Akademia e Shkencave, në bashkëpunim me Universitetin e Vlorës “Ismail Qemali”, me Akademinë e Forcave të Armatosura, me Akademinë e Studimeve Albanologjike dhe me Akademinë e Sigurisë; me mbështetjen e Qeverisë së Shqipërisë dhe nën kujdesin e Presidentit të Republikës, do të organizojnë më datën 2 shtator konferencën shkencore “Lufta kombëtare e Vlorës, luftë për Pavarësinë e Shqipërisë”. Do të jenë 25 kumtues, historianë të periudhës, që do të paraqesin rezultate të kërkimeve të tyre për këtë ngjarje kyçe, që është cilësuar nyje gordiane e çështjes shqiptare.
Përveç konferencës, Akademia e Shkencave ka paravepruar që 100-vjetori i “Luftës së 1920-ës” të shenjohet e memorizohet edhe në forma të tjera. Nisur nga fakti se vetëm momente vendimtare në jetën kombëtare janë monumentalizuar përmes këngësh himn dhe marshesh luftarakë, si alfabeti i shqipes, Shpallja e Pavarësisë, Kongresi i Lushnjes, lufta antifashiste, Akademia e Shkencave u bë nismëtare e një regjistrimi të masterizuar të këngës-himn “Vlora-Vlora”, e cila mobilizoi dhe trimëroi në beteja ushtrinë vullnetare shqiptare të Vlorës, çetat e vendit dhe të ardhurit nga Amerika, Toskëria e Gegëria, nga Korça e Gjirokastra, nga Shkodra e Dibra.
Prodhimi i CD-së “Me armë në dorë e me këngë në gojë”, në të cilin janë regjistuar varianti i plotë dhe varianti për ekzekutim ceremonial i këngës së famshme, është realizuar me mbështetjen e Qeverisë. CD-ja e prodhuar shoqërohet me libërthin njoftues (booklet), përgatitur nga akad. Vasil S. Tole, etnomuzikolog e kompozitor, njëherësh konsulent shkencor i skuadrës realizuese, me këtë përbërje:
Orkestrimi dhe masterizimi: Klodian Qafoku
Notëzimi: Jusiald Xhani
Këndon: Josif Gjipali
Kënga-himn “Vlora-Vlora” është kompozuar nga Thoma Nasi, me tekst të poetit Ali Asllani./ ObserverKult