Kështjella e Jerinës dhe Shpella e Kusarit

Emrin e cilës Jerinë mori kështjella malore në lartësinë mbidetare 933 metra? Emrin e Jerinës ilire, mbretëreshës së luleve, që i këndoi me aq mall Gjergj Fishta, apo emrin e Jerinës, princeshës shqiptare të bijës së Lekë Dushmanit, në të cilën u dashurua Lekë Zaharia, ndërsa e donte edhe Lekë Dukagjini famëmadh, prandaj dolën në dyluftim.

Nga Gani Mehmetaj

Të vizitosh lokalitetet antike të Komunës së Gjakovës  në këtë fillim pranvere është përjetim e kënaqësi e veçantë. Të bashkëbisedosh me vendësit është orë historie.

Kur i pyet për ndonjë lokalitet parahistorie, antike a të mesjetës jo vetëm nuk ngurojnë të të rrëfejnë legjenda të pafundme, që nga koha e Noas, kur kjo pjesë, sipas tyre u përmbyt, ndërsa barkat lidheshin në zinxhir në cepin e malit, por të bëjnë shoqëri, duke ecur disa orë këmbë gërnjave e kodrave, që të tregojnë të kaluarën e tyre të lavdishme.

Vendësit janë mirënjohës për interesimin tënd, janë të entuziazmuar që po i nxjerrë vendet e tyre nga harresa, por dëshpërohen kur shohin se si po shuhet e kaluara e tyre pa u nxjerr në pah.

Asnjëri nga katundarët,  të ri a të moshuar, nuk të lëshojnë pa një gotë raki shpie që të shijon si eliksir. Vendësit kanë shumë legjenda për katundet e krahinën e tyre.

Mirëpo, zgjon kureshtje të veçantë Kështjella e Jerinës, afër gropave të sapunit, sipëri katundit të Botushës. Katundi e mori emrin sipas botës (dheut) që nxirrej afër. Po emrin e cilës Jerinë mori kështjella malore në lartësinë mbidetare 933 metra?

Emrin e Jerinës iliro që i këndoi me aq mall Gjergj Fishta? Apo emrin e Jerinës, princeshës shqiptare të bijës së Lekë Dushmanit, në të cilën u dashurua Lekë Zaharia, trim, ndërsa e donte edhe Lekë Dukagjini famëmadh. Për princeshën Jerinë, u derdh shumë gjak, bënë dyluftim të egër dy Lekët, ku u plagos rëndë Lekë Dukagjini, ndërsa Jerinën e bukur e mori princi Lekë Zaharia. Në atë betejë për dashurinë e Jerinës së Lekë Dushmanit, Fan Noli shkruan se u vranë 105 burra, ushtarë- truproje të të dy princave. Zaharia nuk e gëzoi të bukurën e dheut, sepse thuhet se Lekë Dukagjini e vrau në pritë afër Lezhës. Princesha shqiptare ia ruajti nderin Lekës së vrarë, u mbyll në manastirin e Sardenjës, ku e ngrysi pjesën tjetër të jetës…

Në katundin Botush, pasi e vizituam Kështjellën e Jerinës, rastësisht takuam intelektualin vendës, emrin e të cilit fatkeqësisht nuk e shënuam, ndërsa na tha se emrin e Jerinës ilire e ka trashëguar e bija e tij, studente e mjekësisë. Më emrin domosdo u trashëgua edhe bukuria.

Arkeologu Haxhi Mehmetaj mendon se Kështjella e Jerinës i takon antikës së vonë, kohës së turbullirave e pasigurisë, kur u riforcua fortifikimi i Ilirisë. Kështjella malore mbanë emrin e mbretëreshës ilire të luleve, ashtu sikurse e mbanë këtë emër edhe Kështjella e Jerinës në komunën e Klinës, afërsisht e së njëjtës kohë.

Shpella e Kusarit, ku ka jetuar njeriu i parahistorisë, i cili la pas vizatime e gravura interesante, e ka kështjellën e vjetër disa minuta po ece këmbë, ndërsa që të dyja këto raritete arkeologjike e natyrore, nuk janë larg rrugës së asfaltuar.

