Pas një greve urie për kushtet e vështira dhe shkeljen flagrante të të drejtave të njeriut, bija e familjes intelektuale të Korçës, që shkroi historinë e fotografisë në këtë qytet, ndërroi jetë pasi kishte vuajtur katër vite burg. Ishte dënuar si “armike e popullit”...
Nga Luljeta Progni
“E kam njohur Krisanthi, kanë ndenjur në pallatin tim tek hyrja tjetër së bashku me vëllanë e saj profesor….ishte një grua e butë dhe na jepte gjithmonë karamele …nuk më ka ikur kurrë nga mendja mënyra se si e arrestuan së bashku me të vëllanë, xhipat përpara pallatit…ishte e tmershme, nuk e pamë më kurrë….”, është një ndër mesazhet për fotografinë e Krisanthi Venetikut, e publikuar nga studiuesi Kastriot Dervishi.
Mesazhi është shkruar nga Maria Grigori Terezi, e cila ka parë me sytë e saj kur arrestohej fotografja e famshme korçare bashkë me të vëllanë e saj, profesor të muzikës në Korçë. Është një ndër ato ngjarjet që ngulitet përjetë në mendjen e një fëmije, ngjarje që kanë shenjuar kujtesën e fëmijëve shqiptare gjatë diktaturës komuniste.
“Ishte e tmerrshme, nuk e pamë më kurrë” e mbyll mesazhin Maria, për gruan elegante të pallatit të saj të cilën e kishin arrestuar dhunshëm dhe në mënyrë demaskuese para popullit dhe si “armike të popullit”. Por ajo nuk ishte armike e popullit, ishte njeri shumë i dashur për korçarët sepse kishte fiksuar në objektiv, gjenerata të tëra fëmijësh, grash e burrash korçarë, sepse ishte fotografja e parë korçare, ndër të parat fotografe të Shqipërisë.
Është bija e Dhimitër Venetikut, dera e madhe e familjes intelektuale e patriote e Korçës. Kanë shkruar shumë korçarë për Krisanthin dhe familjen e saj. Njëri prej tyre është edhe Kristaq Balli, i cili ka shkruar me detaje historinë e familjes Venetiku, pjesë shumë e rëndësishme e historisë së fotografisë shqiptare.
“Një vajzë e imët, shëndetligë, me syze të trasha optike dhe disi e tërhequr nga jeta shoqërore, por shumë e qetë, e arsimuar, e edukuar, e sjellshme dhe elokuente, ajo i ishte kushtuar kujdesit për shtëpinë e madhe, prindërit e vëllezërit dhe nuk do të krijonte kurrë familjen e saj. Nga ana tjetër, studioja fotografike siguronte të ardhura për të jetuar”, shkruan Balli për vajzën fotografe të familjes Venetiku në Korçë.
Krisanthi lindi në vitin 1910, pikërisht në kohën kur studioja fotografike e familjes së saj kishte nisur aktivitetin. Dhimitër Venetiku ishte ndër të parët e kësaj dere që punuar për të ndërtuar “Studio Venetiku”. Më pas, i biri, Jovani i cili pas një aktiviteti disavjeçar në këtë studio u largua në emigrim. Ishte pikërisht ky moment kur vajza e Dhimitrit, Krisanthi, “u detyrua” të mësonte këtë art të bukur të fotografisë që u kthye në pasionine jetës së saj.
Studiuesi Kristaq Balli shkruan: “Aktiviteti i saj fotografik vijoi deri nga vitet 1970 të shekullit të kaluar, pra rreth 30 vjet. Puna e saj si fotografe ishte e përqendruar kryesisht në studio dhe fare pak, ose aspak, jashtë saj.
Me tematikë, përmbajtje, kompozicione të larmishme, me sfonde që i ndryshonte shpesh, me një ndriçim plot efekte vizuale, me objekte ornamentale si tavolina të vogla antike prej druri të gdhendura e vepra skulpturore artistike që shoqëronin subjektin, ajo krijonte një mjedis “skenografik” të kulturuar e plot imagjinatë.
Gjinia e preferuar dhe më e lëvruar nga Krisanthi ishte portreti bust, apo statujë, pasi edhe kërkesat për këtë gjini ishin më të mëdha, sidomos gjatë dhe pas viteve 1950 për shkak të dokumenteve zyrtare dhe diplomave të shkollave të mesme e të larta. Për ne, fëmijët e mëhallës, fotot ishin dhuratë e studios. Sidomos kur na nevojitej për tabelën e të dalluarve në shkollë”.
Por jeta si fotografe nuk mund të rridhte aq e qetë në një qytet të një vendi që ishte pushtuar nga diktatura komuniste. Krisanthi dhe familja e saj padyshim do të ishin pjesë e familjeve intelektuale të Shqipërisë së asaj kohe që do të detyroheshin të kalonin kalvarin e vuajtjeve, kështu, përballja e parë me diktaturën do të ishte në vitin 1960.
