Kompozitori dhe dirigjenti, Rafet Rudi vlerësohet me dekoratën “Nderi i Akademisë”

Në kuadër të Javës Kombëtare të Kulturës, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, u promovua libri i kompozitorit e dirigjentit Rafet Rudi, “Libri im i kujtimeve”.

Promovimi u moderua nga muzikologia Rreze Kryeziu Breznica e cila tha se prof. Rudi ka ndërtuar narrativën e një kompozitori, dirigjenti dhe mendimtari në fushën e historisë dhe filozofisë së muzikës.

Ajo theksoi se libri vjen si një vepër për të ndriçuar një periudhë historike, profesionale dhe shpirtërore, që bart në vete kujtesën e një kohe dhe kontributin e një personaliteti të rëndësishëm, siç është profesori Rafet Rudi.

Skënder Gjinushi, kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë e vlerësoi, kompozitorin dhe dirigjentin Rudi si një ndër personalitetet më të shquar të artit dhe muzikës.

Në kuadër të kësaj veprimtarie, Gjinushi i dorëzoi prof. Rafet Rudit dekoratën e mirënjohjes “Nderi i Akademisë”, me motivacionin: “Kompozitor, dirigjent dhe muzikolog i shquar i muzikës mbarëshqiptare, veçanërisht asaj në Kosovë; protagonist i ngjarjeve më të rëndësishme muzikore, artistike e kulturore nga vitet 1970 e deri më sot; promovues aktiv i bashkëpunimeve muzikore mes Kosovës dhe Shqipërisë; pedagog dhe personalitet publik me peshë të veçantë në jetën tonë muzikore; interpretues i krijimtarisë muzikore të kompozitorëve shqiptarë në skena të rëndësishme të botës, përmes formacioneve muzikore vokale e instrumentale; mbështetës dhe inkurajues i brezave të rinj të krijuesve e interpretuesve; vlerësuar me disa çmime kombëtare e ndërkombëtare; themelues i festivalit të rëndësishëm muzikor REMUSICA”.

Më pas, studiuesja e muzikës prof. dr. Zana Shuteriqi e vlerësoi kompozitorin Rafet Rudi si një prej figurave më unikale dhe përfaqësuese të kulturës muzikore shqiptare bashkëkohore. Me këtë rast, ajo e vlerësoi veprën e tij “Libri im i kujtimeve” për dëshmitë kohore dhe pasqyrimin e ndikimeve që kanë formuar autorin, duke i kapërcyer karakteristikat e një autobiografie.

Akademiku Vasil Tole tha se ky është libri i parë i plotë autobiografik i një kompozitori shqiptar, që e barabit me kompozitorë të shquar botërorë.

“Libri im i kujtimeve” paraqet një “kronikë të jetës muzikore” nga vitet ‘70 deri në 1999, parë nga perspektiva e autorit si kompozitor, dirigjent dhe publicist.

Dardan Selimaj, drejtues i Filarmonisë së Kosovës e vlerësoi librin e prof. Rauf Rudit si një dokument të gjallë, të argumentuar të fakteve historike të shekullit të kaluar dhe shekullit tonë, në lëmin e muzikës në Kosovë dhe më tej.

Autori i librit, prof. Rafet Rudi tha se libri ka karakteristika biografike, por më shumë është një kronikë e kohës në mungesë të dokumentacionit për shkak të ngjarjeve që ka kaluar Kosova dhe për shkak të institucioneve të pakta kulturore.

Në këtë libër nëpërmjet kujtimeve jam munduar të lë informacione të vlefshme për periudha të rëndësishme të jetës muzikore, të cilat janë të vështira për t’u gjetur në arkiva zyrtare.

ObserverKult


Lexo edhe:

INTELEKSHTAJNI APO PROFETI I RREMË MODERN