Klouni ‘Loli’ rrëfen jetën dhe peripecitë: Nga penalizimi për ‘një palë mustaqe’ te humbja e nipit

Në studion e “Esencë” ishte artisti Vilson Gjoçaj. Sot në moshën 86-vjeçare Vilsoni ka pafund ngjarje e histori që e lidhin ngushtë me fëmijërinë, fillimet e punës si aktor në “Estradën e Ushtarit”, rolet në filma e teatër.

Vilsoni tregoi plot pasion dëshirën e madhe që ka pasur e ka për skenën, për të shkruar skeçe e për të luajtur role që e mbajnë afër publikut. Duke mos harruar ‘Lolin’ e famshëm, klounin që ka rritur e argëtuar breza të tërë me lojërat humorin e tij.

Vilsoni kujton kohën e Pallatit të Pionierit nga ku kanë dalë breza të tërë artistësh, e një ndër ta tashmë koleg e mik i ngushtë prej shumë vitesh regjisori i mirënjohur Milto Kutali, i cili ndan në formë surprize një videomesazh nga kujtimet e fëmijërisë.

Si shumë artistë në ato vite edhe Vilsoni ka pasur momentet e vështira të censurës “Më penalizuan për një palë mustaqe” rrëfen ai një ndër momentet më të vështira që e shkëputën nga skena për shumë vite, vetëm se gjatë ndërrimit të veshjes për rolin e radhës ngjiti në bustin e ish-diktatorit mustaqet që kish përdorur në rol.

Vilsoni flet plot krenari për familjen e tij, për marrëdhënien me vajzat dhe mungesën që shpesh i është dashur të përballojë familja e tij si pasojë e punës intensive. Një nga momentet më të vështira të jetës e përlot teksa përmendet në bisedë, ndarja nga jeta e nipit të tij në moshën 20-vjeçare.

“Kjo është një pikë e tmerrshme që kam shpirtërisht, na ndau jeta kështu… në një aksident im nip u nda nga jeta fatkeqësisht. Do ta marr me vete çfarë të them, njeriu duhet të jetë i fortë por nuk e harroj dot kurrë. Më merrte shpesh në grupin e shokëve te vet dhe iu thoshte: – Do sjell gjyshin se ai na bën për të qeshur. Një dhimbje që nuk shqitet kurrë…”/shqiptarja.com


Lexo edhe:

AMANETI I “LOLI” KLOUNIT: MOS PRANONI TITULL PAS VDEKJES… VILSON GJOCA NË NJË RRËFIM TË PADËGJUAR