Pandemia ka prekur rëndë sektorin artistik dhe këngëtarët e kanë ndjerë akoma dhe më shumë pasojat e saj. Kriza ekonomike ka prekur edhe artistin e mirënjohur italian, Al Bano, i cili shprehet i shqetësuar për të ardhmen e tij.
Al Bano ka reaguar i revoltuar ndaj situatës dhe faktin që qeveria e ka harruar krejtësisht sektorin e argëtimit. “Unë e kam pensionin 1470 euro, pavarësisht se kam paguar gjithmonë kontributet. Nëse situata nuk ndryshon mund të mbështetem tek pensioni edhe për 1 vit dhe në të ardhmen nuk do mundem ta mbaj veten me të ardhurat e pensionit. Kam vetëm shpenzime, asgjë nuk po hyn. Nëse vazhdoj me këtë ritëm, do ta shtyj e shumta një vit”, ka thënë këngëtari.
Por jo të gjithë i kanë pritur mirë fjalët e artistit, sepse shumë të tjerë në Itali dhe jo vetëm kanë një rrogë më të ulët se pensioni i Al Bano-s dhe madje disa prej tyre kanë mbetur pa punë pas pandemisë. Këngëtari ka treguar se për shkak të gjendjes nga Covid-19 është detyruar të anulojë koncertet e programuara në Rusi, Rumani, Austri, Gjermani, Spanjë, Kinë e Australi.