Polic i antimafies dhe shkrimtar, libri i tretë i Giuseppe Monfortes vjen në Shqipëri. I gjendur prej vitesh me mision në Shqipëri, Monforte rrëfen jetën e tij mes krimit e letërsisë
Në libra ai rrëfen edhe mes fictionit nga jeta e tij si polic i antimafies.
Pseudonimi edhe në botimin e tretë “Në duart e askujt” të promovuar rishtazi në Shqipëri është Gianni Palagonia.
Giuseppe Monforte ndodhet në Shqipëri prej 2006-ës me mision. Një vit më vonë ai nis shkrimin. Lista që mban në dorë ka emra të kolegëve të kërcënuar, plagosur a vrarë.
‘Dhe ky ka qenë një fat i madh, jo vetëm të jesh gjallë, por që të tregoja jetën time në një libër, për t’jua rrëfyer të tjerëve. Për të njohur të tjerët me sakrificat që fshihen pas asaj uniforme. Normalisht për ne policët, është një lëkurë e dytë.
Kështu që doja që të gjithë ta mësonin, jo vetëm për jetën time, por për jetën e vështirë që bëjnë policët.
Dhe mbi të gjitha ata që merren me mafien, sepse është një jetë e komplikuar dhe me shumë risqe.
Por kur zgjedh, të vendosësh jetën tënde në rrezik për të shpëtuar të tjerët, është diçka që pranohet kështu. Në fund të fundit ndoshta as që na vjen keq që është kështu.’- u shpreh ai.
Thotë se në Katania ku jetonte, në vitet ’90 vriteshin rreth 100 policë në vit. Në ’92-shin për arsye sigurie, Monforten e transferojnë bashkë me familjen në një Kazermë policie në veri të Italisë. Kjo pasi që i kanosej vdekja. Këtë e konsideron si një nga momentet më të vështira të jetës e karrierës së tij.
‘Sigurisht që momenti më i vështirë është ai kur u transferova për arsye sigurie, sepse mund të rrezikoja edhe që të vritesha. Por risqet janë çdo ditë.
Kemi të bëjmë me njerëz të rrezikshëm, që ikin të armatosur. Na takon neve të mos i lejojmë që ata të kalojnë në avantazh. Duhet të jemi të kujdesshëm për të mos pasur bllokim mendor, për të mos vrarë. Një polic është një njeri i mirë, dikush që duhet t’i jap jetës, jo t’i heq asaj.’- tha ai.
Gazetari Artur Nura, në bashkëbisedimin me shkrimtarin, e konsideron si “Komisar Katanin e vërtetë”. Puna ka bërë që të përfshihet në disa operacione të Koza Nostrës.
Kur e pyesim për arrestimin e Toto Rinës në ’93-shin, thotë se kujtimin e ka të freskët.
‘Ndihesh mirë, sepse e di që sidoqoftë kanë zmbrapsur një njeri që mund të kryente krime apo masakra të tjera. Je i vetëdijshëm që ky arrestim në një farë mënyre po shmang vdekjen e njerëzve të tjerë. Kështu që është një sukses që shkon përtej punës investigative, një lehtësim!
E di çdo të thotë të kalosh ditë të tëra brenda një furgoni, ndoshta gjatë verës në të nxehtë, apo gjatë dimrit në të ftohtë. Imagjino që për 12 apo 13 orë të duhet të hash një panine dhe të shikosh me orë të tëra një derë pas ndonjë brime. Është një sakrificë e madhe që për pagën që japin, është ndoshta shumë ! Por e përsëris nëse bën këtë punë me pasion dhe dashuri, as që i vë re këto lodhje, sepse e di që duhet të arrish një objektiv. Të arrestosh një njeri që mund t’i bëjë keq njerëzve të tjerë, kështu që sensi i mbrojtjes karshi të tjerëve për ne është prioritar, edhe ndaj sakrificave tona.’- tha ai.