Shpella e Kusarit është pikë turistike për gjakovarët që kur nuk mbahet në mend. Mund të bëhet vendpushim i këndshëm edhe për të gjithë shqiptarët e vizitorët e huaj. Janë tri hyrje natyrore shpellash, ndërsa hyrja e epërme ka pamje impozante me strehimore, ku mund të jetonte e të mbrohej nga armiku një fis i tërë i bashkësisë së parë primitive.

Kështjella e shpellat duhet t’u shpalosen vizitorëve, sepse janë pjesë e trashëgimisë interesante jo vetëm në Rrafshin e Dukagjinit, por në tërë Ilirinë e dikurshme a Shqipërinë e mëvonshme.

Rrënojat e kishave të vjetra e ndërtimeve të vendeve të shenjta, në maje të kodrave a sukave mbizotërojnë shumë katunde. Në arat e priftit, (këtë emërtim e ndeshim aq shpesh në këtë krahinë), dalin themele të vjetra nga parahistoria e antika.

Muret e moçme të fortifikatave malore, janë atraksion që e vlen të hulumtohen, në mënyrë që të shpalohet e kaluara nga parahistoria antike deri në mesjetë.

Plaku 84-vjeçar me emrin Dervish, që erdhi me neve maje kodre, ku kishte rrënoja të antikës, ta thoshte me siguri të pakundërshtueshme se Gjergj Kastrioti është nga Hasi, krahina e tij; se të parët e Lekë Dukagjinit nga kjo krahinë vinin. Pastaj të fliste për Lekën e Filipit (Aleksandrin  e Madh) sikur të ishte fjala për njeriu e katundit fqinj, apo për një kushëri të fesë së moçme, sepse gjysmën e kushërinjve i kishte të fesë katolike në katundin e afërt. Jo vetëm ai, por të gjithë katundarët e komunës së Gjakovës deri në një ta vënë në pah se ata para 200-300 vjetësh katolik ishin, ndërsa ndërruan fe nga zori, ta thonë pa ngurrim, ndryshe nuk i lejonte turku të ktheheshin në tokat e të parëve që i kishin braktisur, kur perandoria otomane ishte në kulm të mizorisë.

Katundet e Gjakovës nga Ura e Fshejt deri në Has e Koshare, nga Dushkaja në Sukë të Cërmjanit e më larg janë të pasura me livadhe, ara e kullota, kanë visore që të mrekullojnë, katundarët janë dashamirës e tejet energjik. Kështjellat, vendbanimet nga parahistoria, antika e mesjeta, nuk janë të rastit, sepse në këtë krahinë të pasur e me ujë të bollshëm është  zhvilluar jetë dinamike nëpër të gjitha periudhat e zhvillimit njerëzor.

Rrënojat e urës së Rogovës, ku vetëm një këmbë e saj që i ka rezistuar kohës ka lartësi pesë metra mbi tokë, thuhet se është ura më e madhe në Gadishullin Ilirik.

Nëpër këtë urë kanë kaluar ushtarë e banorë të një varg kështjellash fushore e malore të periudhave të ndryshme. Nëpër këtë urë është bërë qarkullimi e tregtia me tërë gadishullin. Ura e Tabakëve dhe Ura e Terzive, dy objekte monumentale arkitektonike janë ndërtuar shumë vjet më vonë, megjithatë kanë histori treqindvjeçare.

(Prill, 2017)

ObserverKult

gani mehmetaj
Gani Mehmetaj

Lexo edhe:

“SHPELLA E PLAKËS”, KUSH FUTET BRENDA SAJ KTHEHET NË GUR/ MISTERI QË PO “TERRORIZON” NJË FSHAT TË TËRË NË SHQIPËRI (VIDEO)

Kemi dëgjuar shpesh për gojëdhëna apo legjenda të ndryshme të shpellave në Shqipëri, por në një fshat të bukur të juglindjes ekziston një shpellë e cila ka një legjendë interesante edhe mistershme.

Disa kilometra larg qytetit te bukur të Librazhdit ndodhet një fshat i vogël. Në pamje të parë të jep përshtypjen e një vendi të lënë pas dorë, shtëpi të vjetra, njerëz bujar. Por pikërisht në këtë fshat ndodhet një shpellë e vjetër, misterioze edhe shumë interesante.

Tekstin e plotund ta lexoni KËTU:

ObserverKult