Kjo është austriakia që përjetoi ferrin në Shqipërinë komuniste

lola

Gazetarja investigative Blanka de Corvin që kishte shëtitur Evropën dhe fliste pesë gjuhë, mund të ishte një profesioniste e vlerësuar në çdo vend, por në Shqipërinë komuniste u bë menjëherë e dyshuar si spiune e anglo-amerikanëve. Me këto akuza të pavërtetuara kurrë, atë e arrestuan, e torturuan dhe e dënuan me 10 vjet burg, ndërkohë që bashkëshortin e diplomuar në Perëndim, e pushuan nga puna dhe e lanë në mjerim. Shkatërrimi rrëqethës i dy jetëve që kishin nisur aq mbarë…

Jeta e Blanka de Corvin mund të kthehet lehtësisht në roman, ku heroinës dhe fatit të saj nuk është e nevoshme t’i ndryshosh diçka për ta bërë më tërheqës apo më goditës. E madje as emrit, tingëllues e të pangatërrueshëm që, për më tepër, duket si produkt i një pagëzimi artistik nga ana e autorit që ia njeh jetën personazhit të vet: një jetë e përbërë nga dy pjesë po aq kontrastuese sa e bardha me korbin.

Blanka u lind në Stamboll, nga një baba austriak dhe një mama ruse. I ati ishte diplomat dhe me shumë gjasa atë tetor të vitit 1900, kur erdhi në jetë Blanka, ishte në Turqi me një nga misionet e tij diplomatike. Elementin kozmopolit që ia shenjoi jetën që në lindje, Blanka do e zhvillonte edhe më shumë gjatë viteve të mëvonshme edhe për shkak të profesionit të gazetares, duke vizituar shumë vende: Austrinë e saj, po se po, por edhe Italinë, Gjermaninë, Jugosllavinë dhe duke mësuar disa gjuhë: plot pesë bashkë me shqipen, që për të u bë gjuha e dashurisë, por jo vetëm…

Blanka de Corvin, para burgosjes. Burimi: elbasaniad.org

Adem Balliçin e njohu në Romë, megjithëse disa burime thonë në Vjenë. Në atë kohë, gazetarja ishte e veja e një konti austriak. I riu elbasanas ishte larguar që herët nga vendlindja për të kryer shkollën e mesme dhe më pas universitetin. Megjithëse vinte nga një familje muzikantësh, kishte zgjedhur të studionte Financë, por me siguri muzika nuk do ketë qenë një faktor i heshtur për ta afruar me Blankën, e cila ishte shumë e dhënë pas arteve në përgjithësi e muzikës dhe pikturës në veçanti. Madje në Shqipëri, ajo njihej për talentin në pikturë dhe familjarët e bashkëshortit e kujtojnë edhe duke luajtur në piano, në vitet e para, kur jeta e saj kishte ende muzikë. Sipas një pasardhëseje të familjes Balliçi që i ka kushtuar një shkrim historisë së Ademit dhe Blankës, ata u martuan në vitin 1942. Për disa vite, Ademi ishte shef i Buxhetit dhe Monopolit në Ministrinë e Financave dhe bashkë me Blankën jetonte në shtëpinë që ndërtuan përballë legatës amerikane në rrugën e Elbasanit.

Adem Ballici

Ishte një shtëpi e madhe, rreth 1 mijë metër katrorë që ata do ta gëzonin vetëm disa vite. Kur në vend u vendos regjimi komunist, siç shkruan studiuesi Kastriot Dervishi, kjo shtëpi iu dha me qira misionit të UNRRA-s dhe pas vitit 1947, aty jetuan familjet e zyrtarëve komunistë. Ndërkohë të zotët e saj kishin nisur rrugën e mundimeve, një pjesë të së cilës, për më tepër, do e përshkonin vetëm.

Mbijetesa e Blankës

Blankën e arrestuan më 28 tetor 1946. Akuzohej se bënte pjesë në grupin agjenturor të “sabotatorëve” të Maliqit. Roli i saj, në këtë rrjet imagjinar, ishte ai i ndërlidhjes së inxhinierëve që punonin për tharjen e kënetës me Harry Fultz-in. Ata ishin të bindur për këtë përfshirje, megjithatë, siç shkruan Kastriot Dervishi, hetuesi Delo Balili “e torturoi çmendurisht” Blankën për ta vërtetuar akuzën edhe me fjalët e saj. Stërmbesa e bashkëshortit shkruan që Blankën e zhytën në një fuçi me ujë të akullt në mes të dhjetorit dhe kjo nuk ishte tortura e vetme. E megjithatë ajo rezistoi. Shumë njerëz janë dorëzuar, kanë pranuar të firmosin çdo gënjeshtër, vetëm e vetëm që torturat të merrnin fund për pak, të bindur se jeta e tyre kishte marrë fund për fare, por Blanka nuk e arriti atë pikë. Ndoshta besimi në Zot e bëri të mos thyhej, ndërkohë që Zoti kujdesej që edhe trupi i saj të rezistonte.