Rrëfen se drejt këtij profesioni, çdo polic duhet të shkojë i përgatitur për një përballje të mundshme me vdekjen. Por në luftën me mafien, risku prek dhe familjen e këtu ndoshta çdokush mund të kishte momente pendese për rrugën në antimafie.
‘Pyetjet në retrospektivë, bëhen. I kam bërë për vite me radhë, por nuk kam marrë asnjë përgjigje. Ka gjëra që njeriu as që nuk arrin ti kuptojë pse ndodhin, dhe pse të ndodhin ty. Kështu që ndonjëherë pyesja veten, po unë dhe fëmijët e mi, nuk mund të bënim një jetë më të mirë, një jetë ndryshe. Dhe ndihesha në faj për këtë… Por nuk kisha një përgjigje. Jeta jonë shkoi në këtë mënyrë, dhe unë s’mund të bëj asgjë.’- u shpreh shkrimtari.
Vështirësitë e punës siç rrëfen çuan martesën e parë në divorc. Tanimë në krah të tij ka një bashkëshorte shqiptare dhe këtu ndihet si në shtëpi.
‘Unë kam njohur njerëz të mrekullueshëm. Shqipëria, pastaj është shumë e ngjashme me Siçilinë.
Kultura, mentaliteti,. Zemërgjerësia, mikpritja, ngrohtësia njerëzore, dashuria, humanizmi, është shumë e ngjashme me Siçilinë. Unë kam gjetur shumë prej kulturës së Italisë së Jugut.’- thotë ai.
Ka qenë në Shqipëri, edhe kur prej ekranit ka parë një nga arrestimet më të bujshme të viteve të fundit, atë të Matteo Messina Denaros.
‘Gjendesha këtu, e pashë nga televizori, por më kishte ardhur më herët një mesazh nga miqtë, kolegë siçilianë të cilët më thanë: Ka ndodhur kjo gjë! Kështu që absolutisht ishim të kënaqur, sepse ishte mbushur kupa. Një njeri për 30 vjet nuk mund ti shpëtojë kapjes.’- u shpreh ai.
Ndonëse prej arrestimit ajo që e preku e që vetë do kish ndryshuar, ishin duart e lira të Mesinës, vonesa nuk i cënon besimin në drejtësinë italiane.
‘Do ta shikoni, që nëse kjo ndodhi, ka hetime në vijim, që nëse kjo ka ndodhur është sepse ndonjë, ndoshta në ndonjë institucion duhet të ketë bashkëpunuar. Sepse përndryshe, ne jemi shumë të zotë që dikush të na shpëtojë për 30 vjet! Kjo është e pamundur.’- thotë shkrimtari.
Situata e mafies siçiliane nuk është kulluar, pasi siç rrëfen rikthimet e tij në shtëpi, ende janë diskrete.
‘Ndjesitë… merret me mend. Shtëpia jote është gjithmonë e bukur. Por njëherazi ndjehesh edhe i zemëruar. Ndërsa të vinë ndër mend kujtimet e së shkuarës. Dhe në atë pikë ti pyet veten e thua: Ndoshta mund të kem gabuar diçka dhe unë!’- tha ai./Report Tv
ObserverKult
Lexo edhe:
PUBLIKOHET “KURBANI” I EDI RAMËS NË BULLGARI: JA SI DUKET KOPERTINA NË ALFABETIN CIRILIK
Pas 13 vjetëve të publikimit në gjuhën shqipe, e përkthimit në gjuhët italiane, angleze, franceze, turke e serbo-kroate, libri “Kurban” i Edi Ramës është publikuar këto ditë në Bullgari. Ky është i pari botim në alfabetin cirilik.
Përkthimi është kryer nga Zoja Kostandinova, ish-gazetare e seksionit shqip të Radio Sofjes. Po ashtu edhe ish-diplomate e Bullgarisë në Tiranë.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult