Këngëtarja me origjinë nga Irani që këndon “Pranvera filloi me ardhë”, tregon si “u dashurua” me muzikën shqipe

Këngëtarja me origjinë nga Irani, Sheyda Doa, rrëfen dashurinë e saj për Shqipërinë ku lindi, dhe si i mësoi këngët tona të tabanit. “Pranvera filloi me ardhë” bëhet pjesë e albumit të saj të parë

Është kënga “Pranvera filloi me ardh”. Sheyda Do’a, muzikante me origjinë nga Irani, e këndon në kuadër të festivalit “Gjon Mili”. Ka lindur në Shqipëri, në vitin ’92, e thotë se vendin tonë e mban në zemër. Në këtë rikthim të radhës, nga Amerika ku jeton, rrëfen si e gjen të ndryshuar.

“Unë sapo jam kthyer nga jugu i vendit dhe e gjej Shqipërinë të ndryshuar për mirë. Por jam shumë shumë e lumtur që jam kthyer. Ky është atdheu im dhe çdo herë që kthehem lumturohem shumë!”, rrëfen këngëtarja Do’a.

Me babain italo-iranian e mamanë gjermano-iraniane, në Shqipëri ajo u rrit si të gjitha vajzat e tjera, e ndoshta me një përkujdesje të veçantë nga prindërit, për të përthithur më të mirat e kulturës sonë. Kështu, kujton se si është “dashuruar” me muzikën e tabanit, të cilën e këndon edhe në Amerikë ku jeton.

“Unë jam rritur si të gjithë shqiptarët, në një atmosferë ku të moshuarit këndonin, luanin kitarë, na mësonin këngët nga vëndet e ndryshme nga ata vinin dhe kjo kënga ‘Pranvera filloi me ardhë’ është një nga ato këngë që unë e kam dëgjuar kur kam qenë e vogël. Këngë të cilat i këndoj shpesh dhe me mallëngjim kur mendoj për Shqipërinë”.

Nga kultura persiane, krahas gjuhës, kulinaria është ajo që ka trashëguar më të konsoliduar. Ndërsa lidhja e saj me muzikën e kompozitorët klasikë të cilët adhuron t’i luajë në piano nuk është e rastësishme.

“Mamaja ime është pianiste klasike ka studiuar në Berlin. Dhe unë jam rritur duke i rënë pianos. Ka qenë muzika e parë që kam mësuar, dhe ende e adhuroj”, thotë muzikantja.

Ka zgjedhur si profesion matematikën, e thotë se precizoni është vetëm një nga lidhjet mes dy zanateve.

“Po bëj doktoratën në matematikë dhe po punoj dhe në fushën e inteligjencës artificiale dhe këndoj dhe me një band, muzikë jazz, samba dhe muzikë shqiptare në Uashington DC, në Amerikë”, shton më tej këngëtarja.

Muzika shqiptare, nuk mund të mos ishte pjesë e albumit të saj të parë, që sapo ka dalë.

“Albumi im i parë ka dy këngë shqiptare dhe po vijoj ende me projekte të tjera muzikore në bashkëpunim me producentë të ndryshëm në Uashington DC”, thotë Do’A./shqiptarja.com


Lexo edhe:

HISTORIA E TRISHTË E MICHAEL J. FOX, FLET PËR SËMUNDJEN ME TË CILËN PËRBALLET

ObserverKult