Pas restaurimit të çatisë së kishës së Shën Mërisë në ishullin e Maligradit në Prespë vijon puna për ruajtjen e vlerave të këtij monumenti.
Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, Administrata e Zonave të Mbrojtura Korçë e mbështetur nga organizata për mbrojtjen e mjedisit “Transboundary Biosphere Prespa” në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Korçë dhe European Heritage Volunteers po punojnë për ruajtjen e këtij guri të çmuar të Prespës.
Kjo kishë është një atraksion turistik i rëndësishëm jo vetëm për parkun Kombëtar të Prespës, por për mbarë rajonin dhe Shqipërinë.
Kisha e Shën Mërisë ndodhet në liqenin e Prespës në ishullin e Maligradit. Kisha e Shën Mërisë e shekullit XIV është një nga monumentet më me vlerë të trashëgimisë kulturore.
Në këtë ishull janë gjetur edhe objekte si tjegulla, kollona e kapitele që i përkasin sipas arkeologëve një kishe paleokristiane që mendohet të ketë qenë në pjesën e sipërme të liqenit, transmeton ‘ATSH’.
Sipër këtij ishulli ndodhen edhe rrënojat e vilës verore të Car Simeonit të shekullit XI. Kisha e Shën Mërisë është një themelim i vjetër dhe ka shërbyer si qendër shpirtërore për prijësat shqiptarë.
Mbishkrimet që gjenden në këtë kishë i përkasin periudhave të ndryshme të lidhura me historinë e këtij monumenti. Një mbishkrim në faqen jugore, më i hershmi në këtë kishë i përket vitit 1345 dhe fazës së parë të zbukurimit të kësaj kishe me afreske.