Kjo është historia e Zaho Kokës dhe Ramize Gjebresë- prapaskenat i rrëfen dëshmitarja

Ramize Gjebrea

Nga filmat “Dimri i fundit” dhe “Malet me blerim mbuluar”, edhe ata që nuk i lidh as historia e gjyshërve me sulmet e gjermanëve gjatë operacionit të dimrit më 1943, kanë mësuar diçka. Më shumë se të tjerat, të mban vëmendjen heroizmi i atyre vajzave të një moshe fare të re të fshatit o të ardhura nga qyteti.

Ndër shumë, njëra binte veçanërisht në sy. Jo vetëm mes shoqeve, por edhe mes burrash të rëndë që lufta ndër male i kishte kalitur edhe më. Për Ramize Gjebrenë, gjirokastriten që u rrit në Berat, është folur.

Dëshmi e dokumente rreth jetës së saj të shkurtër kanë zënë shpesh faqet e gazetave. Kemi folur me një mikeshë të sajën, vajzën e vogël vunotase me të cilën Ramizeja, duke u dridhur, ka ndarë natën e fundit në një shtrat. Ollga Lazri ishte thuajse moshatare me vajzën që kishte ardhur në zonën e bregut të Shqipërisë, së pari për të kontribuar në radhët e rinisë së luftës e më pas për t’u bërë pjesë integrale e saj.

Për shkak se dy vëllezërit e saj dhe një motër më e vogël, vetëm 14 vjeç, kishin dalë partizanë, Ollga, me babain në mërgim, duhej të qëndronte në shtëpi me të ëmën. Veçse, jo me kurriz nga lufta. Edhe ajo merrej me punët e rinisë, por nuk ishte maleve me pushkë në krahë. Ishte vëllai i saj, Sofokli Lazri, që u njoh nga të parët me Ramizenë, sapo ajo zbriti në Vuno, për ta prezantuar më tej me Zaho Kokën, komandantin e çetave të jugut për të cilët ai ishte i pari. Megjithatë, i gjithë ky shkëlqim i dy figurave më të spikatura të Luftës Antifashiste nuk zgjati shumë. Siç është thënë tashmë, Ramize Gjebrea u pushkatua për shkak të dashurisë.

Një dëshmitar i vetëm doli e tha se e kishte parë nëpër shpellat e bregut bashkë me Zaho Kokën në situatë të disfavorshme për imazhin që kërkonte partia. Fjala e tij ishte kundër të gjithëve dhe mjaftoi për të shkrepur mbi trupin e 20-vjeçares edhe fishekun e fundit. A ishte vërtet dashuria goditja e patjetërsueshme e Ramizesë dhe Zahos apo “komandantët më të lartë” u frikoheshin suksesit që të dy bashkë ata po arrinin.
Në dashuruan apo jo, askush në të gjithë Jugun nuk i gjykoi. Veç qanë me kujë vajzën që kishte ndenjur vetëm pak muaj nëpër fshatra me ta. Nuk kishin parë të ngjashme deri më parë. Se si ishte historia, parë tashmë nga një dëshmitare e moshatare e Ramizesë, mund ta kuptojmë më mirë duke folur me Ollgën. Ajo ende lexon gjithë kujtimet e librat që janë shkruar për Ramizen, duke mos e shlyer kurrë nga koka imazhin e saj të fundit dhe duart që i dridheshin në kraharor…

Si e keni njohur Ramizenë?

Thuajse sapo zbriti në Jugun e Shqipërisë, Ramizeja u njoh menjëherë me tim vëlla, Sofokli Lazrin, që ishte partizan. Të njëjtën gjë kishte bërë edhe vëllai im tjetër dhe motra më e vogël 14-vjeçare. Pra, e gjithë familja ishte në atmosferën e luftës dhe shtëpia jonë në Vuno, siç merret me mend e siç ka treguar historia, kthehej shpesh në bujtinë për shokët e tyre të tjerë partizanë. Njëra ndër to ishte edhe Ramizeja. Përveçse, edhe unë isha pjesë aktive në organizatën e rinisë antifashiste. Nisi të vinte shpesh në shtëpinë tonë bashkë me shokë të tjerë, ndër ta dhe Zaho Koka.

Si ishte, na flisni pak për të ashtu siç e kujtoni nga ato përshtypjet e para…

Ramizenë e deshën menjëherë të gjithë. Kishte vullnet dhe këmbëngulje të jashtëzakonshme në gjithçka që bënte e thoshte. Sado që në moshë fare të re, kishte logjikë të admirueshme në rrjedhshmërinë e gjykimit, pasion në të folur, gojëtari për t’u pasur zili. Ndoshta të gjitha këto ngjallën zili…

Ç’doni të thoni me këtë?

