Faza e tretë e masave lehtësuese lidhur me parandalimin e shpërndarjes së koronavirusit ia riktheu gjallërinë sheshit të kryeqytetit.
Por ndryshe nga gastronomia e qendrat tregtare që u hapën sot, teatrot dhe kinematë do të vazhdojnë të mbeten të mbyllura për publikun.
Kjo pasi që Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka vlerësuar se hapja e këtyre institucioneve kulturore në këtë fazë paraqet rrezik, raporton ‘Koha’.
Kinemaja “Armata” i ka bërë të gjitha përgatitjet që nga sot të fillojë me program të rregullt. Alush Gashi, i cili udhëheq me këtë institucion kulturor, thotë se është befasuar nga ky vendim.
Edhe Teatri Kombëtar i Kosovës ishte bërë gati që të fillonte punën me repertor të rregullt.
Shfaqja “Zgjimi i Pranverës”, e paraparë të jepej premierë në mars të këtij viti, u është kthyer provave pas disa muajve shkëputjeje.
Regjisorja Zana Hoxha e cilëson të palogjikshëm vendimin për moshapjen e teatrove në këtë fazë.
Udhëheqësit e këtyre institucioneve shpresojnë që së shpejti të merret një vendim tjetër lidhur me hapjen e kinemave e teatrove.
Shfaqja “Zgjimi i pranverës” planifikohet të jetë premiera e parë e këtij viti e Teatrit Kombëtar të Kosovës, më 12 qershor.