Me krijimin e qendrës së qytetit të Korçës, të teatrit dhe disa pallateve të reja aty pranë, shtëpia e Venetikëve do të shembej. Krisanthi bashkë me familjen e saj, u zhvendosën me detyrim në një hyrje të vogël pallati në po atë lagje. Kjo kohë përkoi edhe me fushatën e kolektivizimit që parashikonte shtetëzimin e çdo prone private. kjo kohë shënoi edhe fundin e “Studio Venetiku”.
Në vitin 1945, ndërroi jetë i ati Dhimtër Venetiku dhe Krisanthi mori mbi shpatulla gjithë peshën e mbajtjes së familjes. U detyrua të punojë si fotografe nëpër ndërmarrje e kooperativa të diktaturës.
“Kur u boshatis dhe u shemb shtëpia dhe studioja e familjes Venetiku, për ne fëmijët e lagjes, por jo vetëm, ka mbetur një ngjarje e pashlyer nga kujtimet.
Meqenëse apartamenti, ku do të transferohej familja ishte shumë më i vogël se ndërtesa e shtëpisë, mjaft objekte e aparatura të studios, baçokë, tava, aparatura të vjetra fotografike, shishe me tretësira kimike, projektorë, sfonde, por, në veçanti dhjetëra kuti të mbushura me xhama, lastra e filma negativë të arkivuar për dekada të tëra, u nxorën në oborr dhe u lanë aty në pamundësi risistemimi.
Pa ua ditur vlerën e madhe kulturore, ato u bënë objekt shpërdorimesh, thyerjesh, e sidomos lodrash për fëmijët. Oborri u mbush me një shtresë xhamash të zinj të thyer. Ne, fëmijët, me kuriozitet shihnim nëpërmjet tyre silueta njerëzish e peizazhesh inverse në ngjyrë dhe habiteshim sepse nuk kuptonim procesin e xhamit apo filmit negativ.
Të shumtën, ne i përdornim ato për të vështruar diellin gjatë ditës, apo për të luajtur “me fit”, pra kush do t’i fitonte më shumë xhama njeri-tjetrit, të cilat thyheshin në fund, njëlloj sikundër bënim me ashikët, kapaçkat e birrës, fugat, pullat etj. Nga këto ditë, unë kam akoma kujtim “damkën” e një prerjeje serioze në dorë, që më kushtoi një muaj mjekim kirurgjikal.
Kur u prish shtëpia, kuptuam se u gris edhe velloja e misterit të kësaj familjeje profesionistësh, artistësh e intelektualësh të veçantë, që jetonte përtej kohës e ngjarjeve të ditës, e shkëputur, e mbyllur, e sfumuar privatisht në një realitet tjetër virtual e vetmitar, prudent e tejet diskret, të pakuptueshme për të tjerët, në thelbin e një paradigme surreale, që e konservonte ritualin e jetës së vet në hermetizmin e ekzistencializmin individual”, shkruan Kristaq Balli.
Studiuesi vëren se ky mund të ketë qenë edhe momenti kur regjimi ka nisur të survejojë familjen intelektuale që më pas do të përfundonte e syrgjynosur burgjeve të diktaturës.
Vëllai i Krisanthit, Kristo (Kiço) Venetiku ishte gjithashtu një ndër intelektualët e Korçës së asaj kohe që bashkë me të motrën do të kishin të njëjtin fat, burgjet e diktaturës. Pas pleniumit të PPSH-së në vitin 1973, vala e persekutimit do të ishte mjaft goditëse edhe në qytetin e Korçës.
Në vitin 1975, Kristoja dhe Krisanthi do të arrestoheshin si pjesë e “grupit armiqësor të partisë e popullit” ku përveç Krisanthi e Kiço Venetikut u arrestuan edhe piktori Vangjush Tushi dhe profesori e gjuhëtari Gaqo Peci.
Pas një periudhe hetuesie, të gjithë anëtarët e këtij grupi të sajuar nga regjimi si të tillë, do të dënoheshin me burg. Kjo kohë është pika kulmore e fatit tragjik të familjes intelektuale, Venetiku.
Në kushte të tmerrshme jetese si ato që regjimi kishte rezervuar për “armiqtë e partisë”, pas katër vitesh burg, Krisanthi Venetiku do të shpallte grevë urie në burg, por askush nuk u sensibilizua për protestën e saj dhe në këto kushte ajo ndërroi jetë në vitin 1979. Disa vite më pas, i vëllai, Kiço Venetiku, gjithashtu ndërroi jetë në burgun e Burrelit në vitin 1985.
Nëna e tyre Aleksandra mbeti e vetme, dhe ndërroi jetë nga dëshpërimi në vitin 1976, vetëm një vit pasi dy fëmijët e saj u dënuan me burg./kujto.al
ObserverKult
Lexo edhe:
ObserverKult