Koloni artistike në Harilaq

Artistë me bagazh e profile të ndryshme janë bërë bashkë në një vend.

Brenda të njëjtit ambient, nëpërmjet ngjyrave e stilit, secili po jetëson vepra arti.

Edicioni i nëntë i festivalit ndërkombëtar “Euro Kosova Art” ka mbledhur në Harilaq artistë nga vende të ndryshme

Piktori Jeff Roland, i cili jeton në Francë, ka ardhur për herë të parë në Kosovë. Përmes kolazheve të tij ai tenton të prekë botën fëmijërore të secilit njeri.

“Unë punoj me teknika të ndryshme dhe këtu jam duke e realizuar një kolazh. Dëshiroj gjithmonë që në punimet e mia të përfshihet edhe teksti, edhe letra. Zakonisht punoj në dru, që është më i rrafshët, ndërsa këtu në kanvas po mundohem ta mbush edhe me imazhe që i marr nga revistat e ndryshme. Siç e shoh unë, në proces krijues e ndjek intuitën. Nuk mundohem ta parashikoj shumë se si do të duket piktura, por mundohem ta krijoj veprën me personazhe që e zgjojnë fëmijën brenda nesh. Ashtu që njerëzit ta shohin veten përsëri si fëmijë, ta lirojnë veten nga gjërat negative dhe kritikat”, ka thënë Roland.

Përveç pikturimit e miqësisë që po krijon këtu, ai po e merr dhuratë edhe një pikturë nga artisti shqiptar Mikel Temo.

Krahas pikturave, artistët nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Turqia, Franca e Bullgaria po shkëmbejnë edhe ide të ndryshme lidhur me punën e tyre.

Gjatë qëndrimit në këtë koloni artistike, disa artistë kanë krijuar më shumë se një punim artistik.

Musë Prelvukaj thotë se gjen kënaqësi pranë miqve dhe artit.

Organizatori i festivalit ndërkombëtar “Euro Kosova Art” thotë se qëllimi i ngjarjes është bashkëveprimi dhe njohja reciproke e veprimtarive mes artistëve.

Festivali do të përmbyllet më 17 tetor me një ekspozitë, ku do të shpalosen të gjitha punimet e punuara nga artistët./Koha.net