Kodi mistik i Edenit


(ProForma, ese narrativ)

Nga Prend Buzhala

Kur Adami e Eva u gjendën në Kopshtin e Edenit, hasën edhe në botën shtazore e bimore. Duke shkuar nga bima në bimë, duke takuar kafshët e llojeve të panumërta, ata zunë t’i emërtonin ato. Ku ta dimë se a i gjetën të gatshëm emrat nga Hyji i Gjithëpushtetshëm, apo, meqë kishin dhuratë hyjnore edhe ndërgjegjen dhe të folurit, ata mbase ndërtuan marrëveshjen e parë për emërtime. Emërtuan kafshë, bimë, mandej zunë t’i emërtojnë njerëzit, pasardhësit. Mbase, emërtimin e tyre, me anë të komunikimeve të panjohura, ua mësuan vetë bimët dhe kafshët. Mund t’i kenë njohur emërtimet e planetëve, të një rendi tjetër kozmik, mund ta kenë pasur atë njohurinë universale për kozmosin, mbasi atë e kishin si në shuplakë të dorës, por, ne nuk dimë: në u zhdukën këto njohur me bjerrjen e atij Kopshti Universal parajsor, apo, me vdekjen e tyre, nuk arritën të lënë trashëgim gjithë atë që e kishin urti parajsore edenike.

Mos u mashtroni, ky ese nuk përbën shkencë, as përmasë edukimi a pedagogjie, as teologjie, ato po ua lëmë pronë të tjerëve. Nuk është as mesazh, as nuk operon me nocionet e qartësisë apo të paqartësisë iluministe.
Është krijesë e trillit refleksiv, që vjen nga të tjera përmasa.
Ato krijesa të para njerëzore të kësaj bote, mund t’ua kenë dhënë edhe ndonjë dhunti a mjeshtëri bimëve e kafshëve. Bie fjala, me një bilbil të komunikonin përmes melodisë së shqiptimit të fjalëve, me një tigër: të folurit e zemëruar, agresiv, luftarak, babaxhan, ose me një lule të folurit me pëshpëritje. Tipat e të folurit do të kenë qenë të shumtë: ligjërimi i luleve, ligjërimi i kafshëve, apo i yjeve, ishte i barasvlershëm me ligjërimin njerëzor.
Por, si duket, me bjerrjen e Parajsës, njeriu humbi prirjen të komunikonte me kafshët, me bimët e universin.
E humbën rolin e emëruesit e të emërtuesit.
I humbën përmasat tjera të komunikimit bimor, shtazor dhe kozmologjik.
Dhe ka miliona vjet që Ky Njeri përpiqet ta zërë këtë mjeshtëri e prirje të humbur komunikimi nëpërmes vibrimeve mistike.
Vetëm shkrimtarët, përgjithësisht artistët, zënë diçka nga ato dhunti të dikurshme, të lashta, nëpërmes Fjalës Artistike, Melodisë apo Vijës Figurative. Nëse depërtojnë në atë mister ligjërimesh të humbura, prapë ata e bëjnë me të folurit njerëzor. Dhe po ndodhi që të komunikojnë me një tjetër botë, qoftë me botën e kafshëve apo të bimëve, apo të universit, atëherë atyre iu duhet të zhyten në përmasën ekzistenciale që nuk i takon kësaj bote.
Mirë, lexuesi ka të drejtë të mos e besojë, ose ta besojë këtë që po e shënojmë këtu. Porse, kur e humbën a u dhanë pas bjerrjes së kësaj prirjeve komunikimi përmasash të panjohura për ne; at, në Kopshtin e Edenit, qenë paraqitur jo një gjarpër, por dy gjarpërinj. Ata duhej për ta zgjedhur njërin midis dy gjarpërinjve, ose të mos i dëgjonin fare tundimet e tyre.
Njeriu u shndërrua në qenie kureshtare.
Si duket, e lexoi Kodin Mistik të Hyjit: mos e prekni Pemën e Dije! Mos hani nga pema e Dijes!
Kurse Kodi Hyjnor sikur do të thotë: pikërisht atë pemë hajeni, prekeni!
Njeriu u vu para alternativës: a të jetë qenie e vullnetshme, e lirë, e vdekshme, apo qenie hyjnore, pafundësisht e pavdekshme, me dijet e universit?!
Mirë, zgjedhja e vullneti i lirë ende nuk ishin të njohur si alternativa që ua shpalli Perëndia, pa e ngrënë mollën:
a dëshironi të qëndroni të pavdekshëm si qenie parajsore, me këto njohuri parajsore që keni,
apo dëshironi të mos më shihni më mua, as Parajsën, por të zgjidhni vullnetin tuaj të lirë të qenieve të vdekshme: do të dini shumëçka tjetër, do të përjetoni kënaqësi të pa përjetuara, do ta dini kënaqësinë e vuajtjes dhe helmin e saj, optimizmin dhe dëshpërimin, me një fjalë, një univers të botës kalimtare, që përfundon si një frymë?
Adami e Eva, nga kureshtja, zgjodhën të dytën.
Dhe ende pasardhësit e tyre dremiten, vuajnë, lumturohen, përplasen, bëjnë luftëra e paqe, përgjaken e pajtohen, punojnë dhe shkatërrojnë, dashurojnë dhe urrejnë, shesin shpirtin dhe martirizohen, skllavërojnë njëri-tjetrin dhe çlirojnë e çlirohen.
Ende nuk e kanë shtruar pyetjen fundore: e kur të ndodhë “çlirimi i plotë” nga skllavërimi i vullnetit të lirë, çka do të ndodhë?!
Apokalipsi apo në mos zbret mes nesh Kopshti i Edenit?!/ ObserverKult