Kërkohet anulimi i ankandit që ofron artefaktin e shekullit I

Një arkeolog me nam po i bën thirrje kompanisë së ankandeve “Christie” të anulojë nxjerrjen në ankand të një statuje romake të shekullit I për shkak të lidhjeve të supozuara me “tregtarët famëkëqij” të lidhur me raste të shumta të paligjshme të tregtimit të artefakteve.

Pretendimet e profesorit Christos Tsirogiannis kanë të bëjnë me një vepër të mermertë ku paraqitet Erosi që nuk e mban harkun e tij, që do të shitet më 4 dhjetor.

Vlerësohet që çmimi do të shkojë midis 500 mijë deri në 800 mijë funte. Statuja me madhësi prej 94 centimetrash zë vend në ballinë të katalogut.

Sidoqoftë, Tsirogiannis thotë se ai ka katër fotografi me “saktësisht të njëjtin artefakt” në pronësi të tregtarit tashmë të turpëruar Robin Symes dhe të partnerit të tij të ndjerë Christo Michaelides, depot e të cilit u kapën nga policia dhe u mbajtën nga autoritetet në Greqi dhe Itali.

Tsirogiannis, një ish-arkeolog i vjetër në terren në njësinë arkeologjike të Universitetit të Cambridge, kohëve të fundit u emërua profesor i asociuar në Institutin e Studimeve të Avancuara në Universitetin e Aarhus në Danimarkë.

Autoritetet greke dhe ato italiane i dhanë atij qasje zyrtare në materialin e konfiskuar arkivor pasi kërkimet e tij akademike janë përqendruar në antikitetet dhe në rrjetet e trafikimit, shkruan Koha Ditore. Gjatë 13 vjetëve ai ka identifikuar rreth 1100 objekte të plaçkitura brenda shtëpive të ankandeve, galerive tregtare dhe koleksioneve private. Duke njoftuar Interpolin dhe autoritetet e tjera të policisë, ai ka luajtur një rol të madh në sigurimin e riatdhesimit të shumë antikave në vendin e tyre të origjinës.

Hulumtimi i tij bazohet në dhjetëra mijëra imazhe dhe në materiale të tjera arkivore të sekuestruara në bastisjet e policisë nga individë të përfshirë në tregti të paligjshme. Ky material përfshin marrëdhëniet e biznesmenit Giac omo Medici, i dënuar në Itali në vitin 2004 për pjesëmarrje në tregti të paligjshme të artefakteve, dhe Gianfranco Becchina, i dënuar në Itali në 2011 për veprime të paligjshme me antikitete.

Në 2005, Symes vuajti një dënim me burgim për mosrespektimin e urdhrave të gjykatës mbi shitjen e një statuje egjiptiane. Gjykatësi e përshkroi shpjegimin e tij si “një mashtrim i llogaritur”. Në vitin 2016, policia italiane dhe ajo zvicerane zbuluan se statuja e mermertë dhe thesare të tjera ishin vjedhur nga Italia. Dyshohet se ishin ruajtur nga Symes në Gjenevë.

Tsirogiannis thotë që “Christie” nuk kishte arritur të bënte kontrolle të duhura me autoritetet greke dhe italiane. “Këtu kemi një proces shumë të reklamuar të kujdesit të duhur të Christie, që ka dështuar kryesisht pasi ajo humbi pjesën më të rëndësishme – lidhjen me Symes dhe Michaelides, tregtarët famëkëqij të antikave të lidhura me raste të shumta të antikiteteve që u tregtuan jashtëligjshëm”, thotë ai.