Më 23 të Vjeshtës së Tretë 193…
Interesant qenka dhe kjo puna e …dashunis. Kurrë nuk kam pasë rasën me e provue ndonji herë, por tash që u kapa prej thonjëve të saj, po shof shumë ndryshime në vehten time. Megjithse nuk jam mâ ai Memli i parë , prap se prap guximi më mungon vazhdimisht. Kushdi sa net më kalojnë pa i mbyllë sytë.
E largoj mendjen gjithkah dhe ma në fund, vendos me i thanë hapët: ,,Të due Margeritë. E dij se nji serí e gjatë pengesash na ndalojnë , por …zemra ime, rref vetëm për ty.” Qetsohem me pretekst se të parën herë që, do të has, nuk do të mungoj me ia thanë këto fjalë. E marrë me mend se ajo do të më parashtrojë sa e sa pamundësina për lidhjen e vargojve të dashunís sonë.
Do të më thotë: ,,Edhe unë…dëshiroj, Memli, por zakonet , fanatizma, nuk lejojnë. E ndalojnë rreptësisht bashkimin e zemravet tona. Baba mandej…asht tepër fanatik. Më vjen keq, Memli, por femna Shqiptare nuk i ka fitue ende të drejtat e veta plotësisht. Fatin e saj e kanë në dorë akoma prindët.
Të kishe qenë edhe ti orthodoks, atëhere mundet…” Por unë do të qëndroj me vendimin tim: do t’i them ,, të due, Margeritë!
Ndofta nuk e kam këtë të drejtë, por nuk asht as faji im”. Mund të lehtësohem të paktën shpirtnisht kur të kemë shfrye.
Madje sa herë më ka dhanë me kuptue se edhe ajo…ndjen dishka për mue! Fjala vjen, përse të më lutesh aq fort me ndejtë për drekë në shtëpi të saj, të djelën që shkoi? Jo, nuk asht vetëm shoqnija. Kurrë nuk ekziston nji dashuní kaq e zjarrtë në mes dy shokësh. Kjo asht tjetër dashuní. Edhe unë, do t’ia them pra.
Mirëpo, mëngjesi më gjen, të ndryshuem në mendim. Dhe porsa e shof ate, m’asht krejt e pamundun me ia shfaqë dashunín. Buzqeshjet e saj harbuese më janë kryekëput vrastare, magjepëse.
Trandem përpara saj, sikur të jem kundruell ndonji përbindshi megjithse ajo më ka magjepsë tamam si prej ndonji fuqije magnetike. As vetë s’po dij se si të veproj. Mâ se nji mot ka kalue në heshtje.
Unë e kam dashtë prej ditës së parë që e njofta e me gjithë këte m’u desht me e mbajtë në zemër mallin që më përvëloi e që po më shkrumon parreshtun. Por tash nuk mundem me durue mâ.
Tash ka hasë-si i thonë fjalës-sharra në gozhdë. M’asht mâ se e nevojëshme me lehtësue barrën e randë që më randon e mundon mu në parzëm.
Unë që kam qenë gjithmonë kundërshtar’ i flaktë i aventurave rinore, sot po kërkoj t’i vej vetë në zbatim.
Me që s’jam marrë kurrë me vajza, shokët më quejshin gjithnji-për të qeshë- ,,i humbun, antifeminist”. Kurse tashti kanë plot të drejtë të ahmerren.
Edhe unë, tash që e pësova vetë , u kërkoj ndjesë të gjithë atyne të rijve sentimentalë që i kam akuzue randë. Zaten, prandaj nuk asht mirë me i përqeshë të tjerët, sepse heret a vonë, na bijnë edhe ne në krye pikërisht siç më ngjau mue.
*Shkëputur nga libri i Mustafa Greblleshit: “Gremina e dashunis”
Përgatiti: ObserverKult
———————–
LEXO EDHE:
NGA “GREMINA E DASHUNIS”: TË KAM THANË SE S’KA FUQI QË MUND TË NA NDAJË…