Kisha e Shën Mërisë, xhevahir i trashëgimisë kulturore

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, vizitoi kishën e Shën Mërisë të Peshkëpisë së Sipërme në Dropull, një xhevahir i trashëgimisë kulturore, shpëtuar nga rrënimi degradues dhe sot e rilindur plotësisht dhe e kthyer në një arsye më shumë për ta vizituar këtë zonë mahnitëse të Gjirokastrës.

I shoqëruar nga ish-ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, Rama vizitoi nga afër mjediset e kësaj kishe dhe u njoh me procesin e restaurimit.

Kumbaro tha se “kjo është një nga kishat më të vjetra në rajon. Në mos më e vjetra dhe ishte pothuajse gjysmë e rrënuar”.

“Përdorej më shumë si strehë nga njerëz të ndryshëm. Që edhe në periudhën e tranzicionit kalonin kufirin në mënyrë ilegale. Rruga nuk ka qenë dhe ishte një zonë shumë e vështirë për t’u asistuar”, tha Kumbaro.

Ajo theksoi se kisha ishte e tëra e krisur. Dhe kemi bërë projektin me shumë detaje me një kontribut shumë të madh të profesor Aleksandër Meksit dhe Piro Thomos. Që kanë lënë gjurmët e tyre në këtë restaurim.

“Kisha ishte komplet e krisur dhe u restaurua e gjitha edhe ikonat murale. Nëse në kishat e tjera bizantine ose pas bizantine i kemi me ikonastas me elementë druri dhe me piktura murale këtu janë gurët si elementë të parë të përdorur. Kemi po ashtu restaurim të jashtëm të gjithë oborrit. Për zonën dhe për gjithë Dropullin kjo është një nga kishat më të rëndësishme”, tha Kumbaro./ATSH

LEXO EDHE: Kisha e fshehur brenda shpellës, çfarë fshihet në malet e Librazhdit