Khalil Gibran: Jeta pa dashuri është si një pemë pa lule ose pa fruta…

gruaja ime dashuria nga khalil gibran

Me të rënë nata dhe pasi përgjumja kishte hedhur mantelin e vet mbi tokë, braktisa shtratin dhe u nisa drejt detit duke thënë me vete: ”Deti nuk fle dhe kjo është ngushëllim për një shpirt që nuk fle.”

Mbërrita në bregdet; Mjegulla kishte zbritur nga majat e maleve, duke i mbuluar ultësirat me vellon e vet gri, njëlloj siç mbulon perçja e hirtë fytyrën bukuroshe të një vajze. Po kundroja ushtritë e tallazeve plotë brohoritje, duke medituar për forcën e tyre të përjetshme, atë forcë që rend bashkë me stuhitë, që shpërthen bashkë me vullkanet, që buzëqesh në trëndafila dhe këndon përrenjve.

Pas një farë kohe u ktheva nga mali dhe pikasa tre fantazma të ulura mbi një shkëmb aty pranë. Retë e mjergullës herë i mbulonin dhe herë i zbulonin. Nisa të çapit drejt tyre, sikur të më tërhiqte diçka forcërisht.

Me t’u afruar disa hapa larg tyre, ndalova dhe fillova t’i kundroj, sikur ai vend të ishte nën efektin e një magjie, e cila e kishte zhbërë vullnetin tim dhe kishte zgjuar imagjinatën e shpirtit tim.

Në atë çast, njëra nga fantazmat, me një zë që dukej sikur vjen nga thellësia e detit tha: “Jeta pa dashuri është si një pemë pa lule ose pa fruta; Dashuria pa bukuri është si një lule pa aromë, pa fruta dhe pa fara.

Jeta, dashuria dhe bukuria, të trija këto, në vetvete janë të pavarura dhe absolute, duke mos pranuar ndryshimin dhe ndarjen.” Pasi i tha këto fjalë, fantazma u ulë në vendin e saj.

Fantazma e dytë u ngrit dhe me zë të ngjashëm me zhaurimën e ujit të bollshëm tha: ”Jeta pa rebelim është si stinët pa pranverën dhe rebelimi pa të drejtë është si pranvera në shkretëtirën e thatë dhe të djerrë. Jeta, rebelimi dhe e vërtetë, të trija, në vetvete janë të pavarura dhe absolute, duke mos pranuar ndryshimin dhe ndarjen.”

Ishte radha e fantazmës së tretë, e cila me një zë të ngjashëm me bubullimën tha: “Jeta pa lirinë është si një trup pa shpirt, kurse liria pa mendim është si një shpirt zhurmues…Jeta, liria dhe mendimi, të treja, në vetvete janë të përjetshme, nuk zhbëhen dhe nuk tkurren.”

Mandej, të tri fantazmat brofën në këmbë dhe me një zë të kumbueshëm thanë njëzëri: ”Dashuria dhe ç’vjen pas saj, rebelimi dhe çfarë shkakton, liria dhe çfarë prodhon, janë forma të shprehjes së Zotit, kurse vetë Zoti është ndërgjegja e botës së arsyeshme.”

Pllakosi një heshtje, e cila u shoqërua me shushurimë flatrash të padukshme dhe drithje trupash eterikë. Sakaq, unë mbylla sytë dhe shijoja jehonën e tre thënieve që sapo kisha dëgjuar.

Kur i hapa sërish sytë, nuk vura re gjë tjetër përveç detit të mbuluar me mjegull. U afrova tek shkëmbi ku kishin qëndruar  tre fantazmat dhe nuk pashë gjë tjetër përveçse një tis temjani që ngrihej drejt qiellit.

(Përktheu nga arabishtja: Elmaz Fida)

*Titulli i origjinalit: “Ëndrra”

ObserverKult


gruaja ime dashuria nga khalil gibran

Lexo edhe:

KHALIL GIBRAN: SI TA NJIHNI MENDJEN DHE ZEMRËN E NJË NJERIU?

ObserverKult ua sjell disa thënie nga autorë të ndryshëm:

Nëse nisesh të përshkosh shumë rrugë, nuk do të bësh asnjë./Paulo Coelho

Dashuria është vetëm një dobësi, nëse nuk gërshetohet me ambicie./ William Congreve

Krijimi i diçkaje që akoma nuk ekziston duhet të jetë ambicia e të gjithë atyre që janë gjallë. /Paulo Freire

Caktoni vetes qëllime të larta dhe mos ndaloni derisa t’i arrini./Bo Jackson

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult