Këngëtarja shqiptare habit me rrëfimin e saj: Enver Hoxha më donte shumë, më ftoi në…

Ajo nuk e fsheh se ka qenë një nga këngëtaret e preferuara të udhëheqjes komuniste. Ka kënduar nëpër mbledhje, takime delegacionesh, madje dhe në ditëlindjen e diktatorit.

Naile Hoxha, një nga emrat më të mëdhenj të muzikës popullore shqiptare, tregon se si ia nisi rrugës së muzikës, si erdhi në Tiranë me kërkesën e Enver Hoxhës, për të ndërtuar një karrierë gati 60-vjeçare.

Artistja, nuk ka asnjë arsye për t’u ankuar. E ka zgjedhur vetë Enver Hoxha, ka kënduar për delegacione të huaja, madje edhe në përvjetorin e 60-të të diktatorit.

Ajo nuk e fsheh se edhe mbiemri i njëjtë me udhëheqësin e asaj kohe, e ka ndihmuar shumë. Me një zë melodioz, fytyrë të qeshur, një nga këngëtaret më të suksesshme dhe më të dashura për publikun dhe udhëheqjen komuniste, interpretuese e dhjetëra këngëve, tregon se si i hyri rrugës së këngës, kur ishte vetëm 13 vjeç, si e solli Enveri në Tiranë, udhëtimet jashtë shtetit dhe marrëdhëniet me këngëtaret e tjera.

Pasi u pyet për herën e parë që ka dalë në skenë ajo rrëfeu: “Kam qenë 13 vjeçe, kur kam dalë për herë të parë në skenë. Unë punoja në një shtypshkronjë. Aty këndoja për qejf dhe kur më dëgjuan, zëri im u pëlqeu. Më thanë të dilja dhe të këndoja. Pata sukses që herën e parë, kur dola në skenë. Më pas më ka marrë Radio-Shkodra dhe që në moshë të re, kam bërë disa regjistrime.

Më pas ajo tregoi se është zgjedhur nga vetë Enver Hoxha për të kënduar.

“Erdhi njëherë në Shkodër, tek Shtëpia e Kulturës. Na thanë se duhet të këndonim, me rastin e vizitës së Enverit. Ai erdhi. Kur u ngjit nëpër shkallë, i bukuri i dheut ishte…!

Atëherë ishte 42 vjeç. Këndoi Luçije Miloti, Ibrahim Tukiçi, Xhevdet Hafizi, Bik Ndoja dhe të gjithë të tjerët. Mua më lanë për në fund. Këndova këngën: “Në pranverë që kena hi/drandofilja po lul’zon”, një këngë që ta nxjerrë mirë zërin.

E këndova dhe e përshëndeta. U bëra gati të shkoj në vendin tim ai foli shkodranisht: “Po hajde, hajde njëherë ti këtu”.

Unë shkova ku ishte Enveri dhe i vendosa dy duart tek krahët. Më pyeti se a shkoj në shkollë. Jo, i thashë unë, vetëm tek shkolla e natës, sepse punoj në shtypshkronjë.

“Punon dhe këndon, shumë mirë”, tha ai. “Po kush është ai djali atje”?, prapë shkodranisht më pyeti. “Është i fejuari”, i thashë.

Erdhi burri im dhe i dha dorën, e pyeti se ku punon dhe i tregoi se ishte shofer. E pyeti për moshën. Atëherë ai ishte 18 vjeç, kurse unë 15. “Shofer dhe me kurajo”, tha Enveri.

Meqë i pëlqeu zëri im, tha se duhet të shkonim në Tiranë. U martuam dhe shkuam në Tiranë, pas 3 vitesh nga ajo ditë. Kur shkova, Ansambli nuk ishte hapur akoma dhe më dërguan tek Estrada”, tha ajo gjatë intervistës.

Më pas u pyet se a i kishte ndodhur që funksionarë të lartë të PPSH-­së ta kenë ftuar që të këndoni në gëzimet e tyre familjare.

“Po, kam shkuar kur Enveri mbushi 60 vjeç. Më çuan që të këndoj për ditëlindjen e tij.

Këndova këngët: “Kuvendon Marta me gra/ Burrin plak mjerë kush e ka/ Hall më të madh nuk ka moj motra/ Kur e sheh burrin ndej te votra/ 60 vjetat i ka mbush…”!

Kur kam thënë “60 vjetat i ka mbush”, sikur më ra të fikët e më erdhi turp, sepse Enveri kishte 60-vjetorin dhe atij nuk i dukej shumë.

Menjëherë e kam ndërruar dhe kam bërtitur: “E vërteta është partia/ i falsha shumë prej ditëve të mia…”!

Pra të njëjtës këngë, ia ndërrova dorë për dorë tekstin. Më pas, kur po zbrisja shkallët, për të shkuar aty ku isha ulur, Enveri më tha: “Naile, unë nuk të njoha”.

Mbeta unë dhe nuk kisha çfarë të thoja e nuk fola fare…! U stepa. Më pa se u frikësova dhe më tha menjëherë: “Eja, eja këtu në tavolinën tonë”.

Shkova në tavolinën e tyre. (Gjatë mbrëmjes, bëhej një lojë. Një grua shpërndante ca letra të palosura. Kujt i binte ajo me vrimë, ishte me fat)

Enveri e kishte pa vrimë letrën edhe unë pa vrimë. Më tha: “Naile nuk na ra gjë”. I thashë: “Po, po, mua po”. “Jo, tha, nuk na ra”. I thashë: “Unë kam shumë fat, se jam te tavolina juaj”.

Sepse kujt i binte letra me vrimë cilësohej me fat. Aty ishin në tavolinë Nexhmija, Mehmet Shehu dhe gjithë të tjerët. Për të tjerët, s’kam kënduar në festa familjare, vetëm për Enverin,” tha këngëtarja në fund të intervistës./oranews.tv

ObserverKult


charlie chaplin

Lexo edhe:

CHARLIE CHAPLIN: KUR NISA ME E DASHTË VETVETEN

Kur nisa me e dashtë vetveten
e kuptova që gjithnji e në çdo rast 
jam n’vendin e kohën e duhun. 
E e kuptova që gjithë çka ndodhë asht’ e drejtë – 
prej atëhershit muj me qenë i qetë. 
Sot e di: quhet BESIM.

Kur nisa me e dashtë vetveten e kuptova sa shumë mun’ ofendohej dikush
Kur provojsha me detyrue dëshirën teme mbi këtë person,
edhepse e dija që nuk asht’ koha e duhun
dhe ky person nuk asht’ i gatshëm për të.
Sot e di: quhet ÇLIRIM.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult