Kim Mehmeti sjell ato emra e histori që duhen ruajtur…

kim mehmeti
Kim Mehmeti

Nga Agim Baçi

Libri “Shkupi” i Kim Mehmetit nuk tenton aspak të krahasojë qytetin me shtatë mrekullitë e botës as me shtatë shpirtra mbijetese, edhe pse mrekullia dhe mbijetesa janë aty përdore.

I ndarë në 8 kapituj përshkrimet kalojnë nga një rindërtim i portretit të kohës që ka një qytet, në kapitullin pasues të banorëve që vijnë e shkojnë, si për të treguar se qyteti shpesh është një shtrat i përhershëm lumi, që e dërgon rrjedhën në detin e dashurisë dhe vdekjes “me të njëjtën rrjedhë dhe furi”.

Kim Mehmeti duket se na merr për dore të na rrëfejë mbishkrimet mbi tokë, duke na ndalur më pas në mënyrën se si religjionet janë streha e ngrohtë e shpirtit të një qyteti.

Por Kim Mehmeti sjell ato emra e histori si portretet e gdhendura në gur, që duhen ruajtur, ashtu siç nuk ngurron aspak të përmendë edhe ata që për të gjithë njihen në përditshmëritë tona si “zorraxhinjtë”.

Gjithçka në këtë portret mbi qytetin përfundon te një epilog shumë i rëndësishëm- Një thirrje për të sotmen që duhet të ndërmendë të kaluarën, që është edhe kapitulli i tetë, që përmbyll librin. Është një përmbyllje krejt ndryshe, pasi më shumë se sa fund i prezantimit qytetit, është dera nga ku duhet të nisësh një udhëtim të ri për ta rimenduar sërish e sërish.

Kalaja dhe Ura e Gurit, si dy dëshmitarë, të kohës së Justinianit, apo edhe më parë, janë ajo kokëfortësia e historisë që nuk shuhet dot, ndërkohë që legjenda e gruas që e thërrasin lotët e saj teksa kërkon këpucën në ujë 30 vite më pas, apo historia e një tuneli të nëndheshëm të djalit që gjen rrugën për të takuar të dashurën deri sa prindërit e saj të zbuten, nuk janë veçse historia e qytetit që edhe pse jo çdokush mund ta dijë me emër, sërish mund ta besojë se këto tunele apo ato lotë janë ato rrugë shpirtërore qe e mundin atë që ne nuk themi dot me fjalë.

Gazi Baba, Serava apo Dizhoni nuk janë veç emra. Aty ka ngjarje, ka histori. Ashtu siç Kim Mehmeti jep edhe atë strukjen e shqiptarizmës brenda Çarshisë, ku gjendet gjithçka brenda pak metrave, ku duket se edhe qielli është i rrethuar, ndërkojë që maqedonasit në lagjet e tyre i kanë të ndara gjithçka që u duhet.

Por për të parë më qartë ndryshimin dëshmon aq fort Ura e Gurit, e cila nuk ndan më dy brigje, por dy botë që kërkojnë të largohen e të largohen.

Të shqiptarosh, sipas Kim Mehmetit, në një botë përballë tjetrit ndryshe nga ti, bëhet një sfidë. Dhe ai nuk e fsheh kurresi sfidën e asaj çfarë i duhet një shqiptari të Shkupit, por as nuk ka kohë të kalojë nëpër rrugë me emrin Humbje apo Smbrapsje. Ai është i bindur se kjo betejë do të vijojë pasi njeriu do të dojë gjithnjë ta dijë udhën që ka bërë emri i tij, gjuha e tij, të parët e tij.

Deshqiptarizimi që është kërkuar me largime, me detyrimin për të lënë shtëpitë, për të mos mësuar gjuhën e të parëve, ka përfunduar gjithnjë në përroin e pamundësisë për të qenë realitet, megjithëse në dy anët e Urës së Gurit flenë dëshira kaq të kundërta, kaq të largëta, sa duket sikur ura fillon nga dy botë e jo nga dy brigje.

ObserverKult


Lexo edhe:


KIM MEHMETI: KUR ISHA I RI NGUTESHA T’I BOTOJ EDHE LIBRAT QË ENDE NUK I KISHA SHKRUAR…