Khalil Gibran: Dija dhe gjysmë dija

Khalil Gibran

Dija dhe gjysmë dija, nga Gibran Khalil Gibran

Katër bretkosa qëndronin ulur mbi një cung druri që pluskonte në bregun e lumit të madh. Në një çast, një erë e fortë e rrëmbeu cungun dhe e shtyu drejt e në mes të lumit vërshues. Katër bretokosat kërcyen nga gëzimi dhe hareja që u fali kjo xhiro e këndshme dhe e papritur mbi ujin e lumit. Asnjëherë nuk kishin notuar kaq larg bregut.

Pas disa çastesh, bretkosa e parë tha:”Ah çfarë cungu i çuditshëm dhe interesant mikeshat e mia! E shihni si po ecën cungu mbi ujë, si gjithë gjallesat e tjera? Për Zotin kurrë s’kisha dëgjuar diçka të tillë.”

Bretkosa e dytë iu përgjigj dhe i tha:”Moj mike, nuk po ecën cungu, ai nuk lëviz fare, madje as nuk është interesant dhe i çuditshëm, siç e përshkrove ti. Janë ujërat vërshues të lumit, të cilët kanë si destinacion përfundimtar detin, ato që e shtyjnë dhe mbajnë cungun, e bashkë me të, na mbajnë dhe ne të katra.”

Bretkosa e tretë tha: ”Për nder, jeni gabim të dyja, sepse as cungu nuk lëviz dhe as ujërat e lumit. E vërteta është që gjëja e vetme që lëviz është mendimi jonë, është pikërisht ky mendim ai që na bën të besojmë lëvizjen e trupave të ngurtë.”

Të tre brektosat debatuan fort rreth forcave lëvizëse, diskutimet ishin të zjarrta dhe të shoqëruara me ulërima e britma, e megjithatë, në fund, nuk i vunë karar debatit.
Në një moment, të tre brektosat iu kthyen mikes së tyre të katërt, e cila deri atëherë kishte qëndruar e heshtur, duke dëgjuar pikëpamjet e secilës nga tre mikeshat debatuese.

Ato e pyetën për mendimin e saj dhe ajo u përgjigj me fjalët: ”Në fakt, besoj se të treja ju keni të drejtë mikeshat e mia dhe asnjëra prej jush nuk është gabim. Forca lëvizëse gjendet edhe tek cungu, edhe tek uji i lumit edhe në mendimin tonë.”
Tre bretkosat rrudhën buzët nga kjo përgjigje, sepse secila prej tyre besonte se ia ka qëlluar, ndërkohë që dy të tjerat ishin në humbje të qartë.

Por, më e çuditshmja ndodhi më pas! Tre bretkosat u paqtuan pas atij debate të nxehtë, u radhitën në një rresht të vetëm dhe e hodhën bretkosën e katërt nga cungu në ujërat e lumit.

Përktheu: Elmaz Fida

ObserverKult


Lexo edhe:

GIBRAN: JENI DUKE QARË PËR TË NJËJTËN GJË QË DIKUR KISHIT QESHUR…