Shpikja e programimit kompjuterik daton prej shekullit të 19-të dhe kjo, falë një gruaje: Ada Lovelace. E bija e poetit Lord Bajron, edhe pse do të jetë e ëma ajo që do t’i sigurojë arsimimin, Ada Lovelace ishte e para që vuri bazat e atij që do të bëhej kodi kompjuterik, pra programimi i makinerive.
Në vitin 1832, kur ishte vetëm 17-vjeç, ajo takoi matematikanin anglez Charles Babbage, i cili po përpiqej të provonte një makinë llogaritëse. E mirinformuar në matematikë, ajo e kuptoi shumë shpejt potencialin e një pajisjeje të tillë. Ada hartoi një shënim të hollësishëm, ku shpjegonte se si mund të bëhej një llogaritje komplekse me makinë, hap pas hapi. Pra, ishte ajo që shpiku parimin e programimit kompjuterik dhe algoritmet.
Ada Lovelace, lindi më 10 dhjetor 1815, si fryt i dashurisë ‘së trazuar’ të Lord Bajronit, poetit romantik, talenti i të cilit përkonte vetëm me shijen e arratisjeve romantike, një baba që nuk do ta njihte kurrë, me Anabella Milanke, matematikane e famshme, që Bajronit i pëlqente ta quante “Princesha e paralelogrameve” të mia…
Vajza e poetit ishte vetëm dy muajshe, kur i ati u largua nga Anglia drejt Greqisë, për të luftuar përkrah partizanëve të pavarësisë. Ajo nuk do ta shihte kurrë të atin. E ëma, një grua inteligjente dhe energjike, e hidhëruar nga fyerjet dhe shpërfilljet e të shoqit, si dhe divorci pasuar në një atmosferë skandali, e shqetësonte e ardhmja dhe edukimi i Adës. Natyrisht që vajza e kishte trashëguar gjenialitetin e të atit, por a do të ishte po kaq fantastike dhe e pamoralshme? Prandaj, ajo do ta mbante sa më larg poezisë, duke i mësuar matematikën, moralin e shkencën.
Nicolas Witkowski, fizikant dhe autor i esesë femrat në historinë e shkencave “Tepër të bukura për Nobel”, shprehet: “Atë çfarë ajo po kërkonte, ishte më shumë një metafizikë sesa një shkencë ose një teknikë. Një mënyrë për të jetuar. Në një çast, ajo propozon të përdorë trupin e vet, si laborator molekular. Jo vetëm që ajo parashikon informatikën dhe kompjuterin, por parashikon deri diku neuroshkencën”.
Ada Lovelace është shkencëtarja e parë që prezantoi idenë e inteligjencës artificiale, kushtuar zgjidhjes së problemeve komplekse, duke kaluar nga llogaritja e pastër numerike në atë analitike. Gjatë ekzistencës së saj të shkurtër (por brilante), Ada Lovelace ishte e etur të “zhvillonte një shkencë poetike”… një nga përkufizimet më të mira, pa dyshim, për shkencën kompjuterike.
27 vjeç, Ada përktheu artikullin e një inxhinieri italian për makinat llogaritëse. Në shënimet e gjetura, ajo skicon atë që do ta lejonte një makinë të vepronte vetë. Po ashtu, ajo përshkruan sekuencën e udhëzimeve që duhet të jepen për të përfunduar një sekuencë matematikore, deri në pozicionin e dhëmbëzave. Sipas saj, makineria mund të manipulonte numra, por edhe shkronja dhe simbole, përtej llogaritjes numerike. Makineria “end modele algjebrike si tezgjahu i Jacquard end lule dhe gjethe”. Njëlloj si gratë e tjera shkencëtare të asaj epoke, ajo e nënshkruan artikullin vetëm me inicialet.
Vdiq nga kanceri i mitrës, kur ishet vetëm 36-vjeçe, më 27 nëntor 1852. U varros, sipas amanetit, pranë të atit, i cili po ashtu vdiq në moshën 36-vjeç. Çarls Dikens, i cili kishte qenë miku i saj, i lexoi një tekst para arkivolit. Duhet të prisnim deri në vitin 1930, kur Alan Turing të zyrtarizonte kalkulatorin universal që manipulonte simbolet. Ada qëndroi për një kohë të gjatë në harresë, e neglizhuar, pavarësisht njohjes graduale dhe të papritur.
Në vitin 1979, Departamenti i Mbrojtjes së SHBA-së emërtoi një gjuhë programimi “Ada”, kurse CNRS emërtoi një nga superkompjuterët e tij në homazh të saj./Konica.al