Në Balldren të Lezhës po punohet për të kthyer në qendër të vizitueshme një nga kishat më të vjetra në veri të Shqipërisë. Dom Nikë Ukgjini, i cili pak vite më parë shndërroi në kompleks muzeal kishën e Ndre Mjedës në fshatin Kukël, tregon se Kisha e Shën Premtes në Balldre është shpallur Monument Kulture që në vitin 1981, por për shkak të mungesës së kujdesit, vitet e fundit ajo po shkonte drejt shkatërrimit duke rrezikuar një nga objektet e rralla të krishtera që i përket shekujve XII-XIII.
“Pas vitit 2017 dhe në vazhdim i gjithë objekti ka mbetur në harresë, kështu që faktikisht ishte i kërcënuar nga shkatërrimi i afreskeve brenda në pjesën e absidës. Çatia ishte dobësuar, pa dyer dhe pa dritare dhe çdo gjë i ishte nënshtruar një shkatërrimi të mjerueshëm. Dhe kjo më nxiti të konsultohem me disa donatorë, me disa miq të mi, dhe të fillojmë të bëjmë të mundur shpëtimin e këtij objekti, që ka një vlerë të rrallë për kulturën shqiptare”, thotë studiuesi Dom Nikë Ukgjini.
Specialistët po punojnë për zhveshjen e mureve anësore të kishës për të nxjerrë në pah gjurmët e mbetura të afreskeve, për t’i restauruar dhe konservuar ato, me synim për ta bërë të vizitueshëm këtë monument të rëndësishëm.
Restauratori Zamir Marika, që po punon prej tre muajsh në brendësi të kishës së Shën Premtes, thotë se ajo që ka befasuar studiuesit e artit është zbulimi i pikturave murale në brendësi të kishës, piktura që dëshmojnë për hershmërinë e artit kishtar në Shqipëri.
“Për nga vlera hyjnë ndër pikturat e rralla të kishave katolike në territorin shqiptar, ku ndërthuren elementë stilistikë të gotikut perëndimor me atë romano-gotiko-bizantin. Faza e parë janë mbetje të pikturës të fundit të shekullit XII dhe fillimit të shekullit XIII. Akoma nuk është studiuar për të dhënë një mendim përfundimtar për këtë. Është një pikturë e stilit të gotikut perëndimor. Faza e dytë dhe e tretë i përket një stili romano-gotiko-bizantin”, thotë Marika.
Studiuesi Ukgjini thotë se rreth 70 kisha të vjetra në veri të Shqipërisë u shkatërruan ose u dëmtuan gjatë periudhës osmane dhe periudhës së komunizmit dhe se nga shkatërrimi kanë shpëtuar si struktura të plota vetëm tre kisha të vjetra; ajo e Balldrenit, e Rubikut dhe kisha në Pllanë.
“Pas përfundimit të restaurimit të këtij objekti, shpresojmë që në fillim të nëntorit të bëhet përurimi i të gjithë këtyre punimeve kolosale, të bëhet diçka edhe për kishën në Pllanë. Projektet janë të bame prej Ministrisë së Kulturës, por aq kanë ba për arsye të kushteve financiare. Dhe detyrohet kisha që t’i marrë këto objekte dhe ti ketë nën kontroll dhe të investojë, aq sa është e mundur, që të shpëtohet kjo kulturë mijëravjeçare”, thotë Ukgjini.
Studiuesi Ukgjini apelon për një vëmendje më të madhe nga institucionet përgjegjëse të shtetit shqiptar dhe veçanërisht nga Monumentet e Kulturës, të cilat janë përgjegjëse të drejtpërdrejta për mbrojtjen dhe restaurimin e monumenteve që dëshmojnë trashëgiminë e popullit shqiptar.
Zëri i Amerikës