Kjo rini që shkon për në dreq!


Nga Hamdi Skeja

Dita-ditës ky popull po lë rrugën e njerëzimit, i ushqyer keq dhe merr rrugën për në dreq. Para dhjetë ditësh pata një intervistë pune, kërkoja punë. Përballë meje në zyrën e tij ishte një burrë rreth të pesëdhjetave, një tip gangsteri që nuk kishte flokë, një qafë e trashë si një dem i ruajtur mirë në rregjim stallor që mbahen për kilogram mishi, qafës së trashë kishte një zinxhir floriri minimumi mund të kushtonte dy milion lekë.
-Djali, më pyeti: me çfarë merresh? Kam katër libra me poezi në treg, por që kam nevojë për punë.
-Po më thua që merresh me libra? Çfarë të duhen? Kush lexon? E mbi të gjitha pse të lexojmë?

Këto pyetje më ranë si rrufe mbi kokë dhe nuk e zgjata, sepse nuk isha në vendin e duhur, madje isha në vendin e gabuar, fatkeqesisht. Mora leje dhe ika!
Që ky popull po shkon për dreq, jo vetëm se ky qafë trashi ma vërtetoi, por e ndeshim kudo.
Që ky popull e ka humbur rrugën e jetesës, kjo vazhdon që në politikë, më pas në Rend, në kulturë, në shëndetësi, në arsim, dhe mbaron te rinia e këtij vendi.
Kur lexoj që thonë se rinia do ta ndryshoj fatin e shqipërisë, më vjen të qesh dhe qaj njëkohësisht.

Tallja, përbuzja dhe bullizmi vazhdon nga Kryeministria, dhe deri te politikanët e thjesht që rreth vetës mbajnë rininë duke i gënjyer me nga një kafe. Apo me ndonjë premtim për vend pune.

Rinia e këtij vendi janë pozicionuar disa djathtas, disa majtas, disa në mes, dhe pjesa tjetër kanë mbetur si të hutuar me mendje të mykur, e me sy e vesh kush t’i marr.
Në fakt duhet të ishte krejt ndryshe, sepse rinia është çelësi i shpresës.
-Çelësi i shpresës, thashë? Nuk ka më shpresë ky vend përderisa kjo rini ja shet shpirtin djallit, politikës, llumit dhe antivlerave.

Aq më e dhimbshme është kur kjo rini na kujton dhe mundohet t’i mbush mendjen këtij “katundit të vogël” si unë dhe disa te tjerë, që më e mira nuk ka ardhur ende dhe se duhet ta mbështesim që X politikan do jetë ndryshe.

Kjo është ajo rruga e tij natyrisht kanceroze, sepse ai apo ajo e bën për veten.
Për të mos shkuar ky popull për dreq, duhet një rrugë tjetër, një mënyrë tjetër, një mësim tjetër, dhe kjo duhet bërë ndryshe; që rinia e këtij vendi duhet të jetë kundra llumit, antivlerave dhe bullizmit, të dal nga kthetrat e shitjes se vetes dhe të kërkoj më të mirën, që në zyra shtetërore mos të punësohen njerëz të paaftë , apo njerëz që i kanë bërë “fllad “ eprorit.

Për të mos shkuar ky popull për dreq, duhet që mos ja shesin shpirtin djallit për një vend pune, apo edhe mos të kenë adhurues në politikë, në punë, në bankat e shkollës. Duhet të kenë adhurues veten e tyre. Sepse një njeri qe nuk do vetën, nuk do askënd.
Kjo rini ka më shumë shqetësim për antivlerat sesa për vlerat. Rinia që ka humbur rrugën e rinisë! Kjo pak rini që ka mbetur.

Ah, edhe diçka: njerëzit që shkruajnë, nuk duhet të mbajnë epitetin “shoqëri civile “ 90% e tyre e bëjnë ose për famë, ose për zhurmë.
Kurse 10% e tjetër e kësaj kategorie e bëjnë për dinjitet.
Për të mos shkuar ky popull për dreq duhet ndryshuar në ADN-n e mendimit, e më pas deri te ADN-ja e veprimit.

Për të mos shkuar ky popull për dreq duhet që rinia nuk duhet të dalin shesheve vetëm kur i thërret politika, madje duhet të dalin pa prezencën e tyre.
E për t’i bërë të gjitha këto duhet të ulen si fillim përballë vetes dhe ti thonë: -Unë duhet të bëj më të mirën për veten dhe familjen, shoqërinë dhe vendin. Nëse nuk ndodh kjo, ky vend do të shkoj çdo ditë e më keq për në dreq!

ObserverKult


Hamdi Skeja

Lexo edhe:

KY POPULL HESHT KUR E OFENDOJNË, KUR E POSHTËROJNË, KUR E SHTYJNË, KUR E SHAJNË…