Dua të them që si Ramizeja, si Zaho ishin ndoshta rrezik për të gjithë ata që donin vendet e kreut. Me siguri, të dy ata do të ishin ndër drejtuesit e vendimmarrësit e mëvonshëm të Shqipërisë, por u zhdukën….

Pra, dashuria me Zahon është një vënie në skenë. Përderisa edhe ata që e vranë u bënë pishman pak kohë më vonë, kur gjithsesi nuk kishte më vlerë…
E dini, bregu i detit ka qenë asokohe më i hapur nga ana e mentalitetit. Për dashurinë me Zahon, njerëzit e morën vesh vetëm pas pushkatimit me Ramizenë dhe të gjithëve, përveçse u erdhi shumë keq, ishin të çuditur se si mund të dënohej njeriu për shkak të dashurisë! Madje, thoshin, shumë mirë nëse ishin të dashuruar, le të ndiqnin rrugën e tyre.

Po, por nga ana tjetër, Ramizeja ishte e fejuar me Nako Spiron…

Asokohe, fejesat ishin të stisura për njerëzit e luftës që duhet të luftonin maleve për t’iu mbyllur gojën njerëzve, që të mos flisnin rreth tyre. Duke i prezantuar si të fejuar, puna ishte më e qetë. Siç nuk ishte për të dhe Zahon… Në të vërtetë, a është diskutuar ndonjëherë në Vuno, përpara pushkatimit, në rrethet e partizanëve apo të njohurve të afërt, për dashurinë mes tyre. Dikush i kishte parë… Zaho kishte shtëpinë e njerëzve të tij poshtë në Jal. Shkonin shpesh qëndronin atje, por bashkë me partizanë të tjerë. Më vonë u tha se kanë qenë edhe vetëm, nuk di t’jua them, por thelbi nuk qëndron fare këtu.

Jo, në fakt nuk duam të themi asgjë të rithënë. Na tregoni për natën e saj të fundit. Thatë se e ka kaluar në shtëpinë tuaj?

Atë natë Ramizeja kishte nisur të nuhaste diçka, i kishte marrë disa sinjale, sepse ishte gjithë kohës në ankth. Im vëlla ishte plagosur dhe qëndronte gjithë kohës i shtrirë në dhomën e zjarrit. Ajo më kërkoi t’i shtroja edhe rrobat tona aty për të qëndruar pranë tij dhe ashtu bëra, sado që Zahoja tha të flinim (ne vajzat) në dhomën lart. Atëherë partizanët flinin jo vetëm të veshur, por duke mbajtur edhe armët në trup. I pari u kumbis Zahoja, që donte të dukej se nuk shqetësohej për asgjë.
Pas tij, pak më vonë, u shtrimë edhe ne për pak orë dhe kemi qëndruar ngjitur me njëra-tjetrën, kurriz më kurriz. Më ka shtrënguar fort përgjatë gjithë natës dhe ndieja që gati i plaste kraharori, qante nën jorgan. U shtri për të fjetur, por gjumë në sy nuk vuri. Më kujtohet që përpara se të shtrihej i pat recituar tim vëllai një pjesë nga “Ferri” i Dantes, ku flitej për dashurinë e Françeskës me Paolo Malatestën. I gjithë recitimi ishte si një rënkim i gjatë nën zë. Vëllai im, Sofoja, e përshkruan kështu këtë skenë në librin e tij “Rikthimi i dhimbjes”: “La bocca mi bacio tutto tremante”- përsëriti duke shtuar se sa bukur e kishte përmbledhur ndjenjën në një fjali të vetme.

Në ato momente, fjalët e saj u komentuan si të një njeriu të apasionuar pas letërsisë, ende nuk dinim asgjë, pra nuk mund ta lidhnim me ndonjë gjendje të saj shpirtërore. Ime më që nuk i pëlqyen edhe aq këto sjellje, ndërhyri duke thënë “Dëgjo bijo, po gdhihet e ti me Zahon do ikni shpejt në Ramicë, se u kërkon kumanda. Le të mbarojë lufta e të shpëtojmë gjallë, pa do bëni edhe nga këto shkollëra, do bëheni doktorë me doemos”- doktori konsiderohej kulmi i diturisë.
“Ja edhe pak mëma e Sofos”, iu përgjigj.” Pas kësaj, në mënyrë që askush përveç Sofos të mos kuptonte, nisi të fliste italisht për cilësitë e Zahos. Aq sa atij nuk iu desh shumë për të kuptuar dashurinë e saj për të. Ai kishte qenë i pari që dyshoi që në ato momente, por natyrisht pa e ndarë këtë me të tjerë. Pas kësaj nuk foli më. Në mëngjes, ime më u përgatit për të ngrënë dhe ua dha me vete. Erdhi Zaho ta merrte dhe u nisën. Nuk kaluan shumë orë përpara se të mbërrinte lajmi se e kishin pushkatuar.

