Në librin e tij me kujtime për vitet e ferrit në kampin e Tepelenës “Shqipëria burg” (Botimet “UET Press”), ish-i përndjekuri politik, Kurt Kola, ndërsa rrëfen kalvarin e familjes së tij, ndalet edhe te portreti i një gruaje të jashtëzakonshme. Edhe pse kampi i Tepelenës ishte mbushur me gra e vajza, bashkëshorte e pinjolle të dyerve të mëdha shqiptare, bajraqe e shtëpi nacionalistësh, si Markagjonët, Bajraktarët, Kupi, Miraka, Dema…
Elena ishte mbi shoqe. Arsimimi dhe kultura e saj i bënin gardianët e kampit të ndiheshin inferiorë përpara saj. Sa herë që ndodhte diçka e jashtëzakonshme, kur kishte protesta nga ana e të dënuarve, ballafaqime, në krye ishte gjithnjë Elena Merlika. Një autoritet i padiskutueshëm, që do të shqetësonte edhe Mehmet Shehun.
KUSH ISHTE
Elena Gjika rridhte nga një familje arbëreshe. I ati ishte publicisti i mirënjohur Sotir Gjika, drejtor i gazetës “Kuvendi”, që botohej në Romë, mik i Luigj Gurakuqit, Mustafa Merlikës, Stavro Vinjaut, Gjovalin Kamsit etj. Elena u diplomua në Universitetin e Napolit me rezultatin 30 me lavdërime. Teza e diplomës së saj u botua nga Akademia Italiane e Shkencave, ndërsa albanologu me famë botërore, prof.Gaetano Petrotta ngulte këmbë ta mbante asistente në katedër.
Por ajo do të braktiste gjithçka për hir të dashurisë. U martua me Petrit Merlikën, djalin e Mustafa Merlikës, inxhinier i sapodiplomuar në Universitetin e Grenoblit. Siç tregon Mërgim Korça, kur ia arrestuan të shoqin, Elena i kërkoi ndihmë prof.Aleksandër Xhuvanit ta punësonte pranë Bibliotekës Kombëtare, ndërsa ai iu përgjigj: Në gjithë Ballkanin nuk do të gjeja njeri më të përshtatshëm, por …”. Ajo ishte e reja e ishkryeministrit në qeverinë fashiste, Mustafa Krujës, i cili tashmë jetonte në mërgim, e kaq mjaftonte që emri i saj të fshihej nga lista e çdo pune normale që një grua me nivelin e saj mund të kryente.
Pas arrestimit të të shoqit dhe kunatit, e vetme, me të biri e vogël, Eugjenin, u detyrua të linte shtëpinë. Në vitin 1947 i dhanë urdhrin e zhvendosjes në Shijak e më pas në Krujë, ku banuan për pak kohë në qelitë e Degës së Brendshme. Pas dy vitesh do të nisej drejt ferrit, drejt Tepelenës. Ja si e kujton i biri, Eugjeni, atë ditë: “Një ditë nëntori të vitit 1949 na vunë në një kamion e na nisën për një rrugë të gjatë, të gjatë, që kalonte fusha, lumenj e male dhe përfundonte në Tepelenë.
Tepelena… e famshme në historinë shqiptare si vendi nga nisi veprimtaria e njërit nga personalitetet më komplekse e më të afta të kombit shqiptar, Ali Pashës, Vezirit të Janinës, do të bëhej në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë simboli më i gjallë e më rrëqethës i tmerrit që vetëm stalinizmi shqiptar mund të shpikte. Tepelena, zyrtarisht kampi i dëbimit, në fakt ai i shfarosjes së njerëzve, pa dyshim konkurronte me Mathauzenin, Aushvicin, Bukhenvaldin.
Është e vërtetë se nuk pati krematoriumet e tyre, por puna e detyruar, mungesa e ushqimit, mizoria e aparatit policor e bënin vdekjen çdo ditë më të dëshiruar se jetën. Vdekja qëndronte Î pezull mbi kampin tonë, e kishte pothuajse çdo ditë prenë e vet mes një turme heterogjene shqiptarësh, nga të gjitha moshat e nga të gjitha krahinat, të futura në pesë kazerma të mëdha ushtarake me qindra vetë secila”.
