Kinematografët ballkanikë përballin të kaluarën me të tashmen në “DokuFest”

Për dikë shtëpia mund të jetë hapësira ku jeton tani dhe për dikë tjetër një hapësirë nga e cila është larguar kohë më parë. Po kështu, për një të tretë shtëpia mund të asociojë me një vend që nuk e ka shkelur e parë kurrë, por për të cilin ka dëgjuar nëpër përrallat dhe tregimet që i janë treguar si fëmijë.

E bash kjo e fundit vlen për regjisoren Jelena Maksimoviq. I tillë vjen filmi i saj “Homeland”, me të cilin i ka hyrë garës së Ballkanit në edicionin e sivjetmë të “DokuFestit”. Në këtë garë janë edhe nëntë filma të tjerë, në mesin e të cilëve edhe “Invisible to the Eye” i regjisores turke Zeynep Dadak, që shpërfaq Stambollin në dy periudha të ndryshme. “Është një simfoni për qytetin”, e përshkruan shkurtazi regjisorja. Në anën tjetër, regjisorja Marija Stojniq përmes “Speak so I Can See You” nuk ofron vetëm një film për Radion e Beogradit, por një homazh, një letër dashurie a një eksplorim brenda “thesarit”, siç e quan ajo radiostacionin e vlerësuar ndër më vjetrit në Evropë, transmeton ‘koha.net’.

Regjisorja nga Beogradi, Jelena Maksimovic, ua ka dedikuar filmin e saj “Homeland” (2020) gjyshes së saj dhe të gjitha grave të fuqishme që rezistuan dhe luftuan për diçka. Maksimovic qëkur kishte shkelur për herë të parë në fshatin ku kishte lindur gjyshja e saj, në veri të Greqisë, dhe kishte parë strukturat e dëmtuara të shtëpisë, kishte filluar që të mendonte sesi është të detyroheshe që të largoheshe nga shtëpia dhe të fillosh një jetë të re në një vend komplet ndryshe.

“Sfida më e madhe për mua dhe ekipin tim ishte si të implementoja të gjitha elementet e parashkruara me ato që gjetëm gjatë xhirimeve në një film, që akoma ua jep ndjesinë e një eksplorimi brenda një hapësire të re, njerëzve dhe peizazheve”, ka thënë regjisorja për ‘Kohën’. Ka treguar se ajo kishte eksperimentuar me mënyra të ndryshme për të krijuar një narrativë që korrespondonte me idetë e gjetjes së rrënjëve të dikujt në një kontekst të ri, në mënyrë që së paku të jepte ndjenjën se si është të jetosh në një fshat ku kanë jetuar paraardhësit.