Deri në vitin 1983, Luljeta Përbasha ishte një emër i njohur, me një karrierë të pasur artistike. Ajo është fituesja e anketave muzikore dhe e çmimeve në festivalet kombëtare të këngës në Radio-Televizion. Ka qenë këngëtare e estradës profesioniste të qytetit të Rrëshenit, e ndërkohë drejtoreshë e Bibliotekës së Fëmijëve në Mirditë. Sot është kjo grua që heq dorë nga krenaria për të kërkuar ndihmë.
“E bëra zemrën gur, të dalë ku të dalë thashë, jeta ime mbaroi. Më ndihmoni, ndihmoni këtë Luljetë të shkretë, mos ma hidhni poshtë 30 vjet të jetës time, që kam dhënë për këtë Shqipëri. E kam nxjerr Mirditën nga piedestiali, si artiste, si këngëtare”.
Luljeta Përbasha është 59 vjeçe. Ajo jeton me bashkëshortin në Bilisht, në kushte shumë të vështira ekonomike. Prej 7 vitesh Luljeta kujdeset për burrin e saj të paralizuar, i cili nuk mund të ecë, të lëvizë, e as të flasë.
“I kanë mbaruar gjysma e qelizave në kokë, ka mpiksje gjaku. Po t’ia shikosh këmbën e krahun, i ka të nxira komplet. Komplet krahun e majtë dhe këmbën. Tani i ka filluar edhe këmba e djathtë, i dhemb, po nuk ec… po nuk ke dikë, ose kushte, që të ndihmojë dikush me një fizioterapi…”.
Luljeta dhe burri i saj jetojnë në një dhomë të vogël, e cila është gati për t’u rrënuar. Kushtet çnjerëzore ku jetojnë e bëjnë sëmundjen e burrit të përballueshme dhe pothuajse çdo natë Luljeta fle me frikë se shtëpia mund të jetë shembur mbi ta.
“Kur isha pak në gjendje mundohesha t’i mbyllja vetë me burrin vrimat. Tani nuk kam takatë me i vënë një letër. Tavani, pak të hipin macet, bie. Është i mbaruar. Siç e kanë bërë të parët, ata e dinë, me baltë, nuk e di e shkreta unë.”
Luljeta kërkon ndihmë për të kaluar ditët që i kanë mbetur në një banesë, me kushte normale.
“Për mua jeta ime qëkur kam ardhur këtu ka qenë shumë e vështirë. Kam mbaruar, prandaj vini dorën në zemër, sepse vetëm tek ju kam shpresë. Vetëm tek ju kam shpresë, nuk kam kurrkund shpresë. Në daç më lini të vdes këtu, në daç më ndihmoni”.
Në studion e “Historia e Fundjavës”, Arbër Hajdari tregoi se fushata për një shtëpi të re për Luljeta Përbashën ka pasur një reagim të madh. Ai tha se shumica e njerëzve as nuk e besojnë si është e mundur që kjo këngëtare ka përfunduar në këtë gjendje.
“Ky është apeli i kësaj jave në “Histori e Fundjavës”, e kemi futur pa radhë, edhe për t’i treguar shqiptarëve që Shqipëria do të fillojë të ndryshojë kur të kujtohet realisht për ata njerëz që janë harruar dhe kanë dhënë kontribut të vyer për këtë vend”, shtoi Hajdari.