Zhdukje të pashpjegueshme, dorëshkrime të çuditshme dhe qytetarë të vdekur pa një shkak të njohur: këto janë disa nga misteret që kanë përfaqësuar në shekuj pika kyçe të trillimeve të letërsisë artistike.
Të njëjtët kanë përfaqësuar edhe pika thelbësore në jetën e disa autorëve të tjerë, të mbushur me mistere të pashpjegueshme dhe krejt të parëndësishme. Zakonisht, kur lexojmë një libër misterioz ose shikojmë një spektakël të frikshëm, mund të hamendësojmë njëlloj përfundimi që është i zakonshëm për shumicën e rasteve, edhe nëse përfundimi nuk është gjithmonë i kënaqshëm. Mirëpo, në jetën reale duhet të pranojmë se disa mistere thjesht do të mbeten gjithmonë të tilla.
Çfarë shkruhet në dorëshkrimin Voynich?
Libri është në qarkullim që prej fillimit të shekullit 15 dhe ende nuk dimë se çfarë shkruan dhe madje në cilën gjuhë është shkruar. Wilfrid Voynich e bleu librin në vitin 1912 dhe që atëherë është studiuar nga kriptografët me vite. Shkrimi është nga e majta në të djathtë dhe libri është plot me ilustrime të emërtuar me shumë kujdes të bimëve, grave, kështjellave, dragonjve e kështu me radhë, mirëpo alfabeti i përdorur është plotësisht i panjohur. Disa kanë teorizuar se libri është plot me njohuri sekrete mbi mjekësinë dhe të shkencës me bazë bimore, shkruar me kode për të shmangur akuzat mbi magjinë. Teori të tjera variojnë nga magjia tek alienët për të kaluar tek udhëtarët në kohë, ka gjasa të mos e mësojmë kurrë të vërtetën.
Kush e vrau Edgar Alan Poenë?
Gjatë gjithë jetës së tij autori ka shkruar shumë histori rrëqethëse, por historia më alarmuese nga të gjitha lidhet me vdekjen e tij: Poe u largua nga Riçmondi, Virxhinia, për në Filadelfia për të redaktuar një koleksion poezish. Një javë më vonë, ai u gjet në rrugë në Baltimorë, në jerm dhe i veshur me rrobat e dikujt tjetër. Me sa duket, nuk arriti kurrë në Filadelfia dhe askush nuk e di se ku e kaloi atë javë vdekjeprurëse. E dërguan te mjeku në Baltimore, por tashmë ishte tepër vonë, Poe nuk erdhi më në vete dhe vdiq katër ditë më vonë, ende i përçartur dhe i mbërthyer nga halucinacionet, duke bërtitur emrin e Reynolds dhe arsyeja ende nuk dihet.
Ku është komedia e zhdukur e Shekspirit?
Kemi të paktën një komedi të Shekspirit, që mund ta quajmë të humbur. Ka pasur deklarata të ndryshme nga njerëz që kanë gjetur skenarin e “Cardenio” të Uilliam Shekspirit ndër vite, por asnjë prej tyre nuk mund të deklarohet përfundimisht si i mirëfilltë. Dimë se një botues, në vitin 1653, kishte të drejtat e “Historia e Cardenio, i Z, Fletcher&Shakespeare” dhe se kompania e Shekspirit ishte paguar për të interpretuar në diçka të quajtur “Cardenna” dhe “Cardenno”. Krijimi padyshim ka ekzistuar dhe ishte pothuajse e sigurt një përshtatje e “Don Kishotit” të Servantesit, por për sa i përket skenarit të vërtetë, thjesht mund të ketë humbur në kohë.
Përse u zhduk Agata Kristi për njëmbëdhjetë ditë?
Një herë, Agata Kristi u zhduk për njëmbëdhjetë ditë. Nuk është çudi, që këta autorë të veçantë janë aq të mirë, sa janë edhe misteriozë. Të premten më 3 dhjetor 1926, Agata Kristi hyri në makinë dhe u nis natën. Zhdukja e saj nxiti një sërë kërkimesh nga zyrtarë dhe autorë të tjerë, përfshirë Sir Arthur Conan Doyle dhe Dorothy L. Sayers. Makina e saj u gjend e braktisur, por ende nuk kishte asnjë gjurmë të Kristit dhe as përplasje. Më pas, 11 ditë pas zhdukjes së saj, Kristi u shfaq përsëri në një hotel luksoz në qytetin Harrogate, duke pohuar se nuk mbante mend asgjë për zhdukjen e saj. Siç duket, ajo kishte hyrë në hotel me identitetin e Theresa Neele, që ishte emri i dashnores së burrit të saj. Kristi iu kthye jetës normale, por nuk i kujtoi kurrë ato njëmbëdhjetë ditë (ose të paktën nuk i zuri kurrë në gojë).
Kush e shkroi Beowulf?
Një nga poemat epike më të famshme në historinë e letërsisë është shkruar nga një… anonim. Në të vërtetë, askush nuk e di kush e ka shkruar “Beowulf”. Ishte një autor? Bëhej fjalë për grup autorësh? Ishte një përpjekje për të rishkruar historinë anglosaksone, duke i bashkëngjitur një grup mostrash apo një histori kryekëput e sajuar? Ka të ngjarë që kushdo që e shkroi poemën, të jetë mbështetur në traditën gojore, sikurse ka të ngjarë që e shkroi të rikthente medoemos mitet e lashta pagane, duke i dhënë asaj një konotacion të krishterë. Dorëshkrimi më i vjetër ekzistues daton në vitet 1000, kështu që është e pamundur të mësojmë se kush ishte ky autor misterioz, ose pse zgjodhën poemën më të gjatë pasi ishte shkruar në anglishte të vjetër./Konica.al
LEXO EDHE: