Klodian Kojashi: Manual i shkurtë mbijetese në Shkodër

kojashi mbase

Manual i shkurtë mbijetese në Shkodër“, nga Klodian Kojashi

(Mbështet tek përvoja e udhëtimit të fundit)

1. Mos i bjer telefonit të askujt nga ora 14 deri në 17 nëse s’don me të marrë inat.

2. Shkodrani kur të pyte “si je” don vërtetë me ditë si je prandaj mos i kthe përgjigje për shpejt. Ndalu, informoju mirë mbi veten, mendoju e përgjigju.

3. Berberët historikisht kanë marrë vesh nga futbolli ma shumë se trajnerat.

4. Këtë kohë ban ma shtrejt me mbush specat se me mbush dhambt.

5. Kudo, bar, dyqan, restorant, farmaci, kudo ka telekamera që s’dihet tamam kush i shef prandaj ti veshu bukur gjithmonë. Tregoju atyne që të shofin që je qytetar i ndershëm i gatshëm me pagu taksat shtetit e kujtdo tjetër që të t’i kërkojnë një ditë.

6. Nëse je i ri e po kërkon dashurinë del në pedonale. Rrugës fillo mendo edhe për emrat e fmive.

7. Nëse ke pytë dikë si je si po kalon e të thotë: “hiç, ishtu”. Atëherë dije që i ka mbet hatri, të ka inat ose ka naj hall.

8.Kanë mbet pak por mundesh akoma me taku ndonjë që thotë frazën magjike: Amerika i ka në dorë këto punë, me dashtë ajo e ban këtë vend si duhet.

9. Merre me vedi nji kostum të mirë ti Zotni edhe ju Zojë një fustan të mirë. S’po them për dasma a për bankete po ta keni për kur uleni me tretë mbeturinat.

10. Mundet me ndodhë që të len kamarieri bakshish. Mos u çudit.

11. Mos kalo nga Zdralja paradite. Aq i freskt e i lëvizshëm asht peshku që shesin sa ty e pa të duket vedi i sëmurë.

12. Kur e thojnë diçka a e kanë seriozisht apo me qeshë? Të dyja. S’dinë me i nda. Prandaj kur të han grethi shkodrant të pysin a asht âj(me titra: enjtur)? Njësoj thojnë edhe kur qeshin: Me u âj… Loja edhe jeta s’janë të ndame. Shkodrant e losin bukur jetën e jetojnë për lojë,

13. Para se me porositë pica taxi lexo librin Shkodra dhe Motet të Hamdi Bushatit, janë disa vëllime, se ta po të duhet për me ditë me ia shpjegu atij të picave ku e ke shpinë tamam

14. Mos ec shumë shpejt nëpër pijacë nëse s’je i huj. Ti ndoshta ke punë po edhe ata që shef përreth ulun në kafe kanë punë. S’ke punë veç ti, duket sikur po iu shet mend.

15. Nëse vjen prej jashtë mos u tremb prej qejve në pedonale. Dikur kanë ken ma kurioz tash përtojnë edhe me lëviz, gjysa janë në pritje me iu dalë letrat për Amerikë.

16. Mos u habit kur të shohësh shtyllat e elektrikut ku lidhen 100 milion tela. Shkodrant nën tokë rujnë veç të deknit. Tana tjerat i kanë në hava.

17. Lokalet kanë nji pjesë si shtojcë të mbyllun. Aty pihet duhan e po i pyte pse a lejohet të thojnë me seriozitet: po se këtu asht jashtë. Ne fakt je krejt i mbyllun po do ketë naj spiral ndokund. Ti aty rri. Prej duhanit ke me dek ma herët po të pakten kërkush s’ka me thanë sa gjynah i shkreti vdiq pa ken në Shkodër.

18. Mos i pyt si shkojnë punët në Shqipni. Vetëm sa i ven në siklet kot. Shkodrani ban 4 ditë me makinë me hy në Tiranë. Në Shkodër kanë ma afër Firencën e Stambollin

19. Nëse don me ba pazar shko në Mal të Zi se janë gjanat ma lirë. Në Shkodër blejnë veç malazezt se për to asht ma lirë këtej.

20. Por ma kryesorja. Futi nji mendje të lehtë. Shkodrant ia ndijnë erën gjykimit. Kur ecë nëpër rrugë ata të shofin dhe e kuptojnë prej larg a je tu mendu keq a mirë. Ata e dinë mirë gjithçka që shkon e nuk shkon. Çdo gja ka kohën e vet. Rri si njeri me njerzit e ke me shiju gjithçka.

ObserverKult


kojashi mbase

Lexo edhe:

CIKËL ME POEZI TË KLODIAN KOJASHIT: DASHNÌA ASHT URÍ…

Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish të Klodian Kojashit:

Ka zemra
n’zemër
diçka të veçantë
që s’e dinë as vetë.
O gjâ e pashpjegueshme
që vallzon
në barkun e zemrës
pse të du?

***

Nata kaloi
Dita zbriti
prej majës së pemëve plot dimër
Dy mollza të skuquna lehtë
janë gjith çka mbeti
prej sa u deshtën

Poezitë mund ti lexoni KËTU:

ObserverKult