Khaled Hossein, ai që me veprën e tij i shpërtheu kufijtë e gjuhës së vet

Zija Vukaj: fuqia e artit dhe fjalës
Khaled Hosseini, American writer, Torino-Turin, Italy, 14th October 2013. (Photo by Leonardo Cendamo/Getty Images)

Nga Zija Vukaj

FUQIA E ARTIT TË FJALËS

Kur një vepër letrare është e mirë, i shpërthen kufijtë e gjuhës së vet dhe ndërkombëtarizohet, duke u kombëtarizuar në gjuhët dhe kulturat e popujve të ndryshëm, edhe “po nuk deshi autori”. Është rasti kur vepra bëhet pronë e të gjitha kulturave, madje edhe pothuajse e të gjitha arteve. Ka plot raste të tilla veprash e autorësh që nga lashtësia e sot. Një ndër këto raste është edhe autori Khaled Hossein, një artist që vjen nga një kulturë në dukje periferike, e paragjykuar, dhe gati e urryer përkarshi botës perëndimore. Një kulturë që ekziston në kilometrin zero të luftës së qytetërimeve. Libri i tij i parë “Gjuetari i balonave”, pas përkthimit nga anglishtja, u shit vetëm në Itali me më shumë se një milion kopje. Ky fakt të bën të mendosh për fuqinë e madhe që ka arti i fjalës, letërsia dhe shërbimi që një shkrimtar i bën kombit të vet. Natyrisht që shërbim i bën atdheut dhe kombit edhe një piktor, muzikant, skulptor, aktor, arkitekt, sportist, këngëtar etj., etj., që shkakton përmendjen e vendit të vet në arenën ndërkombëtare, ngritjen e flamurit në një kompeticion, duke u bërë, siç u pëlqen ta quajnë disa, ambasador kulturor i atdheut nëpër botë. Të gjithë bashkë dhe secili veç e veç janë pjesa më e çmuar e një kombi.

Megjithatë gjenia e një shkrimtari është më e çmuara, pasi ka në dispozicion mjete kaq të shumta sa nuk i ka asnjë fushë tjetër. Konkretisht, po të marrim në shqyrtim vetëm dy vepra të Hossein- it, “Gjuetari i balonave” dhe “Një mijë diej vezullues”, do të mund të kuptojmë se ky shkrimtar është më i rëndësishëm se dhjetëra kabinete qeveritare, dhjetëra kryeministra, dhjetëra ambasadorë, qindra ministra të jashtëm e të brendshëm e atashe kulturorë, patriotë, tempuj, hoxhallarë, imamë, klerikë të ndryshëm, kryetarë sektesh e partish të amalgamës kulturore që përbëjnë strukturën e ndërlikuar të botës afgane në shekuj. Edhe duke qenë një vend me sipërfaqe dhe popullsi të madhe, Afganistani ka qenë në periferi të vëmendjes kulturore të njerëzve që popullojnë planetin. Informacionet për këtë vend kanë qenë, në mos telegrafike e të manipuluara, jashtë vëmendjes së njerëzve.

Shumica e njerëzve e kanë parë me mospërfillje dhe të çinteresuar historinë dhe kulturën e këtij vendi. Dhe kjo është krejt e kuptueshme dhe e justifikuar: jeta e njeriut është e shkurtër, kurse moria e kombeve dhe e shteteve është e pafund, aq sa individit nuk i mjafton koha për t’i njohur, edhe po të kishte 3 jetë dhe pasion të zjarrtë popujt dhe kulturat e botës. Kësisoj, është e vështirë edhe të drejtohet vëmendja ndaj historisë, zakoneve, strukturës sociale, dramave, etnogjenezës, etnocentrizmit të një kombi. Dhe patjetër duhet një shkak për ta drejtuar fokusin ndaj një pjese të planetit. Shkaku është letërsia, libri, gjenialiteti i artit të fjalës që ngre disa flamuj njëherësh në kompeticionin kulturor të artit e të qytetërimeve botërore: ngre flamurin e letërsisë, flamurin e historisë, flamurin e shpirtit etnik, flamurin e luftës për ekzistencë të një kombi, flamurin e kulturës shpirtërore, fetare, zakonore, gjeografike, flamurin e miteve, riteve, legjendave, kulturës së lashtë e të re, flamurin e dinamikave të zhvillimit të një populli në udhëtimin e vështirë përmes konflagracioneve të vazhdueshme dhe që ndodhet prore në mes të syrit të ciklonit të historisë së vjetër e të re, pa gjetur kurrë prehje, me gjithë vitalitetin e natyrshëm të një kombi që e do jetën si çdo komb tjetër, që e prodhon jetën si feniksi, nga hiri i shkatërrimeve të pamëshirshme që i ka ofruar fati. Asnjë art a entitet nuk i ngre gjithë këta flamuj përveç letërsisë. Por ky art, me kusht që të jetë në dorën e një shkrimtari gjenial si Khaled Hossein.

Letërsia e tij nuk është arti për art (një alternativë krejt e pranueshme); arti i Hosseinit është qëllimor, është human, është inspirim etnik; dhe njëkohësisht kozmopolit, i tejkohshëm e mbi të gjitha në lartësi të rralla estetike. Por krahas niveleve estetike, ai është një provokim i rëndë ndaj normave çnjerëzore të një bote që ka nevojë urgjente për bisturinë e një kirurgu të përbotshëm; është një tërmet ndaj botës talebane, ndaj ngrehinës kriminale të një shoqërie të mbështetur mbi urrejtjen ndaj gruas, dhunimit të gjysmës më të çmuar të shoqërisë. Ky autor ia ka paraqitur botës në mënyrën më të plotë, të gjallë, konkrete, tronditëse gjenocidin femëror të shoqërisë afgane, gjenocid që përmban qindra tragjedi, të rënda edhe për t’u lexuar. Falë librave të këtij autori, që në virtyt të vlerave që sjell është rekord botëror shitjeje, është një pasqyrë e pashembullt dhe një shembull i rrallë që i tregon gjithkujt se kur duhet të merret pena për të shkruar.

ObserverKult

Lexo edhe:

ZIJA VUKAJ: SHKRIMTARËT E HUMORIT QAJNË MË SHUMË SE TË TJERËT