Nga Roland Qafoku
Ka goditur sërish me ironinë e tij therëse Ylljet Aliçka. Metamoforza e tij për Tiranën në stilin “alla Franc Kafka”, ka sjellë figurën transformuese të një poeti-shkrimtar, që nga “një komunist i lidhur ngushtë me partinë”, konvertohet në “demokrat i orëve të para”. Nga “shkrimtar i indoktrionuar deri në palcë” në “shkrimtar që ecën me hapin e kohës si disident”. Ndonëse kjo disidencë shumë e vonuar. Madje, aq e vonuar, saqë kundërshtimin e tij e bëri kur sistemi kishte kohë që ishte rrëzuar. Shndërrimi më i madh ndodh kur personazhi kryesor, nga një idhull i Enver Hoxhës, shndërrohet në një kritikues e më pas akuzator, duke e cilësuar diktator.
Kush nuk i ka njohur komunistët, kush nuk ka njohur komunizmin dhe kush ka interes të dijë sesi funksiononte regjimi komunist në Shqipëri, i mjafton të lexojë romanin e fundit të Ylljet Aliçkës, “Metamorfoza e një kryeqyteti”. Është një pikëvështrim therës nëpërmjet historisë së një poetishkrimtar.
Me transformimin total që i ndodh Beniamin Bendos të Aliçkës, na kujton të njëjtin proces si personazhi Gregor Zamza te “Metamorfoza” i Kafkës. Ndonëse hebreu e shkroi në 1915, shqiptari Aliçka ka sjellë pas 104 vjetësh një paralele aq të ngjashme. Një roman që mund ta merrni edhe si një epikrizë të transformimit të njeriut shqiptar që mjeshtri ynë thjesht e titullon “Metamorfoza e një kryeqyteti”, Onufri, roman.
Nëpërmjet Beniamin Bendos, thjesht Aliçka ka arritur mjeshtërisht të portretizojë një poet të Tiranës komuniste në atë formë që ty të lë hapësirë që kur e mbaron së lexuari mund të shprehesh si të duash: Të gëzohesh ose të hidhërohesh, të qeshësh ose të qash. Romani dhe vetë Aliçka nuk është humoristik. Kryekëput ky novelist tashmë ka një armë të fortë të përhershme dhe dalluese, ironinë dhe sarkazmën. I ka në atë cilësi që bën epikrizën e një fenomeni. Nëse nuk ia kuptoni, keni dy rrugë: Ose lejoheni edhe një herë librin, ose po vërtetoni se me librat nuk ju lidh gjë.
Si pikëvështrim i tij ishte se si jetonte një shkrimtar në komunizëm dhe si përjetoi ai rrëzimin e atij sistemi. Një shkrimtar që dikur mbushte libraritë e komunizmit me libra dogmatikë, bajatë dhe befas pas rrëzimit të komunizmit papunësinë e zëvendësoi me të punësuarin si shkrues nekrologjish, epitafesh, pra, mënyrën sesi një familje respektonte të vdekurin e familjes. Dhe ironikisht autori shkruan “Nuk mbetej kurrë pa punë”.
