Kisha e Manastirit të Shën Kollit (Mesopotam) në jug të vendit, monument kulture i kategorisë së parë pas restaurimit të plotë dhe konsolidimit të kambanares është një ndër destinacionet që nuk duhet humbur pa u vizituar.
Kryeministri Edi Rama uroi sot mirëmëngjes me pamje nga kjo kishë, duke ftuar turistët ta vizitojnë atë.
“Mirëmëngjes dhe me sugjerimin miqësor për të gjithë ata që zbresin në Jug, për të mos e humbur këtë perlë të Trashëgimisë sonë Kulturore, pasi e shpëtuam nga rrënimi dhe e kthyem në një tjetër destinacion tërheqës për turistët e për eksploratorët e thesareve të Shqipërisë, ju uroj një të diel të mbarë”, thekson Rama.
Kjo kishë konsiderohet si një nga monumentet e rralla të Jugut të Shqipërisë, ku mbivendosen kultura dhe historia, ku simbolet e gdhendura mureve, janë një arsye më shumë për të vizituar Manastirin e Mesopotamit në rrethin e Sarandës, fare pranë qytetin antik të Finiqit.
Restaurimet në muraturë, në çati, konsolidimi i rrënojave të konakëve, në ambientet e brendshme, rinovimi i rrjetit të ndriçimit i kanë nxjerrë në dritë arkitekturën unikale që kjo kishë mbart.
Kisha është ndër më të mëdhatë dhe më të vjetrat e periudhës bizantine që ruan vlera origjinale dhe që mendohet të jetë ndërtuar në kohën e perandorit bizantin Kostandin IX Monomaku.
Nga manastiri ruhen rrënojat e mureve rrethues që kapin një sipërfaqe rreth 100 m² dhe kontrollohen nga 9 kulla drejtkëndëshe. Muret rrethues janë më të hershëm sesa kisha. Dhomat e manastirit janë të ndërtuara më vonë. Kjo është një ndër kishat më të mëdha dhe më të vjetra të periudhës bizantine që ruan vlera origjinale.
Dallohet për zbukurimet dhe mozaikët me motive floreale e zoomorfe, gjithashtu dhe për dekoret e punuara me tulla në muraturën e jashtme si dhe në harqet e dritareve dhe hyrjeve. Basorelievet e rivendosura ne muret e kishës në forma të ndryshme ku përmendim një shqiponjë, dy dragonj dhe një luan në njërën anë ndërsa në anën tjetër ndodhen figura mitologjike.
Kisha përbehet nga salla e madhe e lutjeve dhe nga dy ambiente me te vogla. Motivi qendror në mozaikun e sallës paraqet një dragua me krahë hapur. Kisha ka pasur dy rindërtime në vitet 1793 dhe 1845./atsh