Në Galerinë e Arteve në Ferizaj mbrëmjen e së mërkurës është mbajtur një takim letrar i titulluar “Flasim për Kadarenë”. Ky takim është organizuar nga sektori i rinisë në kuadër të drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport në Komunën e Ferizajt, në bashkëpunim me Klubin Letrar “De Rada”. Në këtë aktivitet homazh për Ismail Kadarenë, një prej autorëve më të rëndësishëm bashkëkohorë shqiptarë, morën pjesë nxënës aktivistë dhe studentë.
Ndërkohë, zyra për informim në Komunën e Ferizajt, ka njoftuar se kjo mbrëmje nisi me një mirëseardhje të ngrohtë nga organizatorët e aktivitetit, duke theksuar rëndësinë e takimeve të tilla dedikuar “gjigantëve” të letërsisë dhe kulturës si Kadare.
“Veprat e të cilit jo vetëm kanë formësuar letërsinë shqipe, por kanë fituar edhe vlerësim ndërkombëtar”, thuhet në komunikatën e Komunës.
Sipas Komunës ambienti i Galerisë është kthyer në një skenë eksplorimi intelektual dhe artistik.
“Krijuesit e shquar ferizajas Mustafë Xhemaili, Kemajl Aliu, Xheladin Rexhepi dhe Arsim Hamiti sollën këndvështrimet dhe njohuritë e tyre unike në segmente të ndryshme të krijimtarisë së gjerë të Kadaresë. Krahas diskutimit të veprave të hershme të Kadaresë, eksplorimit të temave të kujtesës historike dhe identitetit kombëtar. Folësit diskutuan edhe segmente të tjera prozës së Kadaresë”, thuhet në komunikatën e Komunës.
Sipas Komunës gjatë gjithë mbrëmjes, diskutimet u ndërthurën me leximin e poezive të zgjedhura të Kadaresë nga nxënësit dhe studentët pjesëmarrës.
“Në përmbyllje të mbrëmjes letrare, përgjegjësja e Sektorit të Rinisë, znj. Dashurije Ahmeti shprehu mirënjohjen dhe falënderimin për të gjithë pjesëmarrësit, duke theksuar rëndësinë e tubimeve të tilla kulturore në nxitjen e kuptimit dhe vlerësimit më të thellë të letërsisë”, thuhet në komunikatë.
ObserverKult
Lexo edhe:
KADARE, NJË SHKRIMTAR I MADH DHE NJË ANTIKOMUNIST QË E DONTE EVROPËN