Pse mendoni se e çuan deri në Ramicë për ta bërë këtë gjë?

Sepse atje e kishin më të thjeshtë. Ajo ishte një vajzë fare e vetme, që nuk mund ta mbronte askush. Njerëzit e familjes së saj ishin larg. Nëse do ta kishin bërë këtë gjë në Vuno apo në ndonjë zonë tjetër të jugut, populli do të kishte reaguar, ndoshta edhe do ta kishte penguar pushkatimin, aq i fortë ishte reagimi pas vrasjes së saj, sa e mendoj vërtet këtë.

Pse nuk e vranë Zahon?

Se e dinin që do t’u ngrihej gjithë Himara e do t’u vihej kundër. Ai ishte mjaft i famshëm në radhët e luftës, njerëzit e donin dhe e vlerësonin, e kishin pikë referimi. Pastaj, Himara e jugu në përgjithësi nuk e kishte për turp dashurinë. Gratë e fshatit dhe nëna ime e qanë me kujë e me ligje për ditë të tëra, aq shumë e deshën. Edhe në Ramicë, megjithëse u mendua si një proces më i lehtë, vajzat që kishin vënë për t’i drejtuar pushkën kishin qenë jo pak të tronditura. Ato nuk donin ta qëllonin dhe i drejtonin plumbat anash. Të paktën kështu na kanë treguar.

Kishin hezituar… megjithatë në fund…

Eh, në fund do bënin atë që i kishin urdhëruar. Megjithatë, Ramizeja as që e priste fundin. E dinte se ndoshta do të shkonte atje për të bërë ndonjë autokritikë, por kurrsesi pushkatimin. Dy vajzat partizane që duhet ta qëllonin, së pari kishin goditur në drejtim tjetër, ngase nuk u bënin duart. Ajo u pat thënë “Ç’bëni kështu, ç’është e gjithë kjo”, por nuk arriti të flasë ende për gjatë… Kjo histori jetoi për shumë e shumë vite në Vuno, askush nuk mund ta harronte. Ashtu siç ime motër nuk mund të harronte se si vranë një partizan 14- vjeçar vetëm për një kalli misër.

Ç’mund të na thoni për dëshminë, ku thuhet se i kanë parë të dy në shpellë? Keni dëgjuar ndonjë variant historie asokohe?

Patjetër, kam dëgjuar nga im vëlla, që ishte gjithnjë pranë tyre. Zaho vetë u kishte rrëfyer disa shokëve të tij më vonë se natën pasi kishte shkuar për të kontrolluar pozicionet e luftëtarëve të tij, ishte drejtuar për të shpella e Ilqes. Ramizeja nuk ishte aty, por ai nuk e kërkoi. Ja, lexoje te libri i Sofos:
“Kuadrot qëndronin të shpërndarë në kompanitë e skuadrat partizane, të gatshëm për t’i drejtuar e udhëhequr në çdo situatë. Kur ra nata, Zahua u fut në shpellë, ku ishin partizanët e bërë kruspull, të ngjitur e të shtrënguar me njëri-tjetrin. Bënte shumë ftohtë e vend për të ndezur zjarr nuk kishte. Pas pak aty erdhi Ramizeja. Ajo qëndroi afër grykës së shpellës, por atje të grinte era. Hodhi sytë rreth e rrotull për të gjetur ndonjë pëllëmbë vend të pa zënë, por nuk gjeti. Ajo pa vetëm Zahon të mbështjellë me një kapotë ushtarake e të shtrirë kundruall hyrjes së shpellës për të diktuar e dëgjuar zhurmat që vinin nga jashtë. Ajo shkoi qëndroi fare pranë tij. Dridhej e tëra.

Në këtë gjendje e hodhi turpin tej e i kërkoi me zë të mekur të ngrohej pranë tij. Zahua nuk iu përgjigj, por hapi kapotën dhe e afroi pranë vetes. “M’i jep duart të t’i ngroh”, i pati thënë. Ajo ia pat vënë duart përpara fytyrës dhe ai ia ngrohte me frymë. S’kaloi shumë dhe ajo nisi të ndjejë shpinën t’i ngrohej. I kërkoi të kthehej nga ana tjetër, ta ngrohte, por ai nuk lëvizi, as ajo nuk foli. Takuan buzët dhe nuk u shqitën më. Do thoni a mund të lindë dashuria në një kohë kur s’është kohë, kur jeta është në fije të perit e njeriu mendon vetëm të gjejë një shteg?!” Mbase pikërisht në këto grahma mund të lindë dashuria, kush është ai që mund ta gjykojë? Në luftë njeriu është tjetërsoj… /panorama

ObserverKult

_____________________

Lexo edhe:

FJALËT E FUNDIT TË RAMIZE GJEBREAS E CILA U AKUZUA SE KISHTE LIDHJE ZAHO KOKËN…