Kel Marubi, mjeshtri i fotografisë që mbajti gjallë dinastinë Marubi

Më 13 mars të vitit 1940 u nda nga jeta fotografi, Kel Marubi.

Emri i vërtetë i tij ishte Mikel Kodheli. Ai filloi të punonte që fëmijë si ndihmës në studion e Pietro Marubit, bashkë me vëllanë e madh Matinë. Rreth vitit 1885 Kel Marubi dërgohet nga mjeshtri i tij, për rreth dy vjet të mësojë mbi fotografinë e proceset e saj në Trieste tek studioja e Guglielmo Sebastianutti-t.

Pas vdekjes së mjeshtrit (1903), ai trashëgoi studion dhe mjeshtërinë e fotografisë, e për nder të mjeshtrit mbajti edhe mbiemrin e tij.

Marubi u përfshi që herët në lëvizjet për pavarësinë e vendit, gjë që shkaktoi burgosjen e tij disa herë nga autoritetet turke. Më 1908 në shtëpinë e tij u themelua klubi i parë patriotik “Gjuha Shqipe”.

Më 1913, flamuri që lajmëroi pavarësinë në bashkinë e qytetit, qe qëndisur nga vajza e tij Bernardina.

Studioja e tij shërbeu dhe si një vendtakim i figurave të njohura të politikës. Më 1926 emërohet fotograf zyrtar i mbretit Zog I.

Kel Marubi la si trashëgimi në fushën e artit të fotografisë, mbi 34000 negativë në xham të përmasave të ndryshme.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave sjell një letër të Lasgush Poradecit dërguar Marubit me kërkesën për stampimin dhe dërgimin e disa fotove kundrejt pagesës.

Po ashtu, paraqitet një fletëpalosje reklame e stabilimentit fotografik “Marubi”./ATSH

ObserverKult


Lexo edhe:

LETRA QË KEL MARUBI IA DËRGONTE AHMET ZOGUT, KËRKONTE NGA AI PARA

Kel Marubi, një ndër më të famshmit e dinastisë Marubi, ishte edhe fotograf zyrtar i Oborrit Mbretëror.

Kel Marubi ka fiksuar momentet të rëndësishme historike për Shqipërinë e asaj kohe e drejtuar nga Ahmet Zogolli, si kryeministër i vendit.

Një dokument nga Arkiva e Shtetit, sjell detaje mjaft interesante të raporteve të tij me kryeministrin Ahmet Zogu. Pra, në momentet kur Marubi po përpiqej të garantonte shkollimin e birit të tij, Geg Marubi.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult