Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Jo Materiale vendosi të çojë punën përpara për të kandiduar “Kcimin e bjeshkës me tupan të Tropojës”, si “Kryevepra të trashëgimisë shpirtërore të njerëzimit”, nën mbrojtjen e UNESCO-s.
Lajmin e bëri të ditur sot ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ndërsa vlerësoi ritmet marramendëse, energjinë shpërthyese dhe ngjyrat e këtij kërcimi.
“Ritme marramendëse, energji shpërthyese, ngjyra… Ky është ‘Kcimi i bjeshkës me tupan i Tropojës’, pjesë e folklorit tonë koreografik, një nga perlat e trashëgimisë shpirtërore kombëtare shqiptare. Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Jo Materiale vendosi të çojë punën përpara për ta kandiduar atë, si “Kryevepra të trashëgimisë shpirtërore të njerëzimit”, nën mbrojtjen e UNESCO-s”, tha ajo.
Pak ditë më parë, ministrja Margariti bën të ditur se listës për t’u mbrojtur nga shteti i janë shtuar “Kcimi i bjeshkës me tupan i Tropojës”, “Rituali i lashtë i shtegëtimit të bagëtive”, “Xhubleta si teknologji dhe dijebërje artizanale unikale dhe format e përdorimit të saj, “Kcimi i Logut”, “Eposi i Kreshnikëve i kënduar dhe shoqëruar me lahutë”, etj.