NGA LIBRI
PUNA NË KAMPIN E TEPELENËS …
Në të gjithë kampet e tjera të internuarit ishin përdorur për punë angari, por edhe pse e papaguar, të internuarit e konsideronin krenari. Por në kampin e “eksperimenteve” të tipit nazist qe krejt ndryshe, ishte vetëm fyese e poshtëruese. Punë me kërbaçin e policit pas shpine, për vajza, për gra e për këdo! Metoda naziste e kohës së re përsëriste Mesjetën e skllavërisë.
Në propagandën për të drejtat e njeriut, sistemi komunist e kishte të ndaluar ngarkimin e femrës me barrë në kurriz, duke bërë punën e mushkës a kalit, por të internuarat, femrat e të gjitha moshave, e kishin detyrim ngarkesën me dru, pleh organik e sende të tjera, edhe nëse nuk duheshin, vetëm për t’i lodhur, munduar e fyer. Burrat ishin pajisur me sëpata të bëra posaçërisht te kovaçi dhe, nga mëngjesi në darkë, përlesheshin me lisat e ahet shekullorë të malit të Bënçës e të Kurveleshit, duke prerë e bërë dengje metra-kub, pa normë të caktuar!
Gratë e vajzat i ngarkonin në shpinë si kafshët dhe nëpër udhë dhish, rrëpirave teposhtë, duke u rrëzuar e duke u ngritur, i zbrisnin në xhadenë e makinës! Këto ishin me normë: një metër kub për person! Dhe duhej të ngjiteshe e zbrisje monopatit, për rreth dy kilometra, gjashtë deri në shtatë herë, çfarë i binte të bëje dymbëdhjetë ose katërmbëdhjetë kilometra ngarkuar! Në darkë, rrugën e fundit, gratë, por edhe burrat që kishin prerë gjithë ditën, ngarkoheshin dhe e sillnin barrën në Degën e Punëve të Brendshme, në qytezën e Tepelenës.
Kjo qe e përditshme gjithë verës, ndërsa në vjeshtë e dimër zëvendësohej me plehun e dhive e deleve që kishin veruar maleve të Kurveleshit. Dega e Punëve të Brendshme kishte parcela të vogla toke, të cilat i punonte me të internuar të moshës mbi 65 vjeç, sepse kjo quhej, sipas tyre, punë e lehtë. Këto ara plehëroheshin me pleh organik, që të internuarit e mblidhnin nëpër stane, mbushnin thasët dhe e ngarkonin në kurriz. Kur vinin në kazermë, gra e burra kundërmonin era pleh, që qelbte gjithë kazermën! Edhe kjo ishte një nga disa eksperimentet që u bënë me ne për të provuar rezistencën ndaj së keqes!
Çdo njeri e kupton rrezikun individual e kolektiv në një ambient si ai ku jetonim ne; mbi pesëqind vetë në një kazermë, ku më shumë se gjysma, pamundur dot të ndërronte rrobat e trupit apo të lahej, pasi kishin transportuar gjithë ditën pleh, futeshin e flinin në kazermë me të tjerë! Duke punuar gjatë gjithë jav- ës me pleh, edhe pse laheshin ditën e diel, duhma nuk u dilte nga trupi! Gratë e vajzat e internuara për të mos u prekur nga shkopi i ish-barinjve, që tani ishin policë të pushtetit komunist, jo nga dhimbja, por nga turpi e dinjiteti, me ndihmën e njëratjetrës bënin normën çdo ditë! Kjo i bënte me plasë policët sa injorantë, aq dhe kriminelë.
Po kush i printe karvanit të gjatë të grave e vajzave të internuara, të ngarkuara në shpinë me dru dhe pleh? Gjithmonë në krye ishte universitarja Elena Merlika. Sikur të guxonte ta kish parë veten në ëndërr, të ngarkuar me dru e pleh, ndërkohë që ishte në auditorët e universitetit, apo mësuese gjimnazi, me thonj do të vetëmbytej! Ndërsa sot, për të lartësuar personalitetin e saj dhe emrin e madh të Mustafa Merlikës, ajo printe karvanin pa e ulur shpinën e ngarkuar, me trupin fidan të drejtë e kokën lart!
