Nga: Monika Stafa
Në historinë e letërsisë së shekullit XXI, Ismail Kadare është shkrimtari më i rëndësishëm. Librat e tij të përkthyer në gati 45 gjuhë, vijojnë të tregojnë kudo në botë historinë e një Shqipërie fantastike, me një kulturë e gjuhë që josh cdo vit miliona lexues të kërkojnë më shumë rreth saj.
Më orvatet tashmë në mendje gjenerali tek vepra “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, ku i dehur nga ritmi i daulleve, ngashërimi i violinave, zëri i gërnetës, ndjen kur heshtja pllakos, dicka të magjishme.
Dasma, kjo traditë kaq domethënëse në historinë e shqiptarit, përdoret në veprën e Kadaresë si një imazh i rëndësishëm i identitetit tonë etno-kulturor.
Në një Shqipëri që për gati gjysëm shekulli përshkrohet nga diktatura, shkrimtari arrin të shohë vazhdimësinë përmes gjuhës, muzikës, apo ruajtjes së traditës.
Kritika botërore vijon të gjejë element të një moderniteti që pasuron letërsinë botërore që e ka origjinën në rrënjët e thella të folklorit e traditës sonë.
Por nuk do doja të ndalesha tek universaliteti i një vepre që e bëri letërsinë shqipe pjesë të letërsisë botërore që në fillim të viteve ‘70-të, ndërsa vendi përjetonte ende komunizmin.
Do doja të flisja për një dimension tjetër të shkrimtarit i cili vjen në fillim të këtij shekulli si një lëndë e rëndësishme për gjithë ata që do të merren më vonë me studimin e jetës dhe veprës së tij.
Botimi i librit “Kohë për rrëfim- Dialog me Alda Bardhylin”, (Sh.B. Onufri) në 85-vjetorin e lindjes së shkrimtarit, është një ngjarje jo vetëm për kulturën shqiptare. Jason Goodwin, një nga mendjet e ndritura të letrave bashkëkohore, i quan me të drejtë në parathënien që i bën librit, si “bisedat e shekullit XXI që do të kenë jehonë përtej Shqipërisë”.
Historia jonë letrare është e varfër përsa i përket rrëfimeve të tilla. Petro Marko, për vetë formimin e tij europian, është i vetmi që ka lënë një dëshmi të tillë tek “Intervistë me vetveten, Retë dhe Gurët”.
E vetëm disa vite pasi kishte lajmëruar se “nuk do të shkruante më”, Kadare vjen në këto rrëfime duke na treguar historinë e jashtëzakonshme të një letërsie, vendi, kulture e gjuhe.
Një rrëfim që më kujton bisedën e pambaruar të Philip Roth me Benjamin Taylor, e cila erdhi në librin “Filip Roth dhe unë”, vecse ndryshe nga Roth, Kadare përshkron zona të fshehta të ndërgjegjës me një sinqeritet mahnitës.
Libri nis me magjepsjen nga Makbethi, duke treguar rëndësinë që pati njohja herët me letërsinë e madhe në jetën e tij, për të vijuar me Moskën liberale, Pastërnakun, kthimin në Shqipërinë komuniste, korpusin e veprave, Kosovën, Kinën, dashurinë, gruan dhe vdekjen.
Kadare heq tisin e një hije të rëndë me të cilën jemi mësuar ta shohim, dhe na shfaqet me imazhin e një burri të ndjeshëm siç çdo burrë tjetër në raport me gratë.
Ai pranon se dashuria ka feksur shpesh në jetën e tij, duke na treguar një Kadare të tërhequr nga pasioni ashtu si në veprat e tij duke treguar se shkrimtari vetëm Krisht s’mund të jetë.
“Për dashurinë që shemb një burrë”, pranonte Lasgush Poradeci. Në historinë e shkrimtarëve që jetuan në vendet ish -komuniste, Kadare është ndoshta më i guximshmi.
Jo vetëm për faktin se arriti të përballet me diktatorin duke e shndërruar në një personazh, por dhe arriti të krijonte një flirt dashurie pikërisht në zemër të pushtetit.
Për herë të parë në “Kohë për rrëfim”, ai flet për këtë dashuri, për të cilën ishte në dijeni dhe vetë Enver Hoxha.
Kjo aventurë dashurore merr një tjetër kuptim në këtë shekull, duke ravijëzuar tek ne një Kadare që ashtu si Hemingway nuk dorëzohej përballë dashurisë. Por para kujt dorëzohet shkrimtari?! Këtë s’munda ta zbuloj kurrë. Te askush, askund.
“Kohë për rrëfim” me Alda Bardhylin, nuk është vetëm një libër për dashurinë, por dhe për mënyrën sesi letërsia e madhe arrin të sfidojë dhe diktaturat më të egra.
Më pëlqen ta shohë Kadarenë në këtë kënd të sinqertë ku shfaq veten pas kaq kohësh, duke i besuar veshit jo kaq rastësor të Alda Bardhylit, disa copëza jete.
Një Kadare që shkëlqen, po aq sa vepra e tij. Ndaj për këtë arsye lumi i tërbimit është ndezur si gjithmonë dhe nuk i ka shpëtuar, edhe kësaj here…