Do të ngjitet së shpejti në skenë, baleti “Monger” nga koreografi i njohur izraelito-amerikan dhe ndër më të vlerësuarit në baletin kontemporan, Barak Marshall. Është cilësuar nga kritika si “një krijim i shkëlqyer, inteligjent, dhe me humor.” Kjo vepër ngre çështje të pushtetit, vullnetit të lirë dhe kompromisit, që të gjithë ne bëjmë për të mbijetuar.
Balerinët Dion Gjinika dhe Anxhelo Muçollari kanë treguar se cilat janë të veçantat e kësaj shfaqje.
“Monger është shfaqje nga Barac Marshall, një vepër e shkëlqyer, inteligjente dhe me humor, që ngre çështje të pushtetit, vullnetit të lirë dhe kompromisit, që të gjithë ne bëjmë për të mbijetuar. Një nga të veçantat është që ka nota të larta humori, balerinët bëjnë dialogje nnë skenë, lëvizjet janë të shpejta dhe atletike si dhe lëvizje me gjestikulacion.” shprehet Dion Gjinika.
Balerini Anxhelo Muçollari do të ketë pikërisht ‘rolin e vështirë’ ku edhe do të kërcejë, edhe do të dialogojë në skenë. Ai thotë se kjo është një pjesë komplekse, por ka punuar shumë për të.
“Kemi një shfaqje komplekse, duhet të bëjmë njëkohësisht aktrim, dialog, balet, humor, është kompakte e mbledhur, duhet në një orë e pak minuta që të bësh të gjitha këto, por ne jemi pak a shumë pjesë edhe e aktrimit” shprehet balerini.
“Monger” do të ngjitet në skenë më 3 shkurt. Historia tregon për disa shërbyes të izoluar në bodrumin e shtëpisë së një zonje, që i shfrytëzon ata. Zonja simbolizohet nga një zile, e cila tingëllon, duke vënë në lëvizje balerinët.