Pas saj, me të njëjtin qëndrim e dinjitet, ecnin bijat e Princit të Mirditës, Gjon Markagjoni: Marta e Bardha Gjonmarkaj, të ndjekura në rresht nga Liria, bija e Muharrem Bajraktarit, Vera, bija e Hysni Demës, Ana, bija e Fiqiri Dines, Hyrie Kupi, vajza e Abaz Kupit, Lajde e Klora Miraka, mbesat e Kol Bib Mirakës dhe plot vajza e gra të familjeve të mëdha nacionaliste. Elena Merlika ishte intelektualja, në diplomën e së cilës ishte shkruar në brinjë hipotenuze me germa në ngjyrë ari, vetëm një fjalë: “Brillantamente” (Shkëlqyeshëm).
Vajzat që u përmendën dhe shumë të tjera kishin mbaruar gjimnazin, shkallën më të lartë të arsimit në Shqipëri. Ardhja e komunizmit u preu mundësinë e shkollimit të mëtejshëm, i futi në kampet e internimit, duke ua kufizuar çdo të drejtë për të jetuar, deri edhe më njerëzoren, të drejtën e martesës! Dhe kush i “qeveriste” këto gra e vajza të shkolluara? Komandanti i kampit, toger me grada për merita “lufte”, pa një ditë shkollë, veç me një kurs gjashtëmujor analfabetizmi….
*** Tepelena është vend malor, me dimër të ftohtë dhe borë. Urdhri ishte të shkoje në banjat e kampit për urinim, i madh e i vogël, sado ftohtë të ishte. Prenë Tarçukja, një plakë nga Puka, sikurse disa të tjerë, urinonin në kusia teneqeje natën dhe të nesërmen, fshehurazi, shkonin e i derdhnin në kanalet e ujërave të zeza te banjat. Për fatin e saj të keq, e pa polici dhe e ndaloi. E urdhëroi plakën të hiqte opingat dhe çorapet, duke e lënë zbathur në dëborë! Kusinë me urinë ia vari në qafë!
Pas këtij veprimi, i ra bilbilit të dilnin njerëzit përjashta. Ishte ende pa zbardhur mirë dhe Prena dukej si një hije në mes të dëborës. Teksa afroheshin dhe panë plakën, që dridhej e tëra nga të ftohtit, zbathur në dëborë e me kovën e urinës në qafë, Liza Tuci, vajzë burrëreshë mirditore, me disa gra e vajza të tjera që e ndoqën pas, iu turr polic Selfos me furkën e leshit për ta çarë në kokë. Por, shkurtabiqi u tregua më i shpejtë dhe i shpëtoi furkave të grave trimëresha, të cilat e morën plakën dhe e futën në kazermë. Ngjarja u konsiderua nga komanda provokim.
“Hiena”, komandanti i kampit, u fut brenda me të gjitha forcat e policisë që kishte kampi për të arrestuar grupin e grave, të cilat shpëtuan plakën pukjane, Prenë Tarçukën. Gra e vajza u armatosën me furka leshi e dru të shkurtër dhe zunë dyert e kazermave. Nuk lejuan asnjë burrë të përzihej në këtë çështje. Policët nuk guxuan të futeshin brenda. “Hiena” e pa punën pisk, zmbrapsi policët dhe kërkoi një përfaqë- si grash për të biseduar. Të shkojnë ato gra që punojnë më fort,- tha nënë Mrika, gruaja e Princit të Mirditës, Gjon Markagjonit.
Dhe përfaqësia e grave qe: Elena Merlika, Bardhe Gjonmarku, Hyri Kupi, Xhina Miraka dhe Nina Destanisha, pesë femra dinjitare, që u paraqitën në komandën e kampit për të bërë me dije kërkesat e të internuarave, të cilat do t’i paraqiste Elena Merlika, e mbështetur njëzëri nga katër të tjerat. “Hijena”, komandanti i kampit, i priti në sallën e mbledhjeve, ku ishte thirrur gjithë ekipi i policisë për t’u bërë presion që të pranonin ato çfarë do të kërkonte ai. – Sot, në kamp, është tentuar një akt terrorist nga ana e disa të internuarave. Por, efektivi i policisë, i planifikuar për t’u vrarë, u tregua i mençur dhe e shmangu aktin, prej të cilit do të rridhnin pasoja të rënda.
