Historia e kishës së Thethit, çka ndodhi me të gjatë diktaturës…

Shtëpia e zotit, apo siç njihet Kisha e Thethit është një kurorë në bukuritë natyrore në Theth dhe tërheq mjaft vizitorë vendas dhe kryesisht të huaj.

Administrata e Zonave te Mbrojtura, Shkodër sjell historinë e ndërtimit të shtëpisë së Zotit, Kishës së Thethit që daton në vitin 1909.

Gjurmët e kishës së vjetër datojnë në vitin 1892 dhe në po atë vend shtëpia e Zotit u ringrit në formën që ka sot, modeste por shumë e dashur.

Famulltari i parë i kishës dikur jetonte pranë saj por kohët e reja që sollën edhe rindërtimin, e bënë Kishën e Thethit shtëpinë e të gjithë malësorëve të luginës. Historia e kishës është e lidhur me emrat e patriotëve e klerikëve shqiptarë që iu dedikuan atdheut dhe kulturës kombëtare, si për shembull At’ Shtjefën Gjeçovi, i cili ka shërbyer edhe në këtë kishë.

Gjatë diktaturës kisha u mbyll, objektit iu ndryshua destinacioni duke e përdorur për shërbime komunitare. Kisha ka marrë formën e dikurshme, ngrihet e urtë mbi luginë dhe rrezaton fuqinë e dashurisë për Zotin dhe jetën. Ndërtimi i përshtatet karakterit të arkitekturës së malësive të thella, ndërtesa është e tipit kullë që mbështetet në një kolonë masive ku kulmon kryqi katolik. Pjesa e pasme e kishës vjen në formë gjysmë rrethore, mbuluar po nga një çati rrethore që hyn butë në mënyrë harmonike tek mbulesa e madhe e ndërtesës kryesore.

——————————————–

LEXO EDHE:

Historia e Thethit, bukurisë natyrore të alpeve shqiptare

“Asnjë vend i banuar, nuk më ka lënë një përshtypje të tillë izolimi madhështor nga e gjithë bota” (Edith Durham). Kështu ka thënë studiuesja dhe shkrimtarja angleze Edith Durham, kur ajo për herë të parë kaloi në Theth, në vitin e largët 1905. Kishte udhëtuar thuajse kudo nëpër Ballkan, por aty ajo gjeti diçka që e bëri ta adhurojë përgjithnjë dhe të mrekullohej me mikpritjen e vendasve, që me të drejtë e deshën dhe e respektuan, duke e cilësuar madje dhe si “Mbretëresha e malësorëve”.

Maja të larta. Kurorë kreshtash. Rreze dielli tej humnerës. Dritë mbi egërsinë e maleve.

Rruga për në Theth, duket sikur të ngre në qiell. Dielli të prek fytyrën. Flladi të flet në gjuhën e vet.

TEKSTIN E PLOTË MUND TA LEXONI KËTU