarët e trupit e shpirtit, krijon një konglomerat në pëlhurë, i mbërthyer pas erosit, për të prodhuar një pikturë që ngjan me Mona Lizën, por nuk është Mona Liza, është një trajtë më e ndryshme, më e spikatur, që prodhohet nga bashkëdyzimi, nga prekja erotike, kontakti fizik, vuajtja e dashurisë, meditimet. Liza e pëlhurës së tij endet edhe në qytetin e piktorit.  

Takimi i dy artistëve, prozatorit G. Aliu dhe piktorit L. Kurti, (për të cilin mund të themi se është një alter ego autoriale), në fillim duket se ka një ngërç, i pari është hezitues, edhe për takimin, edhe për veprat e tij, pikturat, edhe më shumë heziton për shkrimet, fillimisht nuk i lexon me aq dëshirë. Por, mes atyre teksteve të shkapërderdhura, prozatori arrin ta kuptojë vuajtjen e piktorit për të bukurën, ngjalljen e epsheve, dashurinë që dhemb, që personifikohen me femrat që ngjallin vëmendje të veçantë, dhe me kulminacionin, Mona Lizën. Përmes afërsisë e miqësimit të prozatorit dhe piktorit krijohet një rend i ri për të mbrojtur të bukurën, krijimet sa të imagjinatës, aq edhe të racionales e reales. Në këtë komunikim, edhe filozofik, do të hasim edhe diakroninë, pastaj dualizmin në mes të materies dhe idesë. Piktori vë në pah babanë e tij që besonte në pafundësinë e universit në rrafshin idealist, se ekziston Zoti dhe vëllanë që mbështetet në të arriturat shkencore. Në këtë mes piktori mundohet të portretizojë veten, bashkë me pyetjen se ku gjendet e bukura? Ai do të gjendet aty qoftë me Zotin apo Satanën. E bukura ia thyen gjithë vertebrat, ai gati lë në harresë edhe jetën e përditshme familjare, përkujdesjen ndaj gruas dhe vajzës së sëmurë.

Këtë vuajtje e ndien edhe prozatori, sepse jo moti kishte bërë një tregim për Mona Lizën, e cila sipas piktorit ekzistonte realisht, dhe posa kishte filluar komunikimet me të, ishte ngjizur një energji që nuk e linte të shkëputej nga kureshtja për ikonën e vetme në katedrale, kureshtja i thellohet edhe më shumë kur arrin në atelienë e tij. Atëherë piktori, me zhdërvjelltësinë  e një finoku,  arrin t’ia prezantojë shtatë pikturat, shtatë të bukurat, shtatë femrat e veçanta që lidhen me ditët e krijimit biblik. Secila pikturë në pëlhurë paraqet ditën e veçantë të krijimit që Hyu bëri. Por, tani prozatori e kupton se arritja deri tek ikona e vetme në katedrale paraqet vështirësi, piktori kishte arritur të krijonte universin e vet përmes shtatë pikturave ashtu siç kishte bërë Zoti në krijimin e universit.

Pra, momentet e sikletshme te “Katedralja” janë kur prozatori ndeshet me pikturat, të shtatat, piktura ku secila përbën një ditë kritike në krijimin e universit. Paraqitja erotike e tyre nuk është e rastësishme, sepse krijimi pa dashuri nuk është krijim. Është shija e thellë e artistit që shpalos me kujdes ditët e krijimit që përfaqësohen nga shtatë femra të bukura. E para ishte gruaja e tij e bukur, që ia rriste fëmijën dhe kujdesej për punët e shtëpisë, por ndrojtja e saj gjatë pikturimit, piktorit ia kishte pamundësuar të përqendrohej aq sa duhej në ngjyrat e tij, ia kishte pamundësuar vazhdimin e krijimit. Por, dita e parë është shpërthimi, big-bengu i madh si dhe frika e madhe e piktorit se nuk po arrinte ta plotësonte veprën e vet siç mendonte. Ndoshta edhe Zoti pati frikë për projektin e tij…  

Dita e dytë, pra piktura e dytë, vjen me një vetëbesim, si për krijuesin artistik, ashtu edhe për Hyun, dhe kështu vazhdon deri në ditën e shtatë, kur pushon Krijuesi, por jo edhe artisti: “Zoti pushoi në ditën e shtatë, e vërtetë, tha ai, por, unë nuk jam Zoti, apo jo?”, shprehet piktori (f. 98). Pesha artistike e të shtatë pikturave është boshti i fabulës kryesore të këtij romani, pa harruar se ato janë në atelienë e piktorit, brenda katedrales së autorit.

Në këtë këndvështrim, qasja dhe mënyrat që ka përzgjedhur Gëzim Aliu për ta krijuar këtë roman, edhe duke e pasur parasysh këndvështrimin letrar-gjuhësor, që e kanë diskutuar studiues të tjerë, përbëhet edhe nga metoda e komunikimit në mes të dy artistëve, që është e thellë dhe kërkon kujdes në lexim. Në fakt, ky roman të bën për vete, por gjatë leximit përjetohen magjepsje që kërkojnë vëmendje ndaj gjërave që shprehen, sepse është komunikim i artistëve dhe jo komunikim i përditshëm. Ky roman dhe romanet e tjera të Gëzim Aliut kanë sjellë novacione në letërsinë shqipe, tema më ndryshe seç jemi mësuar t’i dëgjojmë dhe t’i lexojmë.  

ObserverKult

Lexo edhe:

E bukura dhe shëmtuara në romanin e Gëzim Aliut