Beniamin Bendo ishte shkrimtari komunist që e kishte zënë Tiranën nga gryka. Ai hidhej aty ku ishte rreziku. Kishte të drejtë të botonte libra. Ishte komunist dhe të bënte gjëmën. Pikë muhabeti, kishte një fytyrë të denjë për mendime të liga. Se sa mori më qafë ai, Ylljet Aliçka e jep aq mjeshtërisht të lidhur me familjen e tij të denjë për të spiunuar. Por në rrjetën e Aliçkës ka rënë preh pothuajse e gjithë familja e poetit shkrimtar. Pjesë e tij është edhe i vëllai, Bejdo Bendo, oficer i Sigurimit, të cilin Enver Hoxha e përfshiu si pjesë e grupit tradhtar. Antiparti. Dhe duket se kulmi i dytë i romanit është se përpara togës së pushkatimit, sigurimsi Bejdo shfaqi të vetmen dëshirë të fundit, të vdiste me portretin e Enver Hoxhës në gji. Aq qesharake dhe dramatike, kjo dëshirë është simbolika e asaj për mënyrën sesi vdisnin shumica e armiqve përpara vdekjes. Një tjetër “armik i partisë dhe i popullit”, përpara togës së pushkatimit thirri: O Enver, marrsh nga ditët e mia. Pra, Enveri e pushkatoi pa asnjë arsye, ai vdiste me emrin e Enverit në gojë. Përgjigjes së padhënë deri më sot për arsyet e kësaj sjelljeje idiote para vdekjes, Aliçka me shumë mjeshtëri e jep këtë me një mijë e një rrethana. Më kryesorja është: Indoktrinimi qesharak i njeriut të asaj kohe. Ekstremizmi i këtij indoktrinimi është një letër që poeti Beniamin i dërgon diktatorit për një gabim të rëndë, që ai kishte bërë kur kishte qenë në një udhëtim jashtë shtetit. Teksa ecte në rrugë, një fëmijë i kishte drejtuar një pistoletë lodër dhe ky, ky komunisti trim i orëve të para, ishte trembur shumë, po shumë fare ama. “Shoku Enver, unë nuk jam i denjë për komunizmin, më dënoni”, shkruante në letër poeti. Pasazh më qesharak, ironik, dhe më me sarkazëm therëse nuk ka më. Teksa lexoja romanin, uroja që në fëmijërinë apo adoleshencën time të mos e kisha lexuar ndonjëherë këtë poeto-shkrimtar budalla. Por ç’rëndësi kishte kjo: Shumë krijues në atë kohë kështu ishin dhe unë duhet të ndihem i dorëzuar.
Megjithatë, indoktrinimi krijues i poeto-shkrimtarit vazhdon: Dhe Aliçka na sjell poezinë e poetit Beniamin Bendos ditën që vdiq diktatori.
Përmbi retë stepet dielli
Erret toka, nxihet qielli
Po qajnë sot guri dhe druri
Dridhet mali, tretet burri
Është të klithësh, të ulërasësh, të çirresh, por edhe të gajasesh njëkohësisht. O Zot! Si ka mundësi që ky popull ka nxjerrë të tillë speciesh? Si ka mundësi?
Por, prisni. Nuk ka mbaruar këtu kulmi i poetit komunist të Aliçkës. Ai guxon t’i bëjë vërejtje Enver Hoxhës. Atë që nuk ia kishin bërë askush në të gjallë. Beniamini po ia bënte në të vdekur:
Një herë gabove o Enver
Gabove për be.
U largove, e jetim na le
Vdiqe i heshtur e askujt nuk i the
Po pse? Po pse? Po pse?
Këtu është kulmi i krijimtarisë së poetit komunist. Por shpejt ndodhi metamorfoza. Ky tip i pështirë, papritur konvertohet në një disident. Ky jargavec pushteti dhe komunist budalla konvertohet në demokrat i orëve të para. Në fillim bën vërejtje për ndalimin e fesë. Pastaj për ndalimin e fshatarit për të mbajtur pula dhe lopë dhe pastaj akoma për “teprimin disi të luftës së klasave”. Dhe justifikimi për të ishte i ligjshëm me arsyetimin lapidar se “ashtu ishte koha”. Kjo ishte e gjithë metamorfoza e Beniamin Bendos. Më saktë fare, ky ishte komunisti i Tiranës komuniste, të përshkruar aq mjeshtërisht nga Aliçka. Duke na sjellë një model të vetin se çfarë ishin komunistët, se çfarë bënin ata, si jetonin, si krijonin, si silleshin dhe se si e shkatërruan këtë shoqëri nga themelet. Aq ngushtë e ka sjellë Aliçka figurën dhe portretizimin e komunistit saqë mund të themi se këta janë komunistët e Ylljet Aliçkës që nuk mund t’ia kopjojë dhe as marrë dikush.
Vite më parë, unë e kisha lajmëruar në një shkrim për romanin e tij që aq shumë e kam përzemër, “Një rrëfenjë me ndërkombëtarë”: Mjerë kujt ia ka radhën Ylljeti. Aq sa unë mund të them se për 35 vjet në komunizëm Ylljet Aliçka jetoi dhe grumbulloi material dhe pas rrëzimit të tij, për 35 vjet vijon të krijojë lëndë letrare nga ai grumbullim, një lëndë që do t’i rezistojë mjaft kohës. Mjerë akoma kush do ta ketë radhën./ Panorama