Procesi i Maliqit ishte zhvilluar që në nëntor të 1946-ës, kur edhe u ekzekutuan pesë veta, mes të cilëve Zyrika Mano, mikesha e Blankës. Blankën nuk e nxorën në atë gjyq sepse ajo nuk pranoi të kishte të bënte me grupin që po gjykohej. Si përfundim, hetuesit e përpiluan raportin përfundimtar më 16 janar 1948. “Ai i dërgohet Prokurorisë së Përgjithshme. Blanka ka hedhur poshtë të gjitha akuzat, duke mos pranuar asgjë nga ato që ka mbajtur raporti i përmendur nga Sigurimi”, shkruan Kastriot Dervishit. Megjithatë ajo nuk u lirua. Ishte e qartë që dënimi i Blankës ishte një kërkesë e prerë e cila duhej plotësuar me çdo kusht. Shkurt, me sajimin e një akuze tjetër. Si përfundim, më 16 dhjetor të 1948-ës, dy vjet e dy muaj pas arrestimit e dënuan me 10 vite burg, për mosdenoncim arme. Qëndroi në burg katër vjet të tjerë dhe u lirua me amnistinë e 28 nëntorit 1952, pasi kishte marrë mundimin t’i shkruante edhe një letër diktatorit që e mbyllte me lutjen për ta lejuar të kthehej te burri i saj. Më në fund Blanka dhe Ademi u ribashkuan. Sigurisht tanimë jeta e tyre ishte shumë ndryshe. Ata vetë kishin ndryshuar edhe më shumë, por të paktën ishin bashkë.

Dënimi i heshtur i Ademit

Blanka i kishte pasur shumë më të rënda mundimet gjatë atyre 6 viteve, por as për Ademin nuk kishin qenë të lehta. Ai u pushua nga puna dhe u çua si llogaritar në fermën e Sukthit. Punoi një vit aty dhe u pushua sërish. Nuk kishte shtëpi, nuk kishte pasuri dhe tani nuk kishte as punë. Ky do të ishte dënimi për Ademin. Që nga dita që komunistët morën pushtetin, siç shkruan elbasaniad.org, mbështetur në të dhënat e familjarëve të tij, Ademi punoi vetëm një vit e gjysmë: një vit në Sukth dhe 6 muaj në bibliotekën e Elbasanit dhe pastaj, financieri i diplomuar në Perëndim, do të ishte një i papunë që jetonte falë mbështetjes së familjes së të vëllait. Në këtë familje do të gjente ngrohtësi edhe Blanka, tani që gjithçka tjetër rreth e rrotull ishte bërë kërcënuese dhe armiqësore. E megjithatë, edhe pse e rrënuar fizikisht dhe mendërisht, siç tregojnë fëmijët dhe nipërit e vëllait të Ademit, kjo grua nuk e humbi zemërgjerësinë. Nuk e humbi as besimin në Zot dhe tani, duke menduar që ishte përsëri e lirë, iu rikthye praktikimit të fesë, e cila ishte ende e lejuar në Shqipëri. Blanka udhëtonte shpesh nga Elbasani ku jetonte me bashkëshortin, për në Tiranë për të shkuar në kishën katolike, por shumë shpejt këto udhëtime do të interpretoheshin si lëvizjet e një agjenteje, siç ishin interpretuar më parë të gjitha udhëtimet e saj në shtete të ndryshme, si gazetare. Dokumentet, e zbuluara nga Kastriot Dervishi, tregojnë që në vitin 1960, Blanka ishte sërish në përpunim si “agjente angleze”, ndërkohë që bashkëshorti, survejohej si “agjent gjerman”. Për jetët e tyre gjithmonë e më të zbrazura, ndërtoheshin skenare gjithmonë e më të komplikuara, në dosjet e Sigurimit. Më 25 dhjetor 1962, Ademi ndërroi jetë. Një goditje shumë e rëndë për Blankën që u pasua me një pasgoditje edhe më të hidhur. Komunistët e akuzuan atë si vrasëse të bashkëshortit. Edhe një herë tjetër Blanka duhej të përballej me akuza të pavërteta, por kjo ishte më e rënda nga të gjitha.  Blanka u arrestua për herë të dytë. Trupi i Ademit iu nënshtrua ekspertizës ligjore. Të afërmit e tij, duhet të gjenin mes dhimbjes, forcën për të mbrojtur Blankën e pafajshme. Pasi nuk gjetën asnjë provë për akuzën makabre, Blankën e lejuan të dilte nga biruca dhe Ademi u përcoll për në banesën e fundit dy ditë pasi kishte ndërruar jetë.

Pas një viti Blanka u rikthye në vendin e saj. Arriti të ritakonte të ëmën dhe të rivendoste kontaktet me dy motrat që jetonin njëra në Argjentinë e tjetra në Kroaci. Në vitin 1965, për Krishtlindje në familjen e Shefqet Balliçit vëllait të Ademit, mbërrin një kartolinë. E dërgonte Blanka. Kishte shkruar emrat e marrësve dhe vetëm një rresht pas kartolinës, pjesa më e madhe e së cilës ishte bosh. Më shumë sesa një kartolinë urimi, ishte një kartolinë kujtimi për Ademin e saj dhe të tyre, që ishte ndarë nga jeta tre vjet më parë, më 25 dhjetor.

Kartoline urimi derguar nga Blanka ne familjen e vellait te Ademit, Shefqet Ballicit, mundesuar nga e bija e Shefqetit, Arta Ballici Prifti.

Blanka jetoi edhe 20 vite të tjerë. Në dimrin e 1985-ës, ajo ndërroi jetë në moshën 85-vjeçare, në një aksident automobilistik gjatë një udhëtimi për në Zagreb te e motra.

I ishte rikthyer jetës së mëparshme, pjesë e së cilës ishin udhëtimet, kalimi i kufijve, takimi me të afërmit në shtete të tjera, por sigurisht ajo vetë nuk ishte më si më parë.

a.çano/kujto.al


Lexo edhe:

RRËFIMI I NIPIT TË SABIHA KASIMATIT: “ENVERI S’ISHTE LUFTËTAR, POR TIP DON ZHUANI PA VLERA MORALE”

ObserverKult