Festimeve të Fundvitit nuk mund të mos u bashkëngjitej edhe Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit i Shqipërisë, i cili ka dhuruar paraditen e djeshme një buqetë performancash me tingujt më të paharrueshëm të këtyre festave.
Pavarësisht kufizimeve për shkak të pandemisë dhe atmosferës jo të zakonshme të këtyre festave, publiku nuk ka hezituar të ndjekë performancat më të mira të artistëve që sollën edhe në Tiranë tingujt e Krishtlindjeve.
Kështu, TKOB dha një shfaqje për publikun e kryeqytetit në ballkonin e institucionit që në këtë periudhë është shfrytëzuar si skenë për shumë projekte të tjera, si mënyrë për të ruajtur distancimin social por jo afërsinë shpirtërore me publikun.
Shfaqja titullohej “Christmas Songs” me performancat e formacionit të Tunxhit “Albanian Brass Quintet & Percussions” me artistët Ilir Kodhima, Xhino Daja, Reinald Foci, Dorian Llanga, Ilir Vorpsi, Nikolas Bonci.
Mes këngëve të performuara ishin: Just a closer walk – Këngë tradicionale amerikane, Yo soy Maria – Astor Piazzolla, Tre këngë popullore shqiptare – Arr. Gridi Kraja, When I’m Sixty-Four – The Beatles, La vita è bella – Nicola Piovani, Kur Hana del – Tradicionale shqiptare, Gëzhoja e Vjetër – Aleksandër Lalo, Të lutem falmi sytë e shkruar – Arr. Avni Krasniqi, Uptown Funk – Bruno Mars, Silent Night – Franz Xaver Gruber, Feliz Navidad – José Feliciano.
TKOB premton performanca të tjera po kaq mbresëlënëse për të mos e humbur kontaktin me publikun besnik, që më shumë se kurrë kërkon pak qetësi shpirtërore mes ankthit që ka nxitur pandemia./ATSH