Kërkova një takim me një përfaqësi që ta mbyllim pa ndëshkime ekstreme. Ndaj e tërhoqa policinë të mos përplaset me gratë dhe që ta mbyllim, siç u shpreha, ju kërkoj juve ta sillni paqësisht të dënuarën Liza Tuci, për të cilën u jap garanci se nuk do ta prek askush me dorë, veç do të marrë një dënim disiplinor njëzet ditë me izolim biruce,- e mbylli “Hijena” kërkesën e butë si masë, por tepër fyese për zonjat, të cilave ua kërkonte. Pritej fjala e përfaqësisë. – Zoti komandant,- ia nisi Elena Merlika, – ligjet, edhe kur të dënon gjykata, të garantojnë disa të drejta, që mbrohen me rigorozitet.
Po ne, që nuk jemi gjykuar për asnjë faj e nuk na ka dënuar gjykata, pse po përdoremi si kafshë pune?! Madje, akoma më keq se kafshët, me punë të rënda, pa orar, pa ushqimin e duhur, në rrethana shtrënguese e me kërbaçin e policit mbas shpine! Me punë të detyruar, të dënon gjykata. Ne përdoremi për punë, madje nga më të rëndat, në shkelje të ligjit, dhe dikush do të duhet të përgjigjet për këtë padrejtësi. Vërtet kemi ardhur me kërkesën tuaj, por jo për të zbatuar atë që kërkoni ju.
Kemi marrë ca porosi, të cilat do t’ua themi sot, për t’i pasur në mendje këtej e tutje… – Nuk ju kam thirrur të jepni këshilla si të sillemi ne, por për të zbatuar urdhrat që ne ju japim!- ia preu “Hiena”, Elenës. – Zoti komandant, bëni durim sa të them atë që na kanë ngarkuar bashkëvuajtëset tona, pastaj ju vazhdoni me mënyrat tuaja,- foli Elena me qetësinë që e karakterizonte. – Hajde pra, fol të dëgjojmë mençuritë tuaja,- foli “Hiena” me tallje. – Jemi porositur t’iu themi se keni bërë me ne lloj-lloj provash gjenocidi, e torturuar të pafajshëm, ashtu sikundër ne jemi!
E keqja ka shkuar në ekstrem të saj, ndaj ne jemi betuar dhe zotuar për të mbrojtur dinjitetin e secilit prej nesh, deri në vdekje! Nuk kemi armë, por me thonj do ta mbysim çdo kriminel, që do të guxojë të prekë cilindo…! – Mjaft! Pusho! Fashiste! Se nuk është kryeministër vjehrri yt Mustafa Kruja që na bën kërcënime, por është Enver Hoxha, që i përzuri një herë e përgjithmonë tradhtarët! Dilni shpejt, mos t’ua shoh surratin!– klithi “Hiena” me zhargonin komunist.
Por mesazhi ishte marrë dhe ai po pëlciste nga inati pse e lejojë të flasë dhe të deklarojë, në sy të gjithë policëve, poshtërsitë që kishin bërë. Që të nesërmen, me fonogram, ia raportoi fjalë për fjalë ministrit të Brendshëm, ato që tha Elena Merlika, duke e paraqitur si ultimatum dhe kërkoi udhëzime veprimi. Mehmet Shehu dërgoi me urgjencë “Diabolikun”, Niqif Andoni, me udhëzime të veçanta. Informacioni i dhënë nga komanda dhe emri i Elena Merlikës kishin oshtirë fort në veshët e ministrit, ndaj kish dërguar menjëherë koordinatorin, i cili as hyri në kamp, as kontaktoi njeri nga të internuarit, veçse, duke ndjekur sjelljen e policisë në ditët në vijim, konstatoje lehtë ndryshimin rrënjësor, jo vetëm me ata që punonin, por, edhe në shërbimin e brendshëm.
Aq shumë u zbut sjellja e tyre, sa nuk të besohej se ishin ata, të cilët vetëm pak ditë më parë nuk mund t’i shihje drejt në sy, sepse e quanin provokim! Çuditërisht, tani dëgjoje prej tyre edhe fjalën “urdhëro”, kur mund t’iu drejtoheshe për diçka…/lapsi.al
——————
Lexo edhe:
Historia rrëqethëse e Qerimes, e burgosur nga regjimi komunist ditën që lindi vajzën
ObserverKult