Kisha e Shën Gjergjit në Berat, objekti ku kanë lënë gjurmë ndryshimet historike

Në kishën e Shën Gjergjit në Berat vijon puna për kthimin e saj në identitet.

Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, në kuadër të muajit të Trashëgimisë Kulturore solli në vëmendje punën që po bëhet në këtë monument kulture të ndërtuar në shekullin XVIII në Berat.

“Kisha e Shën Gjergjit në Berat, një objekt i veçantë, ku kanë lënë gjurmë ndryshimet historike”, – tha Margariti.

Kjo kishë, në vitet ’80, u transformua në një rezidencë dhe pikë turistike qeveritare. Dhe si rrjedhojë u shemb pjesa e sipërme e kishës, për të ndërtuar një imitim të shtëpisë karakteristike beratase.

Nga gjurmët që ruhen ende sot, duken muret origjinalë në katin përdhe. Ku janë përdorur brezat e tullës së kombinuar me gurë.

Kisha e Shën Gjergjit ndodhet në anën juglindore të kalasë së Beratit dhe aktualisht ruan shumë pak nga ndërtimi i saj origjinal i shek. XVIII.

Një nga dëshmitë e para që kemi lidhur me arkitekturën e mëparshme të saj, është një imazh fotografik bardhezi nga agjencia LUCE gjatë viteve ‘40 të shekullit të kaluar. Në të duket se bëhet fjalë për një kishë tipmanastir, të rrethuar me mure prej guri dhe hyrje kryesore nga perëndimi.

Një element arkitektonik me rëndësi ishte prezenca e këmbanores me dy vendosje këmbanash në anën perëndimore të monumentit. Kisha, duke iu përshtatur terrenit shquhej për lartësinë dhe madhësinë e saj. Planimetria ishte drejtkëndore dhe në anën perëndimore ndodhej edhe një portik me kolonadë prej guri. Kisha e Shën Gjergjit është pjesë e monumenteve të tjerë të kulturës në Berat me vlera për trashëgiminë tonë kulturore./ATSH

LEXO EDHE: Lezhë, varret e fshatit mbi rrënojat e kishave të shpallura monument kulture

Varrezat e reja, ndërtuar mbi rrënojat e kishave të vjetra janë kthyer në pengesë për punimet restauruese në objektet historike. Dom Nik Ukgjini tregon se nuk mund të ndërtohet obelisku për Kuvendin e Arbrit në Merqi të Lezhës. Pa u transferuar varreza publike. Ai kërkon zgjidhje ligjore për këtë problematikë…