Kënga “Vlora, Vlora” kthehet në marsh ushtarak

E punuar nga Thoma Nasi, me vargjet e Ali Asllanit, kushtuar luftës së Vlorës më 1920-ën, kënga “Vlora, Vlora” shumë shpejt do të kthehej në një himn të qytetit, për mbrojtjen e territorit.

100 vite më pas, një version i ri i ideuar e ndjekur deri në orkestracion nga Vaso Tole, vjen me zërin e Josif Gjipalit dhe kompozimin e Klodian Qafokut.

Kujtimet e bashkëkohësve i japin këngës piedestalin e vlerësimeve për përqafimin që gjeti në publik. Muzikologu i ndan këngët patrioke në tri periudha, sipas ngjarjeve që shenjuan historinë e brishtë të Shqipërisë.

Thoma Nasi do të rikthehej në Amerikë dhe emri i tij, pothuaj do të harrohej në Shqipëri, ndonëse kënga do të ishte gjithnjë “Marsejeza e Vlorës”.

Për mediet, muzikologu Tole u shpreh se: Angazhimi im edhe i kolegëve të tjerë, ka të bëjë me faktin, se risillja e kësaj kënge u bën mirë brezave të rinj. Kjo i bën mirë jo vetëm këngëve, por dhe perceptimit ndaj artit edhe ngjarjeve. Kushtet historike, ardhja e bandës “Vatra” nga Amerika, një personalitet si Thoma Vasi, që ishin të stërvitur në muzikën patriotike, bëri që gjatë qëndrimit trejavor në Vlorë. Provohet me dëshmi banda “Vatra” bashkë me trupën vullnetare të drejtuar nga Aqif Përmeti i ardhur nga Amerika dhe me 250 trupa të ardhura nga Korça, ishin një forcë e rëndësishme në ndihmë të luftës së Vlorës.

Tole thekson, se referuar eksperiencave të mëparshme Akademia e Shkencave u bë nismëtare e një regjistrimi të masterizuar të këngës-himn, që ka ndikuar në betejat që kanë bërë asokohe çetat vullnetare shqiptare të Vlorës. Por një rol të rëndësishëm, sipas tij, kanë pas veçanërisht çetat e ardhura nga Amerika

“Në u përpoqëm që t’i zbulonim rrënjën e saj, atë shkëndijën që e lindi atje edhe e shndërruam në një marsh ushtarak, ne i zbuluam ritmin e marshit që ka humb me kalimin e viteve, këtë ka risi kjo këngë. Që në çdo strofë ta dëgjosh ndihet marshi ushtarak. Mendoj se është restauruar me shumë vëmendje”, – shprehet ai për reporttv.

CD-ja vjen nën titullin, “Me armë në dorë e me këngë në gojë”. Akademiku Vasil S. Tole, ka qenë konsulent shkencor për orkestrimin dhe masterizimin nga Klodian Qafoku, notëzimin nga Jusiald Xhani dhe interpretimin, nga tenori Josif Gjipali.

***

Jam vlonjat e jam vlonjat,
e kam shkabën mëm’ e atë,
shkaba trime dykrenore
fron’ e saj e ka në Vlorë!

Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,
rroki armët, bëja forra!

Vlora trime shqipëtare
si rob jetën s’e do fare,
a do mbetet Shqipëri,
a do bëhet tym e hi!

Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,
rroki armët, bëja forra!

Jam vlonjat e jam burrë,
s’duron burri zgjedhë kurrë,
jam vlonjat e si vlonjat
di bëj luftë me të shtat’!

Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,
Bjeri, moj, t’u lumtë dora!

Jam vlonjat dhe trim me besë,
rreth flamurit di të vdesë,
a me hir a me pahirë
doemos do rroj i lirë!