Kërkohet vendi nderi për Lasgushin në Akademi të Shkencave

Lasgush Poradeci duhet të zerë vendin e tij honorifik në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Ka qenë ky apeli i vajzës së tij Marie Gusho, nga Korça gjatë një konference shkencore kombëtare në mbajtur në nder të 120 vjetorit të lindjes së poetit të madh.

Në konferencën e zhvilluar në universitetit Fan Noli të Korçës kanë qenë të pranishëm akademikë e studiues nga Tirana, Prishtina e Shkupi, anëtarë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Institutit Albanologjik të Prishtinës, Akademisë së Studimeve Albanologjike në Tiranë, përfaqësues të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, si edhe pedagogë e studentë të universitetit të Korçës.

Rektori, prof. dr. Ali Jashari në emër të Universitetit “Fan Noli: i ka dhuruar Marie Gushos një certifikatë mirënjohje për gjithë punën e bërë prej saj për nxjerrjen në dritë të veprës së të madhit Lasgush Poradeci.

Në konferencën kombëtare shkencore janë lexuar një sërë kumtesash mbi veprën e Lasgush Poradecit duke dhënë një panoramë të qartë të vlerave të padiskutueshme të tij si lirik, por edhe jetës e veprimtarisë së tij në tërësi.