Regjisori Piro Milkani njihej me aktorin Guljelm Radoja prej 50 vjetësh dhe ruante me të një miqësi familjare.
Ishte pikërisht ai që e angazhoi aktorin në rolin e parë, në filmin “Shtigje Lufte”. Milkani tregoi se Radoja kishte një biografi jo të mirë dhe kur e mori në film, atij iu pastrua ajo, gjë që i hapi rrugë edhe për pjesëmarrjen në filmat e tjera.
Regjisori tha se është e dhimbshme që aktori u nda nga jeta në një moshë kaq të re, pasi ishte i shëndetshëm dhe i gjallë.
Ai nënvizoi se biznesmenët e qytetit të Durrësit, qytet ku ai jetonte, duhet të bënin më shumë përpjekje që të paktën, aktori të dërgohej për kurim në spitalet jashtë vendit.
“Është keqardhje! Mendova se dikush do të kujdesej më tepër për të. Biznesmenë të Durrësit duhet të kishin bërë një kontribut, për të bërë një provë për ta dërguar jashtë shtetit. Ai ka lënë gjurmë të mira dhe nuk ishte në moshë për t’u larguar nga kjo botë. Ishte njeri korrekt, i dashur, me një familje shembullore.
Me një grua muzikante, vajzën pianiste, është e trishtë. Nuk di ç’të them, është keqardhje! Ai kishte probleme biografike dhe unë e mora në filmin “Shtigje lufte” në rolin e një fotografi. Në atë kohë nëse merreshe në film dhe tregohej që të rregullohej biografia. Unë e kam pasur në filmin “Eja”, në Librazhd. Kam pasur një bashkëpunim 20-vjeçar dhe kujtesë familjare për të.
Ai ishte njeri modest dhe fjalëpakë. Shumë serioz në krijimin e figurave artistike që i besoheshin”, u shpreh Milkani./panorama.com.al